Flamurtari “zbut” Veliun, vlonjatët në bisedime edhe me 2 sulmuesë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2019 | 20:23

Flamurtari “zbut” Veliun, vlonjatët në bisedime edhe me 2 sulmuesë…

Flamurtari në pritje të Xhevahir Sukajt. Drejtori i klubit, Artim Pollozhani dhe administratori Sinan Idrizi kanë kontaktuar orët e fundit me sulmuesin shkodran Xhevahir Sukaj. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për “Panorama Sport” se kanë filluar bisedimet me sulmuesin dhe se ato po ecin në rrugën e duhur, ndërsa synohet rikthimi i Sukajt.

Sukaj

Bindja e sulmuesit, do të thotë se kuqezinjtë fitojnë një lojtar me eksperiencë dhe një garanci të madhe në sulm. Po ashtu në sulm drejtuesit e Flamurtarit po punojnë për të afruar edhe Andi Ribajn. Burime nga klubi bëjnë me dije se Ribaj është në planet e klubit dhe se nuk mungon as oferta për të. Me afrimin e Sukajt dhe Ribajt, vlonjatët fitojnë dy sulmues me eksperiencë dhe zgjidhin kështu edhe çështjen e sulmit. Por duket se ka tashmë një akord edhe me mbrojtësin Franc Veliu.

Veliu me sa duket i ka thënë “jo” Gjilanit të drejtuar nga Gentjan Mezani dhe pritet që edhe për një sezon të jetë në Vlorë. Edhe mbrojtësi vlonjat është takuar me drejtuesit e Flamurtarit dhe pritet që të firmosë një kontratë të re për të qëndruar sërish në shtëpi. Në listën e të rikthyerve është edhe Blerim Kotobelli. Drejtuesit janë në pritje edhe të Kotobellit, por lojtari ka disa oferta nga Superiorja dhe nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet.

gerd haxhiu

KUSHTET

Por përpara se të firmosin, lojtarët kërkojnë siguri. Pa u hedhur lekët në llogaritë e tyre bankare, asnjë futbollist nuk pranon rikthimin. Kjo do të thotë se për të firmosur me Flamurtarin, duhet siguri financiare. Në këto kushte, lojtarët titullarë të Flamurtarit janë ende në pritje.

Bisedimet me drejtuesit e Flamurtarit dhe shpresa se gjërat do të rregullohen në Vlorë, po mbajnë “peng” lojtarët. Nga ana tjetër, drejtuesit vlonjatë u kanë dhënë siguri këtyre lojtarëve. Por ata kërkojnë që përpara se të firmosin, të kenë ezauruar problemet e sezonit të shkuar, çka do të thotë që kërkojnë të nisin pagesat e detyrimeve të prapambetura dhe pastaj të firmosin kontratën e re.

flamurtari

MERKATO

Semir Bajraktareviç, mesfushori 31-vjeçar që vjen nga Bosnje-Hercegovina ishte i pari që u zyrtarizua në nisje të kësaj merkatoje nga Flamurtari. Gjithçka është mbyllur tashmë edhe me Ardit Hoxhaj, që tashmë u rikthye në Vlorë dhe arriti akordin me drejtuesit e Flamurtarit.

Në Vlorë janë në kërkim të një portieri. Në listë është emri i ish-portierit të Flamurtarit, Adis Nurkoviç, por deri më tani nuk ka gjë të mbyllur. Mësohet se bisedimet kanë nisur me një portier shqiptar që është në Greqi.

Në listë është edhe emri i portierit vlonjat Shpëtim Moçka. Nga Greqia duan që të sjellin edhe një mbrojtës. Flamurtari interesohet për lojtarin e Partizanit Ardit Hila, si dhe Renaldo Filin që sezonin e fundit ai ishte pjesë e Luftëtarit. Ermal Sika

Ermal Sika  –  PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"