Gvozdenoviç: Duam turin tjetër, asgjë nuk na tremb. Jemi gati për fitoren ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 9:01

Gvozdenoviç: Duam turin tjetër, asgjë nuk na tremb. Jemi gati për fitoren ndaj Teutës

Skënderbeu mbyll nga Durrësi përgatitjet për ndeshjen e radhës në Kupë përballë Teutës. Ndeshje kjo me një takim nga ku do të vendoset se cili do të jetë ekipi që do të kalojë më tej në këtë kompeticion.

gvozdenovic

Në kushtet kur takimi luhet në Durrës, korçarët janë më pak të avantazhuar sesa kundërshtari, por për trajnerin Ivan Gvozdenoviç ky nuk do të jetë një problem pasi ekipi është gati dhe i karikuar për këtë ndeshje. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës korçare u shpreh besimplotë për një rezultat pozitiv në këtë takim.

“Është një ndeshje teke dhe normalisht duke u nisur nga fakti që luajmë në transfertë në fushën e Teutës besoj se kundërshtari është më i avantazhuar. Por kjo është diçka që nuk na step. Kemi punuar mirë në këto dy ditë dhe jam i mendimit se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Ekipi është gati për të hyrë në fushë dhe të bëjë mirë për të siguruar kualifikimin. Jemi përgatitur për çdo skenar edhe për të shkuar me shtesë apo me penallti. Kjo pasi ndeshja është specifike dhe kërkon impenjim në çdo aspekt. Jam i bindur se do të jetë një takim i mirë nga ana jonë, pasi skuadra është shumë e karikuar”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.

TRANSFERTAT – Më pas numri një i pankinës korçare u ndal edhe te ndeshjet e radhës, pasi Skënderbeu do të luajë tre transfeta njëra pas tjetrës, sot në Kupë e më pas dy herë radhazi në kampionat.

“Transfertat nuk na ndikojnë në përqendrimin dhe atë që duam të arrijmë nga këto ndeshje. Ky kampionat e ka treguar se nuk ka të bëjë shumë faktori fushë ndaj jemi të qetë. Plus kësaj do të kemi mundësi të përgatitemi në kushte shumë të mira në Durrës, pasi në Korçë temperaturat janë shumë të ulëta dhe kjo do të ishte një problem. Besoj se do të jemi gati për çdo ndeshje, por duhet që t’i marrim një e nga një”, theksoi më tej trajneri i Skënderbeut.

RAMOS DHE RABIU – Dy lojtarët do të jenë të gatshëm për ndeshjen e kupës ndaj Teutës, por do të duhet të humbin takimin ndaj Tiranës në kampionat. Megjithatë Gvozdenoviç nuk kërkon alibi.

“Nuk dua të komentoj faktin që ndeshja ndaj Dinamos nuk u luajt dhe do të duhet të mbartim mungesat për takimin me Tiranën, pasi nuk dua të krijoj alibi. Ne jemi gati. Unë e kam thënë shpesh, kam25 lojtarë në dispozicion dhe të 25 janë gati në çdo moment për të nisur ndeshjen nga minuta e parë. Kjo ka shumë rëndësi. Do të mundohemi të bëjmë zgjedhjet e duhura, por për momentin jemi duke menduar vetëm për ndeshjen e Kupës ndaj Teutës”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"