EKSKLUZIVE/ Skënderbeu merr bonus, ja sa para do të përfitojnë korçarët nga Këshilli Bashkiak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2024 | 8:36

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu merr bonus, ja sa para do të përfitojnë korçarët nga Këshilli Bashkiak

Bashkia Korçë vijon të mbajë një peshë kryesore sa i takon anës financiare tek ekipi i Skënderbeut.

skenderbeu

Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Korçës, këshilltarët votuan unanimisht pro për rritjen e fondit që çdo vit bashkia i akordon bardhekuqve suke e kategorizuar në zërin “dieta dhe shërbime”. Këtë vit me buxhetin e 2024 bashkia Korçë i ka akorduar klubit të futbollit Skënderbeu shumën prej 175 milionë lekësh të vjetra për 10 muaj aktivitet. Një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitin e mëparshëm kur korçarët luanin në kategorinë e parë kur fondi limit i akorduar nga bashkia ishte 137 milionë lekë të vjetër.

FONDI – Në kushte të tilla “Panorama Sport” ka zbardhur edhe zërat e këtij fondi duke mësuar se kjo shumë do të kalojë si pagesë mujore për lojtarët dhe stafin bardhekuq. Në total janë 30 persona të regjistruar dhe në përputhje me listën e federimeve të dorëzuar në Federatën Shqiptare të Futbollit që do të përfitojnë pagesë mujore prej 575 mijë lekësh. Në lidhje me pagesën nëpërmjet këtij fondi të dedikuar për ekipin e parë të klubit të futbollit Skënderbeu, bashkia Korçë merr përsipër pagesat për 10 muaj që lojtarët janë në aktivitet duke mos përfshirë dy muajt e pushimit gjatë verës kur kampionatet janë mbyllur.

Në kushte të tilla ndaj presidentit Ardjan Takaj që ka shumicën e aksioneve në klubin Skënderbeu vjen një ndihmesë jo e vogël nga ana e bashkisë që mban një peshë te rëndësishme sa i takon pagave të futbollistëve dhe stafit bardhekuq. Vite më parë Skënderbeu në futboll arrinte të merrte edhe 500 milionë lekë në vit.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"