Fitore e vuajtur ndaj Laçit, Tirana gdhin e 8-ta. Magani s’gjen qetësi: Tri pikë shprese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2014 | 14:00

Fitore e vuajtur ndaj Laçit, Tirana gdhin e 8-ta. Magani s’gjen qetësi: Tri pikë shprese

Tirana-Laci-2-0TIRANA-LAÇI 2-0
GOLAT: Kahata 14′, Morina 89′
TIRANA: Lika, Hoxhallari, Muça, Vrapi, Pashaj (Çota 76′), Karabeci, Taku, Deliç (Limani 62′), Kahata, Ndikumana, Gilberto (Morina 39′); Trajner: G.Magani.
LAÇI: Bakaj, Çela, Buljan, Çarls, Sefgjini, Danaj, Teqja, Veliaj (Zefi 33′), Vucaj, Malo (Xhejms 57′), Brkiç (Kehinde 46′); Trajner: S.Nica.
KARTONË TË VERDHË: Karabeci 47’/ Teqja 21′, Danaj 46′, Kehinde 60′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Sami Elezi (Peqin)
GJYQTARET: K.Meta, E.Doda, D.Rexha (Tiranë)

MINUTAT
3′ Goditje dënimi, Vucaj kroson në zonë për Malon, i cili provon me kokë, por pret Lika.
7′ Kahata pason te Taku, i cili gjuan por jo siç duhet, duke i dhënë kohë mbrojtjes mike të largojë rrezikun.
14′ Goditje këndi, Hoxhallari e dërgon topin në zonë, aty ku Kahata i pambuluar gjuan me kokë, e dërgon në rrjetë dhe 1-0.
23′ Goditje dënimi, Veliaj pason për Brkiç, i cili shënon, por ishte në pozicion jashtë loje.
25′ Taku provon nga distanca, por topi përfundon jashtë.
32′ Deliç bën gjithçka mirë, driblon tre kundërshtarë, pason në zonë për Takun, por Bakaj tregohet më i shpejtë se mesfushori.
38′ Kahata kombinohet me Ndikumanën, i cili nuk arrin të gjuajë edhe pse gjysmë metri larg portës, pasi ngatërrohet në zonë.
45′ Goditje dënimi, Buljan gjuan, por Lika pret pa problem.
47′ Karabeci kroson në zonë nga këndi, aty ku Ndikumana gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin.
48′ Goditje dënimi për Laçin, gjuan Vucaj, por topi kalon vetëm pasqyrën e portës.
57′ Vucaj pason për Malon, i cili edhe pse në pozicion të prirët gjuan keq.
65′ Ndikumana kroson një top në të majtë për Kahatën, i cili kthen bukur për Morinën, sulmuesi gjuan por vetëm jashtë. 75′ Xhejms kombinohet me Vucajn, i cili gjuan nga jashtë zone, por nuk gjen portën.
79′ Provon sërish Vucaj, por këtë herë pret Lika.
86′ Sefgjini mundohet të zërë në befasi Tiranën me një gjuajtje nga larg, por Lika pret.
89′ Ndikumana kontrollon topin në mesfushë, merr krahun, snobon një mbrojtës laçian, pason te Morina, i cili s’e ka të vështirë të gjuajë dhe shënon 2-0.

