Frikë nga dënimi ekstrem, Kukësi i bën apel UEFA-s

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 3, 2015 | 12:13

Frikë nga dënimi ekstrem, Kukësi i bën apel UEFA-s

kukesi111Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA do të marrë sot vendimin për ndeshjen Kukësi-Legia e Varshavës. Në klubin verior i druhen një ndëshkimi të ashpër, por, nga ana tjetër, janë gati për t’u përballur me komisionet juridike të UEFA-s, duke kundërshtuar raportimet e delegatit holandez dhe arbitrit zviceran. Këta të fundit vendosën për mosvazhdimin e ndeshjes në “Qemal Stafa” pas minutës së 52-të, kur dhe u godit lojtari i Legias, Ondrej Duda. Një dënim ekstrem sot nga Disiplina do ta vendoste klubin në një kaos të vërtetë. Vetë presidenti Safet Gjici ka paralajmëruar se ndëshkimi i rëndë nga UEFA do të sjellë largimin e tij nga Kukësi.

Nga ana tjetër, duke qenë se pritet të ketë edhe një gjobë të majme, kjo e shton edhe më shumë faturën për klubin, që deri më tani ka kaluar dy ture në Ligën e Europës, duke arkë- tuar 630 mijë euro. “Nuk mund ta pranojmë atë që ndodhi. Nuk mund të ndërpritet ndeshja në këtë mënyrë me një vendim të tillë. Le të boshatisej stadiumi dhe të riniste sërish sfida. Kush e konfirmon që ai send i fortë që u hodh, e lëshuan tifozët e Kukësit apo të Legias?! Do ta ankimojmë këtë vendim të padrejtë. Gjithsesi, unë do të rishoh pozicionin tim te Kukësi. Do të mendohem gjatë këtyre ditëve dhe do të vendos. Është një situatë që nuk i shkon aspak përshtat Kukësit dhe synimeve që ka ky klub”, pat thënë Gjici për “Panorama Sport”. Ndërkohë, në pritje të vendimit, mes ankthit dhe frikës, nuk është çudi që pas një ndëshkimi të rëndë nga UEFA skuadra veriore të shpërbëhet. Klubi i ka bërë apel UEFA-s të mos bëjë shembull Kukësin me vendimin që do të marrë sot.

“Ne do të mbrohemi me faktin se në atë takim askush nuk hyri në fushë. Pala jonë kërkoi që ndeshja të luhej, pasi dhamë garanci për sigurinë në stadium, duke garantuar edhe zbrazjen e tribunës”, tregojnë në klub.

Ja çfarë rrezikon

Si klub pritës, Kukësi është cilësuar fajtor për ndërprerjen e ndeshjes pas goditjes me gurë që mori në kokë lojtari i Legias, Duda. Sipas rregullores së UEFA-s, fillimisht për akuzën e parë klubi verior do të humbasë ndeshjen 3-0 në tavolinë. Ndërsa për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë dhe trazirat e shkaktuara nga tifozët, klubi të marrë një gjobë të majmë, që mund t’i kalojë 100 mijë eurot, nisur nga baneri me mesazh kërcënues i tifozëve. Duke qenë se Kukësi është një klub me precedentë në Europë dhe madje është gjobitur tri herë, kjo e rëndon edhe më shumë situatën, duke bërë që dënimi të jetë ekstrem. UEFA parashikon pezullim 1 deri në 3 vjet nga kompeticionet europiane, por gjasat janë që Kukësi të përjashtohet vetëm për këtë edicion, duke u eliminuar direkt, pa e kryer ndeshjen e kthimit ndaj Legias së Varshavës.

Katër akuza për klubin e Kukësit

Katër akuza rëndojnë mbi klubin e Kukësit pas asaj që ndodhi në ndeshjen ndaj Legias së Varshavës. UEFA ka publikuar të premten në faqen e saj zyrtare detajet e hetimit për takimin e ndërprerë në minutën e 52-të. Ndërprerja e ndeshjes, hedhja e objekteve piroteknike dhe sendeve të tjera në fushë, trazirat e shkaktuara nga tifozët dhe shfaqja e një banderole të paligjshme, janë akuzat e ngritura për klubin e Kukësit si organizator i takimit. Nga ana tjetër, në raportin e delegatit holandez, Martin Sturkenbom dhe gjyqtarit zviceran të takimit, Stefan Klosner, është vërejtur vetëm një parregullsi që i takon palës mike, pikërisht klubit të Legias. Polakët do të hetohen nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA vetëm për hedhje sendesh në fushë nga tifozëria e tyre gjatë takimit. Vendimi për akuzën e ngritur ndaj klubit polak do të merret më 13 gusht. Në raportin e zyrtarëve të ndeshjes, nuk janë evidentuar provokimet e lojtarëve polak. Pas golit të parë, Nikoliç bëri një gjest kundër tifozëve të Kukësit.

AKUZAT PËR KUKËSIN
1. Ndërprerja e ndeshjes – bazuar
në nenin 24 të rregullores
së Ligës së Europës
2.Hedhja e objekteve
piroteknike dhe sendeve të
tjera në fushë, bazuar në
nenin 16 (2) (b) & (c) të Disiplinës.
3. Trazira të shkaktuara nga
tifozët, bazuar në nenin 16 (2)
(h) të Disiplinës.
4. Banderolë e paligjshme, bazuar
në nenin 16 (2) (e) të Disiplinës.

AKUZAT PËR LEGIAN

1. Hedhje sendesh në fushë, bazuar në nenin 16 (2) (c) të Disiplinës.

Gjobë 10 mijë euro për Zeqirin

Gjobë 10 mijë euro nga klubi i Kukësit për Hair Zeqirin. Mund të duket e çuditshme, por burime pranë drejtuesve të klubit verilindor treguan dje se lojtarit i është vendosur një gjobë e tillë për mosparaqitje gjatë fazës përgatitore verore. Mirëpo, habia qëndron pasi mësohet se Zeqirit i është thënë zyrtarisht nga klubi që të gjejë një skuadër të re, pasi nuk është më në planet e drejtuesve. Në këto kushte, gjatë kësaj periudhe, vlonjati ka negociuar me drejtuesit e RNK Split, por Kukësi hezitoi ta linte të lirë, duke kërkuar një shifër prej 300 mijë eurosh. Gjithsesi, gjasat janë që palët të zgjidhin me mirëkuptim kontratën, ndërsa mesfushori duket se është drejt Partizanit.

Largohet portieri Stazhilla

Portieri moldav i Kukësit, Dimitri Stazhilla, është larguar përfundimisht nga skuadra. Shtatlarti është nën kontratë me Sheriff Tiraspol-in dhe drejtuesit e klubit moldav nuk pranuan t’i shtynin huazimin te Kukësi. Mësohet se moldavët kërkuan një dëmshpërblim për ta lënë të lirë portierin te klubi shqiptar, por drejtuesit e Kukësit nuk e pranuan këtë kusht. Ndërkohë, edhe mbrojtësi kosovar, Përparim Islami, është pranë “divorcit” me Kukësin. Mësohet se shkak për këtë është bërë një mosmarrëveshje e tij me trajnerin brazilian, Marcelo Troisi. Sipas portalit kosovar, “gazetaolle.com”, Islami nuk do të jetë më pjesë e ekipit, teksa pritet të rikthehet në kampionatin kosovar






www.minuta90.com