Elbasani, turpërimi kalon me një mbledhje rrufe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 13:43

Elbasani, turpërimi kalon me një mbledhje rrufe

Ashtu siç edhe e kishte parashikuar “Panorama Sport” një ditë më parë se tek Elbasani do të bëhej një mbledhje për humbjen turpëruese 5-0 që pësuan verdheblutë përballë Ilirisë, ku nuk priteshin masa, ashtu ka ndodhur në realitet. Përpara seancës stërvitore, trajneri Ilirjan File realizoi një mbledhje të shkurtër, e cila zgjati rreth 15 minuta, gjatë të cilave u diskutua për këtë disfatë. Tekniku i kërkoi skuadrës të mos i përsërisë më këto rezultate dhe të bëjë menjëherë kthesën në ndeshjen e radhës përballë Pogradecit, që do të luhet në “Ruzhdi Bizhuta”, aty ku gjithmonë kanë marrë rezultate pozitive. Pasi ranë dakord që të tilla takime do t’i përkasin së kaluarës, lojtarët zhvilluan normalisht stërvitjen, ndërsa mungesa e vetme ishte ajo e mesfushorit Endri Dalipi. Verdheblutë në këto javë kampionat kanë treguar gjithnjë “dy fytyra”, ku marrin pikë të plota në shtëpi dhe jashtë saj dalin gjithnjë me humbje. Ajo çka duket se u dhemb më shumë ka të bëjë me faktin se elbasanasit vijojnë të jenë e vetmja skuadër që nuk ka marrë asnjë pikë në transfertë, gjë që i është kthyer në një problem tepër të madh psikologjik. Tani pritet vetëm që të paktën të mos bëjnë hapa falsë në shtëpi, megjithëse e kanë të qartë se në këtë mënyrë nuk arrihet Superiorja. Prej të paktën tri sezonesh, verdheblutë janë përfshirë nga një krizë e thellë, jo vetëm financiare, por edhe për sa u përket rezultateve. Do të duhet një angazhim maksimal nga drejtuesit për ta rikthyer sërish Elbasanin në Superiore.
Ardit Senja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"