Guardiola në alarm prej spiunëve: Më zbulojnë formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 8:52

Guardiola në alarm prej spiunëve: Më zbulojnë formacionin

Pep Guardiola pranoi se lojtarët e Premier Ligës spiunojnë formacionet te rivalët pas skandalit të fundit që ndodhi për rrjedhje informacioni në skuadrën e Aston Vilës. Trajneri i “Villains”, Din Smith, u tërbua kur mësoi se shumë nga lojtarët e tij e kishin hequr nga formacioni në lojën “Fantasy Football” sulmuesin e dëmtuar Xhek Grelish, pavarësisht se diagnoza nuk ishte komunikuar ende zyrtarisht.

Guardiola

Kapiteni mungoi në humbjen me Lestërin pasi një llogari në “Twitter” lajmëroi se tre lojtarë dhe dy prej pjesëtarëve të stafit të Aston Vilës e kishin transferuar lojtarin. Prej këtij momenti, Smith e ndaloi skuadrën që të luajë më online dhe Guardiola e mbështet totalisht. “Unë e di që lojtarët luajnë me këto lojëra, por nuk e di se çfarë është ‘Fantasy Football”, tha trajneri i Mançester Sitit në konferencën e djeshme për shtyp.

“Nuk e kam luajtur kurrë dhe e dëgjova për herë të parë dy ditë më parë te ‘Sky’. Ndonjëherë, t’i përzgjedh ekipin dhe lojtarët janë shokë me futbollistë të tjerë të ekipeve rivale dhe ata flasin për atë që ne do të bëjmë. Ndonjëherë ndodh. Është shumë jo etike dhe joprofesionale, por ti nuk mund të kontrollosh gjithçka”, shtoi katalanasi.

Siti

“Qytetarët” rikthehen në 1/8-at e Champions-it sot, me ndeshjen e vajtjes ndaj Gladbahut, e cila është spostuar në Budapest prej kufizimeve të koronavirusit: “Sa herë jemi eliminuar kemi qenë shumë pranë. Kundër Totenhemit në 2019- ën dhe Lionit sezonin e shkuar kemi qenë shumë pranë, por jemi eliminuar. Duhet të luajmë mirë, duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë për t’i mundur, asgjë më shumë. Pastaj kemi ndeshjen e kthimit dhe çerekfinalet nëse luajmë mirë. Por, mos prisni të mendojmë më larg se kaq. Vëmendja është vetëm te kjo ndeshje”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"