“Godet” Skënderbeu, Zeqo arrin akordin me Cikalleshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2011 | 11:51

“Godet” Skënderbeu, Zeqo arrin akordin me Cikalleshin

Skënderbeu bën goditjen e parë në merkaton e dimrit. Talenti kavajas, Sokol Cikalleshi, ka arritur dje akordin me presidentin Agim Zeqo. Ka mjaftuar një takim i shkurtër në Durrës, pikërisht në kompleksin “Tropikal”, që palët të arrinin marrëveshjen. Mes numrit një të klubit korçar dhe lojtarit 21-vjeçar është mbyllur gjithçka dhe për të zyrtarizuar kalimin mbetet vetëm OK i presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili. Cikalleshi është nën kontratë me klubin kavajas dhe çdo gjë është në dorë të Bizhdilit për lëvizjen e tij. Gjithsesi, burime të sigurta pranë presidentit Zeqo tregojnë për “Panorama Sport” se do të gjendet konsensusi mes klubeve, ashtu siç ndodhi edhe në janarin e këtij viti, kur Cikalleshi u transferua te Skënderbeu. Një rikthim i talentit kavajas te kampionët në fuqi u përfol edhe në merkaton e verës, teksa trajneri Shpëtim Duro e donte me çdo kusht mesfushorin. Mirëpo, në verë Cikalleshi ishte ende në fazën e riaftësimit pas operacionit që kreu në Gjermani. Duke qenë se lojtari nuk ishte gati për të luajtur, rikthimi i tij te Skënderbeu mbeti për t’u zyrtarizuar në merkaton e dimrit. Cikalleshi ka që në muajin mars që nuk aktivizohet, ndërkohë që tashmë është 100% gati. Mesfushori me tipare sulmuese ka kryer rregullisht stërvitje me Besën dhe pret me padurim rikthimin në fushë. I kontaktuar dje nga gazeta, sulmuesi nuk kërkoi të jepte detaje për takimin me presidentin Zeqo, por gjithsesi nuk e fshehu dëshirën për rikthimin në fushë si lojtar i Skënderbeut.
Biseda Rreth orës 13:00 në telefonin e Cikalleshit vjen një mesazh. “Të presim te ‘Tropikali'”. Kjo thirrje ishte e presidentit Agim Zeqo. Ky i fundit gjendej në tavolinë me trajnerin Stanislav Lev dhe zv.trajnerët Lorenc Hysi e Zdenek Beçka. Nga sa mësohet, kreu i klubit korçar ka kërkuar që përpara se të mbyllte akordin financiar me kavajasit, t’i krijonte mundësinë trajnerit Lev për të biseduar me vetë lojtarin. Pasi biseduan për pak minuta në lidhje me gjendjen aktuale që ka Cikalleshi, trajneri çek i dha një program të detajuar lojtarit për ta praktikuar gjatë kësaj periudhe që skuadra e Skënderbeut do të jetë pushim. Pasi kanë konsumuar edhe nga një kafe, palët u ndanë miqësisht. Më 7 janar Cikalleshi do të kryejë stërvitjen e parë me korçarët.

Tersi me dëmtimin
Sokol Cikalleshi ka qenë i pafat gjatë vitit 2011. Pas kalimit të bujshëm te Skënderbeu në mesin e sezonit 2010-2011, kavajasi u dëmtua rëndë, teksa më pas kreu edhe një operacion. Lojtari vuante nga një inflamacion në kockë, ndërkohë që ka pasur edhe një problem me dhëmbët. Problemi i fundit i jepte dhimbje të forta Cikalleshit në pjesë të tjera të trupit. Gjithsesi, 21-vjeçari tashmë është plotësisht gati për t’u rikthyer në fushë.
JORGIS MEMO

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"