Fotolajm/ Fagu i Tiranës ndjek Partizanin në stërvitje, Shehi jep… leksione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 11:35

Fotolajm/ Fagu i Tiranës ndjek Partizanin në stërvitje, Shehi jep… leksione

Partizani ka kryer dje pasdite stërvitjen e radhës në përgatitjet që trajneri Shehi po i bën skuadrës për ndeshjen e ditës së fundit të muajit kundër Laçit, e vlefshme për javën e 29-të të Kategorisë Superiore. Gjithçka nisi në orën 17:00, me përgatitësin atletik Vullnet Manushi, i cili si zakonisht bëri nxehjen e skuadrës, para se gjithçka të kalonte nën dirigjimin e trajnerit Orges Shehi.MixCollage-22-Mar-2024-11-33-AM-2489 (1)

FAGU NDJEK PARTIZANIN Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë. Trajneri i Tiranës rivale të përjetshme, Erbim Fagu, dje ndoqi nga tribuna stërvitjen e Partizanit të Shehit. Ky i fundit ka marrë përsipër të ndihmojë sektorin e edukimit të FSHF-së për të asistuar në pjesën praktike të kursit “UEFA Pro”. Në orën 15:00 ishte caktuar stërvitja e Tiranës dhe me ta mbyllur me bardheblutë, Fagu zbarkoi në “Arenën e Demave”, rreth orës 17:30, ku gjeti edhe kursantët e tjerë, gjithashtu emra me shumë peshë në futbollin shqiptar. Të udhëhequr nga profesor Sulejman Starova, mes kursantëve u dalluan emra si Edmond Kapllani, Armend Dallku, Gilman Lika apo Oltijon Kërnaja, që aktualisht mban rolin e zëvendëstrajnerit të Kukësit. Pasi ndoqi stërvitjen e kundërshtarëve, këtë herë në rolin e studentit, Fagu nuk u largua pa takuar Orges Shehin, me të cilin ka punuar te Tirana në pozicionin e ndihmësit. Në fund të stërvitjes, trajneri i Partizanit u afrua pranë tribunës dhe bashkë me Starovën konsumuan një bisedë, ku nuk i kursyen as batutat.

STËRVITJA Seanca e djeshme zgjati pak më shumë se një orë, por ritmi ishte “i çmendur”. Trajneri Shehi fillimisht organizoi një lojë me pasime, ku lojtarët ndërroheshin njëri pas tjetrit dhe ritmi kërkohej gjithnjë e më i lartë. Më pas nisi hapësira e minindeshjeve. E para ishte me katër porta të vogla, Rrapajn në rolin e xholit dhe dy skuadra. Ekipi që mbante topin, duhej të kryente një numër të caktuar pasimesh përpara se të fitonte të drejtën të godiste në njërën nga portat, që ishin të pozicionuara me shpinë nga qendra e fushës. Kjo lojë u mor me shumë grinte nga skuadrat dhe lojtarët nuk i kursyen diskutimet as pas fundit të ndeshjes. Më pas trajneri Shehi organizoi një ndeshje mes ekipit me fushë rreth 70 metra, ku nuk munguan duelet e forta dhe përplasjet. Më së shumti ra në sy grinta e Kekos, teksa Shehi u dëgjua t’i tërhiqte vëmendjen mbrojtjes.

EZANI NDËRPRET SEANCËN Në orën 18:00, me t’u dëgjuar thirrja e ezanit në xhaminë pranë stadiumit, stërvitja u ndal dhe lojtarët që agjëronin morën ujë dhe ushqim për të çelur iftarin. Pas këtij vakti të shpejtë, ata iu kthyen stërvitjes, me Shehin, që i vendosi lojtarët për të bërë vrapime në ritëm me segmente të ndryshme kohore.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"