Futbollisti i Elbasanit beson te mrekullia: Nuk na ka hije vendi i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 22:57

Futbollisti i Elbasanit beson te mrekullia: Nuk na ka hije vendi i fundit

Elbasani, pasi hoqi “qafe” ekipet që synojnë Superioren, ndeshjet e mbetura do t’i luajë me rivalët e drejtpërdrejtë për mbijetesën. Verdheblutë kanë hedhur pas krahëve të gjitha rezultatet negative të koleksionuara deri tani dhe janë mobilizuar maksimalisht për të gjetur rrugën e kthesës së madhe. Këtej e tutje çdo fitore ka vlerën e gjashtë pikëve.

FUTBOLL-ELBASANI-LUZI-2008-2019.05.26 (1)

Në një prononcim për “Panorama Sport” afrimi i merkatos së dimrit, Jurgen Nexha, pohon se në kamp ka vend vetëm për optimizëm. Sipas 26-vjeçarit, potenciali i skuadrës do të shihet tani e tutje në ndeshjet direkte.

“Tani kemi hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit, pasi na kanë mbetur edhe tri ndeshje pa nisur ndarja e grupit. Ndeshjet e mbetura kanë vlerën e gjashtë pikëve dhe mendoj se ka ardhur momenti që ekipi të tregojë forcën e vet. Nëse me ekipet që synojnë Superioren kemi pasur diferenca, nuk ndodh e njëjta gjë me skuadrat e tjera. Ekipi ka potencial, të paktën për të përballuar rivalët direkt dhe jam i bindur se do të nisim një seri rezultatesh pozitive. Vendi i fundit nuk na shkon për shtat dhe mendoj se do t’i largohemi që këtë javë. Tani është koha për të qenë optimistë”, u shpreh mesfushori peqinas, që iu bashkua Elbasanit pas përjashtimit të Shkumbinit.

V.MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"