Halili: Tirana shpëton, ja plani. Nga I.Lika te Memelli, ja merkatoja VIP e bardhebluve

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 24, 2013 | 12:51

Halili: Tirana shpëton, ja plani. Nga I.Lika te Memelli, ja merkatoja VIP e bardhebluve

Halili RefikRefik Halili dhe Lul Morina kanë marrë dje zyrtarisht drejtimin e klubit të Tiranës. Lajmi konfirmohet nga vetë donatorët, të cilët bëjnë me dije jo vetëm bisedën me kryebashkiakun e kryeqytetit, por edhe planin për ta ngritur skuadrën nga llumi në të cilën ka rënë gjatë këtyre 16 javëve kampionat. Tirana gjendet, si asnjëherë më parë në historinë e vet, në fund të tabelës së renditjes duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria. Aq e pashpresë duket aktualisht situata te kjo skuadër sa, sipas donatorëve, do të duhet një ndërhyrje kolosale në merkaton e janarit, me qëllim rritjen e cilësisë dhe nxjerrjen e ekipit nga zona e acartë në të cilën ndodhet aktualisht. Sakaq, kujtojmë se pas largimit si kryedonator, Ndriçim Babasi nuk do të jetë qoftë edhe si donator i thjeshtë te Tirana.
Takimi – Dje, rreth mesditës, dy biznesmenët u pritën në një takim nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Në prani edhe të administratorit të klubit bardheblu, Krenar Alimehmeti, fillimisht është bërë një rezyme e shkurtër e situatës katastrofike në të cilën ndodhet ekipi. Më pas është vendosur që nga dita e djeshme e në vazhdim klubi do të drejtohet nga dy donatorët, të cilët do kenë vendimmarrje si në anën financiare të klubit, por edhe në atë menaxheriale. “Nga nesër (sot) do të nisim me një inventar të hollësishëm të të gjitha kontratave të lojtarëve aktualë. Do të shikojmë akademinë dhe mënyrën e menaxhimit dhe do mundohemi që, pasi të kemi një ide të gjërave, të veprojmë menjëherë, sepse realisht nuk kemi kohë për të humbur”, – sqaron Halili për “Panorama Sport”. Mësohet se dy donatorët do të kontrollojnë jo vetëm mënyrën sesi është drejtuar klubi deri tani, por edhe inventarin e financave: ku janë depozituar, sa janë shpenzuar paratë, si janë harxhuar këto të ardhura, etj. Kujtojmë se në media vizive dhe të shkruara është përmendur disa herë fakti se bashkia ka dhënë më shumë se 1 miliard lekë për Tiranën gjatë kësaj periudhe, por sërish këto parà nuk kanë mjaftuar për ta ngritur këtë skuadër. Madje është përfolur për një keqmenaxhim dhe abuzime me këto fonde.
Trajneri – Gugash Magani do vijojë të qëndrojë në krye të skuadrës. Një gjë të tillë e konfirmon më poshtë edhe Halili, i cili thekson se problemi i bardhebluve nuk është trajneri. “Nuk ka arsye të merremi me trajnerin dhe nuk besoj se qëndron pikërisht aty problemi i skuadrës. Ne si donatorë do të mundohemi që të jemi sa më pranë skuadrës gjatë kësaj kohe, me qëllim që të rritet sa më shumë besimi dhe të ketë një atmosferë pozitive. Duam t’i japim një tjetër imazh këtij klubi dhe natyrisht të mendojmë jo thjesht për të tashmen, por edhe për të ardhmen. E dimë mirë që skuadra është në një moment kritik, por them se me përforcimet që do bëjmë në janar, do të rritet mjaft cilësia dhe të paktën nuk do e diskutojmë mbijetesën”, – ka vijuar donatori bardheblu.
Projekti – Gjithashtu Halili konfirmon edhe një herë se nga dita e sotme do të nisë konsultimet me lojtarë të ndryshëm që mund të jenë potencial i mundshëm për te Tirana. Në këtë këndvështrim, ai i siguron tifozët se në kohën më të shpejtë të mundshme do e kthejë klubin në identitet. Gjatë kohëve të fundit janë përfolur shumë afrime te Tirana, por asnjë nuk është zyrtarizuar. Me ardhjen në drejtim të dyshes Halili-Morina pritet që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. “Duhen përforcime dhe këtë e dimë fort mirë, ndaj do bëjmë të pamundurën që të krijojmë një skuadër cilësore. Do të nisim menjëherë bisedimet me lojtarët për të parë mënyrën sesi mund t’i afrojmë te Tirana. I siguroj tifozët e shumtë të Tiranës, të cilët e di shumë mirë se sot janë të mërzitur dhe me të drejtë për kushtet në të cilët ndodhet skuadra, se do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë e keqe”, – ka përfunduar Halili.

