EKSKLUZIVE/ Tre lojtarë të Skënderbeut drejt largimit, pëlqehen në Rusi dhe Ukrainë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 13:29

EKSKLUZIVE/ Tre lojtarë të Skënderbeut drejt largimit, pëlqehen në Rusi dhe Ukrainë

Skënderbeu është kthyer në një “market” sa i përket interesimeve të klubeve të huaja për lojtarët që kanë treguar vlera në këtë pjesë të parë të sezonit. Në kushtet kur hapësira e transferimeve është e hapur dhe të gjitha klubet janë në proces riparimi për gjysmën e mbetur të sezonit, ofertat drejtuar lojtarëve të klubit bardhekuq nuk kanë munguar.

skenderbeu

Burime të “Panorama Sport” bëjnë me dije se në momentet që flasim ka interesime të vazhdueshme për tre lojtarë titullarë të bardhekuqve për të ndryshuar ambient. Bëhet fjalë për sulmuesin Frenklin Ahanonu dhe mesfushorët Mario Rabiu dhe Juri Merlim. Të njëjtat burime flasin për interesime të klubeve të ndryshme për të tre këta lojtarë që vijnë nga ekipe ukrainase dhe ruse.

Në klubin bardhekuq e konfirmojnë interesimin e tyre për lojtarët në fjalë, por nuk janë të gatshëm për të folur më shumë me detaje, edhe për vetë faktin se bëhet fjalë për negociata në fazë fillestare.

Duke iu referuar të dhënave që vijnë nga klubi i Skënderbeut, bisedimet janë ende të hapura dhe palët po diskutojnë rreth mundësisë për transferim. Ndaj, edhe për këtë pritet që shumë shpejt të vijë oferta zyrtare dhe më pas do të jetë presidenti Takaj, ai që do të vlerësojë shumën e ofruar dhe do të negociojë për kërkesat e tij si mundësi transferimi.

REFUZIMET – Nuk ka pasur vetëm interesime për lojtarët e Skënderbeut, por edhe kërkesa zyrtare që janë refuzuar. Të tilla janë rastet e Dean Liços dhe Ardit Nikajt, që kanë tërhequr interesimin e disa klubeve.

Të njëjtat burime të gazetës bëjnë me dije se ofertat konkrete vinin nga Rumania dhe Turqia, nga klube që luajnë në kategoritë e dyta në kampionatet respektive. Por, gjithçka është refuzuar nga presidenti Takaj, pasi në lidhje me dy lojtarët në fjalë, ofertat ishin shumë herë më të ulta në raport me kërkesat e klubit.

Çmimet që pretendojnë të arkëtojnë për dy futbollistët, nuk kanë kënaqur Takajn. Ajo që e ndihmon së tepërmi klubin e Skënderbeut në këtë hapësirë transferimesh është fakti se pjesa më e madhe e lojtarëve kanë një kontratë afatgjatë, ndaj edhe rreziku për t’i humbur me parametër zero nuk ekziston.

Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë deri më 31 janar, kur dhe është afati i fundit për lëvizje. Fakt është që zyrtarisht deri më tani nuk është larguar asnjë futbollist nga skuadra, me trajnerin Ivan Gvozdenoviç që ka kërkuar ruajtjen e grupit në kushtet kur afrimet mungojnë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"