Elbasani është gati për revansh, Merxha: Me tifozët si aleatë, i mundim vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2024 | 11:35

Elbasani është gati për revansh, Merxha: Me tifozët si aleatë, i mundim vlonjatët

Elbasani pret të dielën Flamurtarin në “El basan Arena” në orën 17:00, në një ndeshje ku do të kërkojnë t’u kthejnë reston vlonjatëve për atë humbje në fazën e parë.

dede merxha

Jo vetëm kaq, por një trepikësh do të nxirrte përfundimisht nga lufta për në Superiore një rival direkt. Për numrin dy të pankinës elbasanase, Eriol Merxha, i cili është edhe një “ish” i kësaj sfide, me tifozët në krah skuadra do të marrë tripikëshin e radhës.

“Dihet që në fushën tonë ne kemi aleatë tifozërinë numër një në Shqipëri. Për këtë arsye nuk besoj të kemi probleme as me Flamurtarin, por të marrim trepikëshin e radhës”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” ndihmësi i Nevil Dedes. Merxha ka kujtime të bukura nga eksperienca e tij në Vlorë, ku arriti të shpallej edhe fitues i Kupës së Shqipërisë. Ai nuk i zë “besë” situatave që po kalon klubi kundërshtar, sepse e di që janë të mobilizuar në çdo moment.

“Në Vlorë më kanë pritur shumë mirë dhe atë sezon kemi fituar Kupën e Shqipërisë. Ruaj kujtimet më të mira nga eksperienca ime në atë qytet. Është një qytet që e do sportin dhe jam i bindur që do të vijnë të mobilizuar në ndeshjen tonë, pavarësisht problematikës së trajnerëve këto ditët e fundit”, vijoi më tej ish-mesfushori elbasanas.

REVANSHI – Flamurtari është një nga dy ekipet që i ka mundur këtë sezon verdheblutë, prandaj dhe motivi është i madh për të marrë triumfin.

“Është një nga dy ekipet që na ka mundur në kampionat. Nëse ekipit të parë ne arritëm t’i kthejmë reston (Korabi), tani është radha e Flamurtarit. Por, kjo arrihet duke qenë me këmbë në tokë dhe pasur besim tek ekipi që ne stërvisim çdo ditë”, theksoi më tej Merxha. Sa i përket mundësisë për një arratisje të mundshme nga rivalët, ai beson se ka ende kohë për të pretenduar një gjë të tillë.

“Kampionati është ende shumë i gjatë, me shumë ndeshje për t’u luajtur. Ka ekipe të mira që synojnë të jenë në pozitat tona. Ne thjesht duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, siç kemi bërë deri më tani dhe të vijojmë të qëndrojmë në krye”, mbylli prononcimin e tij për gazetën zv.trajneri i Elbasanit.

Sakaq, edhe në këtë ndeshje pritet që të ketë një numër të kënaqshëm të tifozëve në shkallët e stadiumit. Ndoshta mund të jetë edhe një rekord për praninë në “Elbasan Arena”.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"