EKSKLUZIVE/ Teuta nis “skarcimet”, dy sulmues nuk do të jenë më pjesë e durrsakëve. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2023 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Teuta nis “skarcimet”, dy sulmues nuk do të jenë më pjesë e durrsakëve. Zbulohen prapaskenat

Teuta nis me largimet pa u hapur ende merkatoja e janarit, ndërsa ekipit i duhet të luajë edhe dy ndeshje të vlefshme për Superioren deri në mbyllje të vitit 2023 kundër Erzenit dhe Dinamos. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht se sulmuesit, Mario Gjata dhe Aldi Gjumsi, nuk do të jenë më pjesë e durrsakëve.

MixCollage-14-Dec-2023-08-52-AM-9284

Dje dy lojtarët e ardhur gjatë merkatos së verës kanë ndarë rrugët me klubin, duke qenë se nuk janë më në planet e stafit për pjesën e mbetur të sezonit.

Gjata erdhi në Durrës pas eksperiencës disa vjeçare te Apolonia e Fierit dhe u mendua se do të ishte sulmuesi kryesor i durrsakëve, ndërsa Gjumsi iu bashkua “djemve të detit” pasi u formua si futbollist te Tirana. Mirëpo, paraqitja e të dyve ishte larg pritshmëritë dhe drejtuesit menduan që të kontrata me të mbyllej që në dhjetor.

23- vjeçari Gjata u aktivizua me fanellën e Teutës në 13 ndeshje, duke qenë në fushë 274 minuta, por vetëm si zëvendësues dhe asnjëherë si titullar. Sulmuesi fierak shënoi një gol në humbjen e thellë 6- 1 të Teutës në Laç.

Nga ana tjetër, 21-vjeçari Gjumsi luajti në total 10 ndeshje, nga të cilat 3 herë si titullar me 418 minuta në total. Lojtari që më tepër luante si sulmues krahu, nuk arriti të shënojë asnjëherë, por u bë protagonist me disa asiste për gol. Gjithsesi, tashmë si Gjata dhe Gjumsi do të shikojnë të tjera mundësi për të vijuar karrierën.

AFRIMET – Trajneri Edi Martini e ka përmendur shpesh merkaton e janarit dhe fakt është që drejtuesit e klubit durrsak kanë nisur negociatat për të afruar disa lojtarë të spikatur, që e njohin mirë Superioren dhe mund të jenë efektiv te Teuta në pjesën e dytë të sezonit.

Nuk përjashtohet mundësia edhe e huazimeve, ndërsa synimi i klubit është afrimi i katër lojtarëve cilësorë. Teuta është i vetmi ekip në Superiore që ka preferuar vetëm lojtarët vendës, duke mos asnjë të huaj.

“E presim janarin me padurim, na duhen disa lojtarë për të kompletuar ekipin. Duhet freski, por edhe lojtarë që të mund të përballojnë Kategorinë Superiore”, ka thënë Martini kur është pyetur për merkaton. Teuta do të kërkojë që të mbyllë vitin në maksimumin e pikëve në dy ndeshjet e mbetura, e më pas klubi të nisë përforcimet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"