Tirana fiton 2-0 ndaj Laçit dhe ngjitet përkohësisht e 8-ta në renditje. Golat e Kahatës dhe Morinës për çdo pjesë u kanë mjaftuar bardhebluve, duke u dhënë kështu tri pikë shprese për mbijetesën. Ka qenë një takim i luftuar, pasi të dyja skuadrat kërkonin triumfin. Por në fund kryeqytetasit, edhe pse kanë vuajtur, u shfaqën më të saktë para portës kurbinase. Sakaq, Laçi me dy humbje radhazi, sërish mbetet në vendin e tretë. Vlen të theksohet që takimi nisi dhe përfundoi mes tensionit nga ana e të dy tifozerive.
Pjesa e parë Takim nis i qetë dhe me skuadrat që studiojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, në të 3-ën minutë, Laçi ka shansin e parë. Goditje dënimi, Vucaj kroson në zonë për Malon, i cili provon me kokë por pret Lika. Pas 4 minutash reagon Tirana, teksa Kahata pason te Taku, i cili gjuan por jo siç duhet, duke i dhënë kohë mbrojtjes mike të largojë rrezikun. Bardheblutë fitojnë terren dhe në të 14-ën zhbllokojnë shifrat. Goditje këndi nga e djathta, Hoxhallari kroson në zonë, atje ku Kahata i pambuluar përfiton dhe e dërgon topin në rrjetë, dhe 1- 0. Ky gol u jep zemër kryeqytetasve, të cilët ishin të dënuar me fitore. Megjithatë, edhe Laçi nuk mund të pranonte disavantazhin, e për pasojë vihet në kërkim të barazimit. Në të 23-ën ka goditje dënimi, Veliaj pason për Brkiç, i cili shënon por ishte në pozicion jashtë loje. Kundërpërgjigjet Taku nga distanca në të 25-ën, por topi përfundon jashtë. Një aksion perfekt ishte ai i minutës 32, teksa Deliç bën gjithçka mirë, driblon tre kundërshtarë, pason në zonë për Takun, por Bakaj tregohet më i shpejtë se mesfushori. Tirana shton presionin në portën e miqve, duke shfaqur hapur superioritet në fushë. Megjithatë, një dëmtim i beftë i Gilbertos ka krijuar panik te Tirana. Braziliani pësoi tërheqje në të 38-ën dhe vendin e tij e zuri Morina, edhe ky jo në formën e vetë më optimale, si pasojë e një dëmtimi të vjetër. Megjithatë, kjo pjesë e parë mbyllet edhe me një tentativë nga Buljan, me goditje dënimi, Lika pret pa problem.
Pjesa e dytë Ky 45 minutësh nis me kurbinasit më kërkues. Miqtë krijojnë raste të rrezikshme, por çalojnë në vijën e parë. Ka goditje dënimi për Tiranën në të 47-ën, Karabeci kroson në zonë nga këndi, aty ku Ndikumana në ecje e sipër gjuan me kokë, por nuk gjen kuadratin. Kundërpërgjigjet Laçi me goditje dënimi, por gjuajtja e Vucajt, kalon topin vetëm në pasqyrën e portës. Ka një rast edhe Malo, por sulmuesi, ndonëse në pozicion të prirët, gjuan keq. Tirana kishte shansin të shënonte golin e sigurisë, teksa Ndikumana në të 65-ën kroson një top në të majtë për Kahatën, i cili kthen bukur për Morinën, sulmuesi gjuan por vetëm jashtë. Pas 10 minutash ka një rast ideal për miqtë, teksa Xhejms kombinohet me Vucajn, i cili gjuan nga jashtë zone por nuk gjen portën. Ka disa raste radhazi për kurbinasit, por finalizimi lë për të dëshiruar. Megjithatë, kur nuk shënon do e pësosh. Dhe kështu ndodhi, teksa në të 89- ën Tirana shënon golin e qetësisë. Ndikumana kontrollon topin në mesfushë, merr krahun, snobon një mbrojtës laçian, pason te Morina. Ky i fundit s’e ka të vështirë të gjuajë dhe shënon. Minutat shtesë sjellin dy raste të tjera për Ndikumanën, por sulmuesi është i pafat dhe takimi mbyllet me shifrat 2-0.

MË I MIRI
Ivan Deliç ka bërë një ndeshje mjaft të mirë për aq sa luajti. Mesfushori kroat shfaqi cilësi të larta në shumë raste, madje bënte diferencën në fushë sa herë kapte topin me këmbë dhe askush nuk mund ta ndalte. Për t’u vlerësuar ishte edhe loja e Kahatës, i cili dje arriti që të zhbllokohej. Notë pozitive merr edhe Morina, i cili edhe pse i dëmtuar, arriti të shënonte.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Laçit pati faj, sidomos në golin e parë. Nëse do të tregohej më vigjilente dhe të mbulonte siç duhet Kahatën, do të shmangnin disavantazhin. Sakaq, sulmi nuk prodhoi asgjë, madje rastet e vetme vinin prej Vucajt. Mlladen Brkiç ishte larg pritshmërive, për pasojë trajneri Nica e ndërroi. Në një ditë jo të mirë nuk ishin as Pashaji me Limanin te Tirana.

