Eliminim dramatik i Interit nga Champions, vazhdon Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2012 | 22:05

Eliminim dramatik i Interit nga Champions, vazhdon Bajerni

Inter  2 – 1  Olimpik Marseje
Golat:  Milito 75′, Pazzini 96′ (pen) / Brandao 92′
Inter (4-3-1-2): Julio Cesar; Maicon, Lucio, Samuel, Nagatomo; Poli (Cambiasso 74′), Stankovic, Zanetti; Sneijder (Obi 58′); Milito, Forlan (Pazzini 58′). Trajner: Ranieri
Olimpik Marseje (4-2-3-1): Mandanda; Azpilicueta, Diawara, N’Koulou, Morel; Diarra, Mbia; Amalfitano, Valbuena (Cheyrou 76′), A.Ayew; Remy (Brandao 87′). Trajner: Deschamps
Gjyqtar: Proença (Portugali)
Kartone te verdhe: Zanetti, Samuel, Stankovic (I); Diawara, Mandanda (OM
Karton i kuq: Mandanda (OM)

Ndeshja përfundon me Pacinin që dër gon topin me nervozizëm në rrjetë, por edhe pse pësojnë, Marseja feston. Kjo është diçka që nuk ndodh shpesh, por në Ligën e Kampioneve e ka një sens; një gol në fushën kundërshtare mund të të japë një kualifikim që mbase në fushë edhe mund të mos e kesh merituar. Pas shumë vitesh në të cilat Interi ishte mësuar që ta mbyllte sezonin me të paktën një trofe të fituar, këtë herë Zaneti me shokë duhet të vuajnë, dhe asgjë nuk ka përfunduar ende. Pas daljes jashtë objektivave nga kampionati dhe eliminimit nga Kupa e Italisë, dje ka ardhur edhe lamtumira nga arena evropiane. Zikaltrit fitojnë dhe përshëndesin me rezultatin 2-1 tifozët e tyre që kishin mbushur plot stadiumin “San Siro”, por goli i Brandaos një minutë nga fundi i ndeshjes vulosi eliminimin. Ashtu si në ndeshjen e parë të humbur 1-0 në Marsejë, minuta e 92-të është e mallkuar për Interin (në të dyja ndeshjet e luajtura francezët shënuan në këtë minutë). Një “bombë” e Militos dhe një penallti e Pacinit jashtë rikuperimit të dhënë nga arbitri, janë anët pozitive të sfidës së djeshme, por nga ana tjetër goli i Brandaos vlen për të shkatërruar një sezon të tërë dhe italianëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta pranojnë atë.
Iluzioni Milito Pjesa e parë është e gjitha për t’u harruar, sepse të dyja skuadrat ruhen dhe emocionet janë zero, ndonëse Interi është ajo që e kërkon me pak frikë mënyrën për të sulmuar. Marseja nuk kishte bërë asgjë në fushë për të merituar golin deri në pjesën e dytë, por këtë vit shkon gjithçka ters për Interin. Pas 11 minutave të para, zikaltrit mund ta shihnin veten në avantazh 2-0, nëse nuk do kishte qenë për portierin Mandanda. Në minutën e 9- të Zaneti dhuron një asist për Shnajderin, holandezi godet, por fillimisht “gardiani” i marsejezëve dhe më pas Diavara largojnë rrezikun nga zona. Kalojnë 120 sekonda dhe është holandezi që ofron një pasim të artë për Militon, por as goditja e sulmuesit argjentinas nuk e tremb ishnumrin 1 të Kombëtares së Francës. Ajri me kalimin e minutave sa vjen e bëhet më i rëndë, sepse nervozizmi shtohet dhe këmbët nuk fluturojnë më ashtu si në minutat e para, ndaj të gjithë fillojnë të mendojnë për më të keqen. Por goditje e madhe vjen në minutën e 75-të, kur Kambiaso godet një goditje nga këndi dhe topi pasi humb për disa sekonda mes rrëmujës në zonën e portierit, shtyhet në rrjetë nga Diego Milito. Avantazhi dhuron forca të reja, dhe pas golit të Militos janë Stankoviç, Maikon e Kambiaso që provojnë të dyfishojnë shifrat, por asnjë prej tyre nuk përfundon në rrjetë. Mirëpo kur dukej se gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, në minutën e 88-të trajneri i Marsejës, Didier Deshamp, vendos të hedhë në fushë Brandaon, që vuajti edhe një dënim për akuza përdhunimi. Dhe ky, nga një i akuzuar për keqtrajtimin e një vajze 18-vjeçare, këtë herë do të keqtrajtojë shpresat e skuadrës së Interit dhe gjithë tifozëve të saj. Në minutën e dytë shtesë, në të 92-ën e mallkuar, ai do të përfitojë nga një gabim i Lusios në zonë dhe do mposhtë me një goditje precize portierin Hulio Sezar. Gjithçka ka mbarur, eliminimi është vulosur, ndonëse nga ana tjetër zikaltrit nisin një kundërsulm që konkretizohet me një ndërhyrje të gabuar në zonë të portierit Mandanda kundër Pacinit, penallti që ky i fundit do ta dërgojë me nervozizëm në portë, por që gjithsesi nuk do të mjaftojë, ndonëse tifozët zikaltër duartrokasin ekipin e tyre për vullnetin e shfaqur.

