Frashëri: Skënderbeu e ka “brumin”, bëjmë kthesën duke filluar nga ndeshja me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 17:31

Frashëri: Skënderbeu e ka “brumin”, bëjmë kthesën duke filluar nga ndeshja me Teutën

Skënderbeu është i gjithi i fokusuar te ndeshja e radhës ndaj Teutës dhe pritshmëritë janë maksimale nga ana e lojtarëve bardhekuq për këtë takim. Edhe për kapitenin Erlis Frashëri, përqendrimi i ekipit ka qenë maksimal dhe objektivi i radhës për këtë ndeshje është vetëm fitorja. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Frashëri u ndal te ndeshja me Teutën, si një takim i vështirë dhe delikat për Skënderbeun, që duhet kaluar me sukses.

skenderbeu

“Ne po punojmë fort gjatë gjithë këtyre ditëve dhe jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Teutës. Takimi është tejet i vështirë, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar, që ka cilësi dhe është rival yni për këtë sezon. Sigurisht që ne kemi fatin që luajmë në shtëpi përballë tyre dhe besoj se do të jemi më të fortë me mbështetjen e tifozëve. Ajo që unë mendoj se ne duhet të bëjmë është të përqendrohemi te ndeshja dhe të përsërisim të njëjtën gjë që bëmë me Tiranën. Nëse ne bëjmë atë lojë, jam i bindur që dalim me tri pikë nga kjo ndeshje. Nuk e mendoj aspak një rezultat tjetër, pasi jemi duke u përgatitur mirë për të fituar këtë takim”, theksoi fillimisht Frashëri.

MUNGESAT – I ndalur më pas te mungesat që ekipi do të këtë për këtë përballje, kapiteni tregon se është duke u punuar fort për rikuperimin e Shaqes nga ana e stafit mjekësor, por deri tani lojtari është jashtë grupit, çka lë të nënkuptohet se do të mungojë për ndeshjen e së enjtes. “Mungesat vijojnë të jenë ato të Uçes dhe Shaqes që ende janë të dëmtuar. Të them të drejtën stafi mjekësor është duke punuar fort çdo ditë që Shaqe të paktën të jetë gati, por ende lojtari nuk është bashkuar me grupin. Megjithatë, grupi është i fortë dhe jam i mendimit se trajneri dhe stafi i tij do të dinë të mbulojnë atë pozicion më së miri në fushën e lojës”, vijoi kapiteni bardhekuq.

ECURIA – Mungesa e fitoreve nuk e step aspak Frashërin, i cili vijon të mendojë se loja e mirë e ekipit është prezente. Rezultatet, sipas tij, do të vijnë me kalimin e kohës. Madje mbrojtësi ka kërkuar edhe fatin me vete për të bërë diçka të tillë. “Pesë ndeshje pa fitore mund të themi se nuk janë diçka e mirë për ne, por jemi të qetë, pasi loja jonë është e nivelit të lartë dhe kjo ka shumë rëndësi. Të gjithë e panë se çfarë bëmë me Egnatian dhe Tiranën kryesisht, ku vetëm fati na mohoi fitoren. Ndaj e them me bindje se jemi të qetë dhe rikthimi te rezultatet pozitive do të jetë i shpejtë. Me fatin pranë ia dalim edhe këtë javë që vjen”, mbylli prononcimin e tij kapiteni i Skënderbeut.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"