MaganiMagani nuk gjen qetësi: Ishte fitore shprese
Gugash Magani u gëzohet pikëve, por jo lojës, sidomos asaj të pjesës së dytë. Ai ka mbetur i zhgënjyer nga mesfusha, si dhe nga loja në krahët e mbrojtjes. Gjatë intervistës së dhënë për mediat deklaron se ky ishte një trepikësh shprese dhe jo qetësie, pasi rreziku mbetet ende prezent.
Fitore e vuajtur kjo ndaj Laçit, i kënaqur?
Kemi bërë një pjesë të parë të mirë, ndërsa e dyta ka qenë për t’u harruar. Unë nuk dua të shfajësohem as për vete dhe as për lojtarët, por ne në çdo ndeshje kemi një presion të madh, për vetë pozitat që kemi në renditje. Fituam ndaj Laçit, që ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, por ka shumë vend për analizë.
Dëmtimi i Gilbertos ju prishi punë?
Patjetër që po. Çdo lojtar në skuadër ka rëndësinë e vet dhe Gilberto mbetet futbollist i rëndësishëm për ne, edhe pse prej disa ndeshjesh nuk po shënon.
Ku çaloi Tirana sot?
Mendoj se kemi çaluar në mesfushë dhe në disa momente të veçanta kemi pasur probleme edhe në krahët e mbrojtjes. Pashajin për këtë arsye e kam zëvendësuar, pasi nuk më pëlqeu në disa momente.
Limani e justifikoi mundësinë që i dhatë?
Jo, nuk jam aspak i kënaqur me paraqitjen e Limanit. Është një lojtar që nuk ka marrë shumë hapësira në vitin 2014, por nuk po jep gjë.
Fitore shprese apo qetësie kjo ndaj Laçit?
Në momentin që ne do të mendojmë se jemi të qetë, do të humbim shumë terren. Ishte vetëm trepikësh shprese.
Në fundjavë shkoni në Korçë. I druheni?
Është shumë herët që të flasim për përballjen me Skënderbeun. Do të bëjmë nja analizë të detajuar të këtij takimi dhe më pas do të flasim për ndeshjen e radhës.

“Goli për familjen, më në fund shënova”
Francis Kahata, në fund të takimit, për mediat deklaroi se: “Ndihem shumë mirë që kam shënuar golin e parë me Tiranën përballë tifozëve tanë. Dua t’i përgëzoj të gjithë lojtarët e skuadrës për shpirtin e garës që kanë treguar në fushë dhe mendoj se e kemi merituar këtë fitore sot. Sa i përket mënyrës se si festova, ai veprim tregonte që unë kërkova të merrja celularin dhe të telefonoja familjarët e mi që t’i njoftoja që kisha shënuar. Goli fillimisht shkon për familjen, por jo vetëm. Skuadra është në një moment të vështirë dhe ai gol është për të gjithë ekipin dhe tifozët që ka kjo skuadër. Te Tirana ndihem mirë, sidomos tani që po luaj rregullisht. Tashmë jemi bërë miq edhe me lojtarët, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Dua t’i falënderoj tifozët, janë të mrekullueshëm!”.

“Fitore qetësie, por s’ka mbaruar”
Mario Morina është i lumtur për golin e dytë, por mbi të gjitha për fitoren. “Veç golit, më gëzon fitorja. Ajo është e rëndësishme. Tashmë na duhet edhe një sforco e radhës ndaj Skënderbeut. Na duhen të paktën 15 pikë që të mund të jemi të qetë. Golin ia dedikoj trajnerit Magani, i cili ka punuar shumë me ne, si dhe tifozëve që na kanë mbështetur në çdo moment”, – tha fillimisht sulmuesi. Kur pyetet për ishskuadrën, pohoi: “Unë jam profesionist dhe dhe do të luajë si bardheblu. Mbrojtja është pika e tyre e dobët, ndaj do të doja që Korça mos të kishte Bicin e Arapin ndaj nesh. Tifozëve i bëj thirrje të jenë sa më të shumtë, pasi do të kthehen të gëzuar në kryeqytet. Në Korçë bëjnë qofte të mira dhe, pse jo, mund të jetë edhe një udhëtim për t’i shijuar (qesh)”.