Lika IlionNga I.Lika te Memelli, ja merkatoja VIP e bardhebluve
Tirana do të futet fuqishëm në merkato për të përforcuar skuadrën. Në “lupën” e dy donatorëve që do të drejtojnë tani skuadrën janë shumë lojtarë me eksperiencë, të cilët pritet t’i japin një tjetër fytyrë Tiranës. Kështu, do të kontaktohen të gjithë lojtarët që deri tani janë përmendur në media dhe do të bisedohet me këta të fundit. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Halili. “Nuk di t’ju jap emra në këto momente, por ju siguroj se do të kontaktojmë të gjithë emrat që kanë qarkulluar në mediat gjatë këtyre ditëve. Sigurisht, do të ketë edhe surpriza të bukura, gjithnjë në dobi të forcimit të skuadrës. Sa i përket portës, në listë janë dy ish-portierë të ekipit tonë përfaqësues: Ilion Lika dhe Isli Hidi. Me të dy mësohet se ka pasur kontakte, porse ende nuk u është bërë asnjë ofertë zyrtare. Drejtuesit e kanë shprehur hapur se prioritet për katërkëndorin është Ilion Lika. Mirëpo duke qenë se Kastrioti nuk ka ndërmend ta lëshojë, ky fakt mund t’ua komplikojë punët drejtuesve kryeqytetas. Por, nëse transferimi i tij nga Kruja drejt Tiranës nuk realizohet, atëherë klubi ka gati një plan “B”, pikërisht Hidin. Ky është një emër jo i panjohur për kampin bardheblu, pasi karrierën e ka nisur pikërisht te ky klub. Ka luajtur jo pak, por 9 sezone radhazi, duke filluar nga viti 1998 e deri më 2007-ën. Sa i përket mbrojtjes, në qendër të vëmendjes është Erjon Dushku, i cili me 99.99 për qind do të jetë përforcimi i parë në merkaton e janarit. Lojtarit i përfundon kontrata me Flamurtarin, ndaj pritet të rikthehet te bardheblutë. Sakaq në listë është edhe Gvozdenoviç, kjo nisur edhe nga fakti që mes Tiranës dhe lojtarit është një borxh i vonë që mund të sheshohet me një rikthim të serbit me fanellën bardheblu. Në mesfushë emri më i fundit është ai i Meglid Mihanit, aktualisht te Lushnja, por dëshirat e drejtuesve të Tiranës kanë qenë Nijas Lena dhe Hair Zeqiri, paçka se që të dy këta janë nën kontratë me Flamurtarin. Ndërkohë nuk përjashtohet edhe mundësia e rikthimit të Gilman Likës. Në sulm mund të rikthehet Migen Memelli, i cili aktualisht luan në Arabi me Al Faisalin. Sakaq, kandidat është edhe “pyka” e Besës, Fatjon Sefa, si dhe Maroi Morina, i cili mund të rikthehet në kryeqytet, duke qenë se te Skënderbeu nuk ka një vend të sigurt si titullar. Megjithatë, për të konfirmuar të gjitha këto lëvizje do të duhet të presim merkaton e janarit, e cila starton pas disa ditësh.

Topi: Mema e Fortuzi, njësh me politikën
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka kritikuar Indrit Fortuzin dhe Sulejman Memën për situatën te Tirana. “Unë nuk arrij ta kuptoj sesi disa ish-futbollistë të Tiranës, që janë edhe në Këshillin Bashkiak, bëhen konformistë me politikën e kryetarit dhe të partisë që i ka çuar atje dhe nuk e ngrenë zërin për situatën në të cilën ka rënë Tirana. Si ka mundësi që miku im Fortuzi… Si ka mundësi që Sulë Mema nuk ka thënë një fjalë deri tani? Unë e kuptoj pozicionin politik, por nuk duhet ta harrojmë të shkuarën. Dhe, sipas meje, Tirana nisi të shkojë keq e më keq në momentin kur nuk memorizoi historinë e vet. Një klub kaq i madh, që nuk di të bëjë qoftë edhe një muze për veten e vet. Unë besoj se Tirana është minuar nga të gjitha anët, diku me dashje e diku pa dashje”, – ka thënë ishpresidenti i Shqipërisë gjatë emisionit “Sport debat”.
LEONARD KARAJ






www.minuta90.com