“Kjo disfatë, pasqyra e sezonit tonë”
E pamundur të bënin më shumë, sepse këtë herë është rregullorja e kompeticionit që eliminoi Interin dhe jo paraqitjet në fushën e lojës, duke menduar për 180 minutat e luajtura. “Kjo disfatë ndaj Marsejës, qoftë ndeshja e parë, qoftë e dyta, është pasqyra e sezonit tonë. Arrijmë të qëndrojmë në këmbë, por në fund është diçka që arrin të na rrëzojë edhe pa e merituar, – janë fjalët e para të trajnerit Klaudio Ranieri. – Pa hije dyshimi, mund të them se ishim ne që meritonim kualifikimin për në çerekfinale, duke parë gjithçka që kemi bërë në këto dy ndeshje. Në 180 minuta Marseja ka mundur të godasë 3 herë portën tonë dhe në dy raste arriti të shënojë. Mirëpo kjo nuk më ndalon që t’u jap përgëzimet e mia kundërshtarëve, të cilët nuk vodhën asgjë, por shfrytëzuan, dhe u mjaftoi gjithçka kishin planifikuar. Deshampi ‘mace e zezë’? E vërtetë kjo, sepse kundër tij nuk arrij të kaloj kurrë. Edhe në kohët e Çelsit arriti të më marrë një barazim 2-2 në Londër, që i mjaftoi të më mundte, – vazhdon Ranieri. – Gjithsesi, kjo gjë nuk më intereson shumë, por shpresoj që të gjitha këto gjëra pozitive që kemi bërë në këto dy ndeshje të fundit, kundër Kievos dhe Marsejës, të na ndihmojnë që të qëndrojmë në këmbë dhe të ndërrojmë ritëm në kampionat, ku kemi ende objektiva të rëndësishëm për të arritur. Koha është në favorin tonë, por tani duhet një reagim i jashtëzakonshëm, ashtu siç janë të gjithë këta futbollistë që kam nderin të stërvit”.
Kapiteni Zaneti – Edhe veterani i nënkampionëve të Italisë është dakord me trajnerin e tij. “Është mëkat që të eliminohesh me një rezultat të barabartë, por mbi të gjitha kur ke dhënë më shumë se kundërshtari në fushën e lojës. Po ja që futbolli i tillë është, dhe ne duhet vetëm të reagojmë pozitivisht pas dy ndeshjeve të fundit. Jam dakord me trajnerin që thotë se këtë nervozizëm që kemi tani, duhet ta shndërrojmë në një agresivitet pozitiv në kampionat, ku na kanë mbetur edhe 11 ndeshje për të luftuar. Ndeshja me Marsejën tregon se kjo skuadër vazhdon të jetë akoma në jetë, madje gati për të rikuperuar një situatë të vështirë dhe të festojë një arritje të madhe në fund të sezonit. Ky ka qenë një vit i vështirë që nga fillimi i tij, por tani e kemi ne në dorë që ta mbyllim më mirë seç e nisëm”, – thekson mbrojtësi argjentinas, Havier Zaneti.

“Jemi të lumtur, por të vegjël para Interit”
Didier Deshamp i lumturohet kualifikimit të Marsejës së tij, por ai kupton gjithashtu se mbase çerekfinalet janë etapa e fundit e sezonit në Evropë. “Patëm pak raste për gol dhe ishim me fat që një tjetër aksion individual na dha kualifikimin për më tej. Kjo ndeshje duhet të na mësojë shumë, sepse vërtet Interi pati shumë probleme që në ndeshjen e parë, por edhe me krizën në të cilën notonte, arriti ta përmbysë çdo gjë. Kjo na bën të kuptojmë që jemi një skuadër e vogël në këtë kompeticion, por që me pak fat arriti të eliminojë një skuadër të fortë në një stadium madhështor. Kjo është një arritje për ne, megjithatë tani e tutje nis ferri i vërtetë”, – tha trajneri i Marsejës, Didier Deshamp.

