Si e kujtoj unë atë mesditë fatale…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 18:34

Si e kujtoj unë atë mesditë fatale…

UVIL ZAJMI 

Uvil Zajmi

Në atë kohë drejtoja sektorin e arbitrave në FSHF dhe pasi ndoqa pjesën e parën në “Selman Stërmasi”, në korridor takova Luanin, kur ai po dilte. Shkëmbyem një shikim, duke siguruar njëri-tjetrin për mbarëvajtjen edhe të pjesës së dytë dhe u largova për në “Qemal Stafa”.

Sapo kishte nisur loja midis politikanëve, Shqipëri-Itali, kur në tribunë u përhap lajmi se “pas ndeshjes në afërsi të ‘Selman Stërmasit’ ka pasur të shtëna me armë”. Të shqetësuar spektatorët, filluan të braktisnin stadiumin dhe ndeshjen që po zhvillohej qetësisht. Me kalimin e minutave u njoftua se kishte humbur jetën presidenti i Tomorit dhe ishin plagosur arbitra. U nisa me shpejtësi për në Spitalin Ushtarak dhe te sheshi para urgjencës gjeta plot qytetarë, arbitra, sportistë. Njerëz që hynin e dilnin, minuta të gjata pritjeje, kur papritur vjen lajmi kur dikush thotë:

Zylfo Luan

“Ka vdekur edhe Luani, ka vdekur edhe Luani…”. Një moment rrëqethës, lajm më të rëndë nuk kishte. “Bëmë gjithçka, u tentua në çdo mënyrë, por një plumb e kishte marrë në qafë tek aorta dhe ajo i shkaktoi trombozë”, ishte komenti që erdhi nga mjekët. Ndërkohë, edhe për të ndjerin Adrian Çobo, ndonëse miq të tij të ndodhur pranë vendit të ngjarjes, e kishin sjellë në spital, jeta e tij fatkeqësisht ishte ndërprerë ende pa mbërritur atje. Askush nuk donte t’i besonte asaj çfarë kishte ngjarë. Një tragjedi e vërtetë, kur dy të rinj, një president klubi dhe një arbitër futbolli ndahen në mënyrë dramatike e papritur nga jeta. Kanalet televizive me shpejtësi do të informonin:

“Të shtëna me armë pas ndeshje së futbollit Partizani-Tomori në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Ka të plagosur…”. Pastaj nga një edicion te tjetri, informacioni vinte më i plotë: “Presidenti i një klubi futbolli, Adrian Çobo i Tomorit të Beratit, dhe një arbitër futbolli, Luan Zylfo nga Tirana, janë vrarë e kanë humbur jetën”. Zija ka mbuluar futbollin kombëtar. I gjithë komuniteti sportiv e më gjerë është zhytur në dëshpërim e trishtim të thellë. Janë njoftuar drejtuesit e FSHF-së, Papadhopulli e Starova, që menjëherë kanë lajmëruar FIFA-n, UEFA-n.

luan zylfo

Ndërkohë, fatkeqësia që ka goditur dy familjet është e madhe. Të ndjerin Çobo e dërguan në qytetin e tij, po atë natë, bashkë me skuadrën e futbollit, që u kthye nga rruga kur e kanë njoftuar. Të nesërmen ceremonitë mortore u zhvilluan në Tiranë e Berat. Turma njerëzish kanë kaluar në heshtje pranë trupave të tyre vendosur në mjediset e stadiumeve dhe shtypi, në veçanti ai sportiv, “Sport Ekspres” e “Sporti Shqiptar” do t’i kushtonin faqet e para të tyre tragjedisë, shoqëruar me kronologjinë e ngjarjes. “Futbolli në zi” është një nga titujt.

Me një vendim të saj, Shoqata e Arbitrave i jep emrin “Luan Zylfo” Kolegjiumit të Tiranës. Kujtoj Zhulin, gruan e Luanit, familjarët e tij, veçanërisht fëmijët, vajzën Sivi dhe djalin Adi, lot dhe vetëm lot. Ndonëse vitet dhe koha kalojnë, unë nuk do ta harroj kurrë atë mesditë të zezë të 13 majit 2000!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"