Elis Guri dështon në Olimpiadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2012 | 12:07


Elis Guri dështon në Olimpiadë

Kampioni i botës në mundjen klasike Elis Guri, shqiptari me pasaportë bullgare, dështoi në përpjekjen e tij për të marrë një medalje në Olimpiadën e Londrës. Shkodrani u kualifikua deri në çerekfinale, por do të humbiste 3-0 në kategorinë 96 kg ndaj kundërshtarit nga Bjellorusia, Tsimafei Dzeniçenka. Mundësi i klasikes e nisi bindshëm Olimpiadën e Londrës në 1/16-at, ku nxjerr nga gara rumunin Alin Aleksus me rezultatin e pastër 3-0. Në turin e 1/8-ave ishte radha e gjeorgjianit Soso Jabidze, i cili edhe për këtë Guri ishte sfidant i fortë. Rezultati final mbyllet 3-1 (0-2, 1-0, 0-1). Këtu do të mbyllej edhe aventura olimpike për shqiptarin e natyralizuar si bullgar pas eliminimit në çerekfinale. Kështu, Bullgaria, e njohur për traditat e saj në mundje, ka mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike “Londër 2012” në stilin klasik, pas dështimit më parë të Aleksandër Kostadinov, Ivo Angellov dhe Hristo Marinov në kategoritë e tyre përkatëse. Kampion olimpik do të shpallej iraniani Golaremza Rezaei. Medalja e argjendtë u fitua nga rusi Totrov, kurse e bronzta nga armeni Aleksanian dhe suedezi Lidberg. Në Lojërat e Pekinit me flamurin kuqezi Guri u klasifikua i teti, për t’iu bashkuar më tej kombëtares bullgare, ku do të fitonte medaljen e bronztë në kampionatin evropian në vitin 2011 dhe titullin botëror në Stamboll një vit më parë.