Futbolli në zi, ndahet nga jeta Niko Bespalla

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2017 | 14:36

Futbolli në zi, ndahet nga jeta Niko Bespalla

Dje është ndarë nga jeta një nga legjendat e futbollit shqiptar, Niko Bespalla, i cili prirjet e para si futbollist që në fëmijëri i shfaqi pikërisht në Shijak, që ishte edhe vendlindja e tij, 79 vjet më parë. Futbolli shqiptar humbi një futbollist të talentuar, i cili mbahet mend për gjuajtjet më të fuqishme, duke u kthyer në “tmerrin” e portierëve kundërshtarë.

niko bespalla

Ndarja e tij është një humbje e madhe për futbollin shqiptar dhe gazeta “Panorama Sport” bashkohet me dhimbjen e familjarëve.

Karriera

Që në moshë fare të vogël, Niko Bespalla do të spikaste me skuadrat e moshave, si në qytetin e vogël të Shijakut, por edhe te Lokomotiva e Durrësit, ku u aktivizua me të rinjtë e kësaj skuadre. Ishte 19-vjeç, kur trajneri i njohur Adem Karapici e afron me skuadrën e parë të Lokomotivës dhe realizoi në këtë sezon 17 gola, ku dallonte për gjuajtjen e tij të fortë.

Në vitin 1957, i zbuluar si talent, merret për të kryer shërbimin ushtarak 3-vjeçar te Partizani deri në 1960 duke fituar dy herë titullin kampion. Ishte pjesë e triumfit të skuadrës së kuqe në Lajpcig, ku Partizani zuri vendin e dytë dhe mori medaljet e argjendta, duke luajtur në krah të Maliqatit, Deliallisit, Ndinit, Fagut, Merjes, Haxhiut, Dedes, Shllakut, Panos, Resmjes, Krajës etj.

Duke qenë një tifoz i Dinamos, ndonëse iu lutën të qëndronte te Partizani, ai realizoi ëndrrën e tij duke iu bashkuar bluve të kryeqytetit. Te Dinamo, Bespalla luajti në dy vite, 1961 dhe 1962. Largimi i tij përfundimtar nga klubi dhe kryeqyteti ishte i papritur. Ka një gjendje të mirë fizike, është në formë dhe me Dinamon është titullar.

Në stadiumin “Dinamo” do të luhet për Kupën Ballkanike, midis Dinamos dhe Levskit të Sofjes, kur trajneri e thërret dhe i komunikon se do të qëndrojë në stol për të qenë më i freskët për pjesën e dytë. I revoltuar, qëndron në dhomë, kundërshton të zhvishet e të ulet në stol. Kjo do të sillte përjashtimin nga aktiviteti sportiv, ndërsa pas një viti kthehet të luajë sërish me skuadrën e Erzenit në Kategorinë e Dytë.

FIQIRI SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"