Gjyla i indinjuar: Jemi në ajër, duhet një datë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2020 | 10:04

Gjyla i indinjuar: Jemi në ajër, duhet një datë

Lushnja nuk luajti miqësore në fund javë. Skuadra e trajnerit Ilir Gjyla zhvilloi një seancë stërvitore të shtunën paradite, ndërsa dje ishte pushim. Verdhejeshilët janë transformuar në raport me edicionin e kaluar, megjithatë trajneri Gjyla e ka në kokë formacionin, me të cilin do përballojë kampionatin.

gjyla

Në një prononcim për gazetën, trajneri Gjyla u shpreh: “Gati 90% të formacionit patjetër që e kemi. Kemi bërë disa ndeshje miqësore për të kolauduar skuadrën, por kemi pasur fatin e keq, sepse kemi pasur shumë dëmtime, 6- 7 në total. Monen, për shembull, do ta kemi dy muaj jashtë fushave. Kishim kërkesa për ndeshje miqësore, por nuk pranuam për t’u ruajtur nga dëmtimet. Na janë rikuperuar ata futbollistë që kanë pasur dëmtime më të lehta. E përsëris, 90% të formacionit e kemi kolauduar”.

VONESA – Trajneri i Lushnjës foli më tej edhe për problematikën e kësaj periudhe, shtyrjen e kampionatit dhe mungesën e një date zyrtare. “Problemi është që jemi në ajër, nuk dimë asgjë. E pyes shefin e klubit kur do të fillojë kampionati, ai ngre shpatullat sepse nuk di gjë. Nuk na shqetëson ndërtimi i formacionit, do ta bëjmë siç e kemi bërë vite me radhë.LUSHNJA

Problemi është çfarë ngarkese do t’u japim sportistëve, kur do nisë gara. Nëse nis më 3 tetor, do tjetër ngarkesë dhe nëse nis më 10 tetor, tjetër ngarkesë. Të paktën një gjë u duhet thënë klubeve, data kur nis kampionati. Një datë me përafërsi, që ne të bëjmë llogaritë tona. Nuk mund të bësh stërvitje pa ditur kur nis gara. Erdhëm nga faza përgatitore, kaluan dy javë, tani kemi aq pushim sa po të ishim prapë në fazë përgatitore, mirë do të ishte”.

OBJEKTIVI – Tekniku verdhejeshil në fund tha se Lushnja e ka objektivin te vetë emri i saj. “Skuadra ka një gjendje të shkëlqyer, përveç atyre dëmtimeve që kemi pasur. Ne jemi Lushnja dhe u qëndroj fjalëve që kamë thënë vitin e kaluar. Edhe sikur të mos më ketë vënë njeri objektiv për Superioren, patjetër që Lushnja do të luajë për më të mirën. Skuadra ka futbollistë që plotësojnë pozicionet dhe mendoj se do ecim me sukses”, deklaroi për gazetën trajneri Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"