Hulio Sezar në lot, thyhen dhomat e zhveshjes
Interi e dinte që në Champions nuk do kishte mjaftuar një fitore normale. Goli i Brandaos në minutën e 92-të, përveçse eliminoi skuadrën, ka eliminuar edhe shumë shpresa të kota në radhët e futbollistëve zikaltër. Hulio Sezar nuk deshi t’u besonte syve në golin e Brandaos. Dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera në këtë sezon, e ka përjetuar me lot në sy dështimin. Ndërkohë, nga dhomat e zhveshjes janë dëgjuar zhurma të mëdha, shqelma ndaj çdo gjëje që dilte përpara dhe ofendime si rrjedhojë e nervozizmit. Por për ta qetësuar këtë atmosferë ka ndërhyre presidenti Masimo Morati dhe krahu i tij i djathtë, Marko Tronketi Provera, që prapëseprapë e kanë duartrokitur skuadrën.


Uragani “Bajern” trondit Bazelin

Bajern Mynih   7 – 0   Bazel

Golat: Robben 11′ , 80′, Mueller 41′ , Gomez 44′ , 50′, 61′, 67′
Bajern Mynih (4-2-3-1)
: Neuer; Lahm, Boateng, Badstuber, Alaba; Luiz Gustavo, Kroos; Robben (Tymoshschuk 81′), Mueller (Schweinsteiger 70′), Ribery (Pranjic 78′); Gomez. Trajner: Heynckes
Bazeli (4-4-2): Sommer; Park Joo Ho, Dragovic, Abraham, Steinhofer (Degen 70′); Shaqiri (Zoua 80′), Cabral, Xhaka, F.Frei (Stocker 61′); Streller, A.Frei. Trajner: Vogel
Gjyqtar: Clattenburg (Angli)
Kartone te verdhe: Boateng (BM), Streller, Cabral (Baz)

 

Bajerni i Mynihut ka “zgjuar nga ëndrra” Bazelin, duke e turpëruar në stadiumin “Allianz Arena”. Një skuadër e frikshme, e cila u bëri presion të gjithë kundërshtarëve të ardhshëm, duke konfirmuar edhe një herë se ka potencialin e mjaftueshëm për të luajtur në finalen e 19 majit, në fushën e vet. Një Bajern që shokoi me plot 7 gola “hirushen” e Ligës së Kampioneve, në një ndeshje ku u pa shumë pak prej zviceranëve, dhe që ka shënuar plot 14 gola në dy sfidat e fundit. “Pokeri” i Mario Gomezit, dopieta e Robenit dhe goli i Mylerit vulosën fitoren më të thellë në Champions në historinë e bavarezëve. Jup Hejnkes nuk bëri shumë ndryshime në formacion apo në skemën taktike, pasi luajti me të zakonshmen 4-2-3-1, vetëm se ai i kishte motivuar maksimalisht lojtarët e tij, që ta nisnin lojën me presing të vazhdueshëm. Ndërkohë, Heiko Fogel nuk mund të bënte më shumë, veçse të priste një tjetër mrekulli nga “vogëlushët” e tij.
Pjesa e parë Vendësit e nisën lojën me shumë vrull, duke vënë në provë disa herë portierin Somer në minutat e para. Mario Gomez shpërdoroi dy raste të mira për shënim, megjithatë goli i avantazhit nuk vonoi. Siç ishte programuar, brenda 10 minutave të para, vendësit shënuan nëpërmjet Arjen Robenit. Holandezi mori një asist brenda zonës dhe përballë portës gjuajti lehtësisht, duke dërguar topin në rrjetë. Minutat në vazhdim të pjesës së parë kishin vetëm një skenar: Bajerni që sulmonte gjatë gjithë kohës dhe Bazeli që mundohej të largonte topin nga zona, pa pasur fuqinë e duhur për të nisur edhe ndonjë kundërsulm të shpejtë. Gomez për minuta me radhë u shndërrua në “acaruesin” e tifozëve, për shkak të finalizimit të dobët të aksioneve, gjithsesi mbrëmja përfundoi në mënyrë të mrekullueshme për të. Në të 41-ën, Roben kroson në zonë dhe Tomas Myler e devijon saktë për në portë, duke mos i dhënë shans portierit që të evitojë golit e dytë të kundërshtarit. Por, vetëm një minutë para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes, erdhi edhe goli i tretë, i cili ua hoqi edhe ato pak shpresa që u kishin mbetur zviceranëve. Një top i ardhur në zonë nga një goditje dënimi u kthye në qendër prej Badshtuberit, duke mos i dhënë kështu mundësi Gomezit që të gabojë, pasi e shtyu lehtësisht për në rrjetë.
Pjesa e dytë Të dorëzuar për një kualifikim heroik dhe me shpresën se ndeshja do përfundonte shpejt, lojtarët e Bazelit e kthyen ëndrrën në makth. Në 45 minutat e dyta ata u detyruan ta nxjerrin edhe katër herë të tjera topin nga rrjeta, falë një kombinimi të frikshëm Riberi-Gomez. Në të 50-ën, francezi kroson në zonë nga e majta dhe bomberi gjerman e kthen topin fluturimthi në rrjetë. 11 minuta më pas është sërish Riberi që dërgon një top në qendër të zonës dhe sërish “Super-Mario” që finalizon saktë, këtë herë duke goditur me kokë. Spektakli i tyre nuk përfundoi me kaq, pasi në të 67-ën numri “33” i bavarezëve shënoi golin e katërt personal dhe të gjashtin e ndeshjes, me një “film të parë”: Riberi kroson, ai finalizon duke gjuajtur fort në kuadrat. Në minutën e 70-të, në një ambient tepër festiv, u rikthye edhe Bastian Shvajnshtaiger nga një dëmtim relativisht i gjatë, duke u futur si zëvendësues në vendin e Mylerit. Prezenca e tij në fushë u ndje menjëherë, edhe pse nuk është ende në maksimumin e formës fizike. Në të 81-ën, ai dha një top të mrekullueshëm në diagonale për Arjen Robenin, i cili brenda zonës dribloi edhe portierin, për të vulosur fitoren me rezultatin 7-0. I njëjti që hapi serinë e golave, vendosi t’i japë fund “show”-t. Një “tërmet” i Bajernit të Mynihut që tronditi jo vetëm Bazelin, por të gjitha “pengesat” që e presin në ndeshjet e mbetura të Champions-it…

