Halili bujar me Tiranën, lojtarët mbulohen me miliona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 13:41

Halili bujar me Tiranën, lojtarët mbulohen me miliona

Te Tirana, sezoni nuk ka qenë bujar vetëm me pikët. Lojtarët titullarë kanë marrë jo pak këtë sezon nga shpërblimet që ka shpërndarë presidenti. Janë rreth 14 milionë lekë të vjetër për çdo titullar që ka luajtur në çdo ndeshje e në vazhdim me ulje në shkallëzim. Një qëndrim në stol apo një aktivizim në derbi nga stoli ka qenë 800 euro. Shifra të rëndësishme në krahasim me rrogat që kanë disa futbollistë në skuadër.
tirana
Lojtarët kanë shkëlqyer në fushë, por edhe janë shpërblyer me premiot që kanë marrë nga klubi. Me një llogari të thjeshtë, lojtarëve u ka rënë që të marrin vetëm për dy derbe rreth 6 milionë lekë të vjetër. Shpërblime ka pasur në çdo takim që ka fituar Tirana, duke filluar me Kukësin, Bylisin, takimet me Laçin e me radhë. Ndërkaq, lojtarët pritet të firmosin kontrata shtesë për dy muajt që do të luajnë gjatë qershorit dhe korrikut. Lojtarët për muajin mars dhe prill kanë marrë nga federata 30 mijë lekë të rinj, ndërkohë që presidenti Refik Halili ka pohuar se pas bisedimit me ekipin ka vendosur të mos i prekë rrogat e lojtarëve.

Kujtojmë se këtë sezon futbollistët do të marrin pagë të plotë, pasi kanë arritur objektivin Europë dhe jo vetëm. Ia kanë dalë ta çojnë Tiranën shumë pranë titullit të 25-të, si kampione të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"