FSHF-ja i jep të drejtë Lukas Ramosit, Flamurtari kërcënon: E çojmë në FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2020 | 22:25

FSHF-ja i jep të drejtë Lukas Ramosit, Flamurtari kërcënon: E çojmë në FIFA

Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, pas Arinaldo Rrapajt, ka lënë të lirë edhe një tjetër lojtar të Flamurtarit, brazilianin Lukas Ramos. Vendimi është shpallur më 25 gusht, por mbërriti në fundjavë në zyrat e klubit vlonjat. “Panorama Sport” siguron të plotë vendimin e DHZK-së, i marrë nga gjyqtari i vetëm, Dritan Dema.
604492-1542575297
“Gjyqtari i vetëm, pa dashur të paragjykojë pretendimet financiare që mund të lindin në mënyrë të ndërsjellë ndërmjet palëve, vlerëson se njoftimi brenda afateve dhe dhënia e periudhës 15-ditore të njoftimit, i shoqëruar nga njoftimi përfundimtar, e legjitimojnë zgjidhjen e njëanshme dhe statusin e lirë të lojtarit. Për këtë Dhoma për Statusin e Lojtarit, bazuar në rregulloren e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, rregulloren e veprimtarive sportive, në aktet e tjera rregullatore të FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe legjislacionin e brendshëm shqiptar, provat e paraqitura dhe praktikën e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, vendosi: Pranimin e kërkesës. Konstatimin e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës, datë 30.01.2020, mes Lukas Ramos De Oliveira dhe Flamurtari FC. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës kërkuese. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në organin e parashikuar në nenin 35 të rregullores së Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF brenda 21 ditësh nga dita e dhënies së këtij vendimi”. Ky është vendimi i DHZK-së.
FAKSIMILE E VENDIMIT

Faksimile e vendimit të DHZK-së për lirimin e Lukas Ramosit nga Flamurtari
ARSYETIMI – Në arsyetimin e vendimit thuhet se klubi vlonjat nuk ka respektuar kontratën mes palëve. Sipas kontratës, e vlefshme për një vit, Lukas De Oliveira Ramos duhej të paguhej 4000 euro në muaj, por Flamurtari nuk e ka paguar. Braziliani i është drejtuar Flamurtarit me një kërkesë më 07.08.2020 për përmbushjen e detyrimeve të prapambetura, duke i dhënë një afat 15-ditor. Sipas arsyetimit të DHZK-së, duke qenë se Flamurtari nuk ka kryer asnjë pagesë me përfundimin e afatit, Ramos më 21.08.2020 ka njoftuar klubin se kontrata mes tyre do të konsiderohej e zgjidhur”.
Sinan-Idrizi
REAGIMI – Kundër këtij vendimi ka reaguar ashpër klubi vlonjat. Nëpërmjet një deklarate për “Panorama Sport”, drejtuesit e lartë të klubit thonë se nuk janë thirrur nga FSHF-ja për këtë gjyq dhe se nuk është marrë në konsideratë fakti se Lukas Ramos ishte në kontratë me Flamurtarin dhe kishte shkuar ndërkohë te Laçi. Vlonjatët ngrenë dyshime pse vendimi është marrë vetëm nga një gjyqtar, ndërsa kërcënojnë se do ta çojnë çështjen në FIFA, pasi pretendojnë se brazilianin e kanë paguar dhe për këtë disponojnë mandat-pagesat përkatëse. “Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF ka marrë një vendim të turpshëm. Është lënë i lirë Lukas Ramos, kur ai është lojtar i Flamurtarit. Nuk është e vërtetë që nuk është paguar. Disponojmë mandat-pagesat për çdo detyrim. Po dy pagat e luftës që dha FSHF, nuk quhen? Nuk jemi njoftuar për këtë gjyq, është bërë vetëm me një palë, madje në fundjavë na ka mbërritur letra zyrtare kur vendimi është marrë. Për më tepër në gjyq ka qenë vetëm një gjyqtar dhe nuk është njoftuar asnjë nga Flamurtari për të qenë prezent. FSHF-në e kemi vendosur në dijeni për largimin e Lukas Ramos te Laçi, kur ishte në kontratë me ne, por nuk reagoi asnjëherë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i drejtohemi FIFA-s, pasi jemi në të drejtën tonë”, u shpreh një prej zyrtarëve të lartë të klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"