Heroi i fitores së Vorës ndaj Kastriotit, sulmuesi Prengaj: Synoj Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 22:55

Heroi i fitores së Vorës ndaj Kastriotit, sulmuesi Prengaj: Synoj Kombëtaren

Vora ka reflektuar menjëherë pas humbjes me Bylisin dhe të besuarit e trajnerit Klodian Arbëri u rikthyen te fitorja, ku në fundjavë fituan në shifrat 4-2 ndaj Kastriotit. Padyshim, promotori i këtij suksesi ishte sulmuesi Fatmir Prengaj që shënoi tre gola në portën krutane.   

prengaj

22-vjeçari ka arriti kështu në kuotën e 5 golave në këtë sezon. Si ish-lojtar i ekipit Kombëtar U-21 te Vora presin shumë nga Prengaj, i cili nuk e fsheh synimin e tij për të arritur deri te Kombëtarja. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, sulmuesi tregoi se golat e shënuar janë meritë e gjithë ekipit dhe suksesin e tij të fundit ia dedikon prindërve të tij.

“Është një tripletë që më angazhon më shumë në paraqitjen time për të arritur synimet. Padyshim objektivi im madhor mbetet që një ditë të vesh fanellën e Kombëtares së parë, pasi me moshat dhe Shpresat kam pasur mundësi të kontribuojë për ngjyrat kuqezi. Golat që kam shënuar gjatë këtij sezoni me Vorën nuk janë vetëm meritë e imja, por e gjithë grupit.

Ne luajmë të gjithë si grup. Kështu që individi është në funksion të ekipit. Sa i përket tre golave që shënova ndaj Kastriotit, ato shkojnë si dedikim për prindërit e mi”, u shpreh heroi i fitores së Vorës në fundjavë ndaj Kastriotit.

Abdulla Dushku- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"