“Humbja rëndon, por mbetemi për Europë”
Stavri Nica heziton të flasë edhe pas humbjes me Tiranën. Ndaj, në vend të tij, për mediat doli Kastriot Rama, trajneri i portierëve. “Trajneri është i mërzitur për humbjen. Kjo është arsyeja, s’ka arsye tjetër”, – sqaron fillimisht Rama. Më tej ai analizon humbjen dhe qartëson se Laçi nuk ka toleruar dhe nuk do e bëjë një gjë të tillë deri në javën e fundit. “Pas humbjes ndaj Vllaznisë, skuadra bëri një analizë të thellë dhe u munduam të reflektonim për këtë takim. Ishim përgatitur edhe nga ana morale që ta kalonim me sukses këtë ndeshje. Por, edhe pse Tirana është në gjendje jo të mirë, bëri një ndeshje të fortë dhe të mirë. Ne u munduam të merrnim fitoren, por nuk ia dolëm. Megjithatë, kemi dëgjuar zëra për tolerim, ndaj dua të saktësoj se Laçi nuk ka toleruar dhe nuk do të e bëjë këtë deri në fund. Dy humbjet radhazi, ndonëse na kanë prishur punë, nuk na largojnë nga objektivat. Deri në fund do të tentojmë të arrijmë Europën. Kampionati është i gjatë dhe nuk ka mbaruar ende asgjë, ndaj ne do vijojmë të kërkojmë maksimumin në çdo ndeshje. Megjithatë, sot (dje) mbrojtja gaboi te goli i parë. Duhet të ishim më agresivë dhe me gjithë këshillat tona të tregoheshin të kujdesshëm, sërish pësuam gol”, – përfundoi trajneri i portierëve.

Incidentet, 7 tifozë të Laçit shoqërohen në komisariat
Ndeshja nisi me një irritim të pakuptueshëm mes dy tifozërive, që nuk kanë kursyer të sharat që nga minuta e parë e deri në fund karshi njëratjetrës, por edhe lojtarëve në fushë. Aq sa duhet të ndërhynte policia që të mos kaloheshin caqet në shkallët e stadiumit. Sakaq, nga burime pranë forcave të rendit, mësohet se në Komisariatin Nr.1 Tiranë janë shoqëruar edhe shtatë tifozë të Laçit, të cilët deri në orët e vona nuk janë lënë të lirë. Vlen të përmendet se të dyja grupimet u kthyen në antagoniste, duke shpërqendruar shpeshherë vëmendjen me gjestet dhe sharjet e tyre. Kanë dhuruar spektakël pasi ishin jo pak, por mbi 4 mijë tifozë të pranishëm, por në dy episode e detyruan edhe gjyqtarin që të ndalte lojën. Konkretisht në të 36-ën minutë, kur ultrasit bardheblu po shanin në kor Julian Malon, dhe duhet që të shkonte Karabeci që të qetësonte grupimin “Tirona Fantacis”. Në të 55-ën minutë u përsërit skena, teksa këtë herë veç Karabecit shkoi edhe Vucaj. Moment tensioni ishte edhe ai i së 72-ës minutë, kur pas një penalltie që u pretendua nga kurbinasit, tifozët u acaruan dhe kjo solli edhe shoqërimin në polici të disa prej tyre.

Moviola, ja rastet e dyshimta
Tirana-Laçi ka krijuar raste që duhen parë dhe riparë në moviolë. Në të 23-ën minutë, Brkiç shënon, por në pozicion jashtë loje, ndaj goli nuk u quajt, pasi anësori kishte ngritur flamurin. Momenti më i dyshimtë ndodh në të 65-ën minutë, kur Danaj ndërhyn ndaj Kahatës dhe dy sekonda më vonë Teqja kundër Hoxhallarit. Arbitri Meta kishte vërshëllyer që në ndërhyrjen e parë dhe për këtë arsye i dha të verdhë vetëm Danajt. Ndërsa Teqja nuk u ndëshkua, pasi faulli u shkaktua pasi loja ishte ndalur. Në të 72-ën kishte tjetër episod të diskutuar, kur laçianët kërkojnë penallti. Xhejms bie në zonë, pretendohet se ka pasur kontakt me një mbrojtës të Tiranës. Gjyqtari nuk mendon kështu dhe vazhdon lojën.
ADELA MERKO

Merr të verdhë, Karabeci humb Korçën
Erando Karabeci humb ndeshjen me Skënderbeun. Dje kapiteni i bardhebluve mori kartonin e tretë të verdhë dhe për pasojë nuk do të mund të jetë në fushë kundër kampionëve në fuqi të vendit. Pa dyshim kjo është ndeshja më e rëndësishme për kryeqytetasit, pasi nëse dje arritën të merrnin tri pikë shprese, në Korçë do të fitonin qetësinë. Lojtari u ndëshkua pas një faulli në mesfushë dhe tashmë do të jetë një forcë më pak në transfertën korçare. Lajmi i mirë për trajnerin Gugash Magani është rikthimi i Kërçikut dhe Koreshit, të cilët me mungesën ndaj Laçit, ezauruan pezullimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"