“Kjo ishte ndeshja jonë perfekte”
Nuk kish si të ndodhte ndryshe, pasi Jup Hejnkes nuk i ka kursyer përgëzimet për futbollistët e tij. “Kjo ishte ndeshja perfekte e Bajernit. Që nga minuta e parë deri tek e fundit, ne kemi luftuar dhe kemi vrapuar si të çmendur. Përballë kishim një kundërshtar të fortë, të cilin e bëmë që të duket si një skuadër e lehtë për t’u mundur. U argëtuam duke parë mënyrën se si lojtarët bashkëvepruan me njëri-tjetrin në fushë dhe treguan kualitetin e tyre si grup. Bajerni konfirmoi forcën e tij, por duhet të vazhdojë gjithnjë me këtë ritëm”, u shpreh Jup Hejnkes.

“Shënuam shumë, por s’kemi fituar gjë”
Shtatë gola në dy ndeshjet e fundit për Mario Gomezin, por prapë ai tregohet modest dhe kërkon të ulë me këmbë në tokë shokët e skuadrës. “Është e vërtetë që kemi shënuar shumë gola në dy ndeshjet e fundit, por nuk kemi fituar ende asgjë. Unë nuk u kushtoj aspak rëndësi këtyre statistikave, nëse në fund të sezonit nuk triumfojmë në ndonjë kompeticion të rëndësishëm. Golat e mi? Do festoj për to duke ngritur trofe”, u shpreh bomberi gjerman, i cili është rivali i vetëm i Mesit për golashënuesin më të mirë të Champions-it.

“Çfarë kërkoni më shumë nga ne?!”
Arjen Roben u është kundërpërgjigjur kritikave në drejtim të tij me shifra. “Sot (dje) kemi fituar, jemi kualifikuar, kemi dhuruar spektakël dhe jemi argëtuar në fushën e lojës. Në dy ndeshjet e fundit kemi shënuar plot 14 gola. Çfarë kërkoni më shumë nga ne? Shpresoj që të mos kritikohemi edhe tani”, deklaroi holandezi. “Të fitosh me një rezultat të tillë në Ligën e Kampioneve është me të vërtetë e pabesueshme. Jemi shumë të lumtur. Na pret ende një rrugë e gjatë, gjithsesi do mundohemi të shijojmë momentin”, shtoi Roben.

Fogel: S’kishim mbrojtje
Trajneri i Bazelit ka kritikuar mbrojtësit e tij për humbjen. “Kjo disfatë duhet të na shërbejë si një dush i ftohtë, pasi kohët e fundit menduam se ishim ndër ekipet më të forta në Evropë. Ishte e vështirë të ndaloje një Bajern aq të uritur dhe të motivuar, gjithsesi ne nuk patëm mbrojtje. Lojtarët e mi u trembën dhe bënë gabime të pafalshme”, u shpreh tekniku Fogel pas ndeshjes.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"