Gjinollari: Me Kukësin humbëm dy pikë, Teuta do të ngjitet shpejt në tabelë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2023 | 20:04

Gjinollari: Me Kukësin humbëm dy pikë, Teuta do të ngjitet shpejt në tabelë

Teuta nuk shkoi më shumë se një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit. Për durrsakët ishin dy pikë të lëna në një ndeshje ku dominuan, por që nuk patën shënjestrën e duhur për të gjetur golin.

gjinollari-1

Gjithsesi, të besuarit e Edi Martinit janë të bindur se do të ngjiten shumë shpejt në tabelë. Mbrojtësi i krahut të majtë, David Gjinollari, në një bisedë për “Panorama Sport”, thekson se skuadra durrsake do të kërkojë të marrë rezultat pozitiv edhe ndaj Egnatias. Sipas tij, forma e ekipit është në rritje dhe fitoret nuk do të mungojnë.

David, morët vetëm një barazim ndaj Kukësit, edhe pse dominuat. Ju vjen keq që nuk arritët te fitorja në këtë sfidë?
Mendoj se rezultati përfundimtar nuk ishte i drejtë, qoftë në raport me lojën e zhvilluar, por edhe për shpirtin e garës që shfaqëm. Kundërshtari mendoi më shumë për mbrojtjen dhe mori më shumë nga çfarë meritonte, prandaj na vjen keq që lamë dy pikë në këtë takim. Nuk shënuam dot dhe na mungoi disi fati për rastet që kishim.

Është vetëm fillimi i kampionatit, por sa “djegin” pikët e lëna ndaj një kundërshtari që është në fund të tabelës dhe për momentin është rivali juaj?
Sigurisht që na vjen keq, sepse përballë një kundërshtari direkt si Kukësi është e kuptueshme që duhet të fitonim. Por, unë mendoj se loja që bëjmë na jep garanci për një vazhdimësi pozitive.

Keni fituar një vend në formacion këtë sezon, madje duke qenë më i avancuar në krahun e majtë. Jeni i kënaqur në aspektin personal?
Kjo varet edhe me rezultatin e ekipit, paçka se unë mundohem të zbatoj detyrat e mia në fushë. Janë të tjerë ata që vlerësojnë punën time. Do të isha i kënaqur nëse loja ime e mirë shoqërohej edhe me fitore të ekipit, sepse në fund kjo ka rëndësi për një skuadër.

E ndieni veten titullar apo do të pranoni çdo vendim të trajnerit në vazhdimësi?
Si çdo lojtar kërkoj të jem titullar, por duke e treguar në stërvitje dhe me paraqitje në fushë. Pastaj, si gjithmonë trajneri vendos dhe unë si profesionist respektoj vendimet e tij.

Çfarë prisni nga transferta e së dielës në Rrogozhinë ndaj Egnatias?
Pres që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Unë jam i bindur se Teuta ka forca ta lërë pas pozicionin ku ndodhet. Kemi mundësi për më tepër.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"