EKSKLUZIVE/ Shihet si zëvendësuesi i Myrto Uzunit, sulmuesi i Laçit në “radarët” e Ferencvaroshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 14:36

EKSKLUZIVE/ Shihet si zëvendësuesi i Myrto Uzunit, sulmuesi i Laçit në “radarët” e Ferencvaroshit

Laçi, në përfundim të këtij sezoni historik në Superiore, mund të humbasë një nga “xhevahirët” e sulmit, Saliu Guindo, që me 16 gola bashkëkryeson me Taulant Seferin listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit.

GUINDO

“Panorama Sport” prej kohësh ka raportuar se sulmuesi nga Mali pëlqehet në Hungari, ku janë disa klube që e kanë në monitorim.

Nga burime pranë lojtarit gazeta ka mësuar se Ferencvaroshi mund të jetë një destinacion i mundshëm për 25-vjeçarin.

Guindo shikohet si zëvendësuesi i Myrto Uzunit te Ferencvaroshi, i cili gjithashtu hapin e madh në karrierë e hodhi kur u transferua nga Laçi te Lokomotiva e Zagrebit.

Përveç paraqitjes dhe shifrave të mira te Laçi, ajo që e bën tërheqëse Guindon te Ferencvaroshi është edhe fakti se ai mund të shkojë me parametër zero, pasi i përfundon kontrata me skuadrën e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro.

Si rregull, Guindo duhet të luajë edhe Kupat e Europës me kurbinasit, por mbetet për të parë se cilat do të jenë zhvillimet rreth së ardhmes së malianit.

Mësohet se drejtuesit e Laçit po bëjnë të pamundurën që të rinovojnë me Guindonë, i cili pa dyshim nëse nuk joshet nga Hungaria, do të vazhdojë me bardhezinjtë.

Kur erdhi në verën e shkuar te Laçi, sipas “transfermarkt”, vlera e Saliu Guindosë ishte 225 mijë euro, ndërsa aktualisht vlera e kartonit të tij ka shkuar në 400 mijë euro.

Laçi është një nga klubet që ka rezultuar më i suksesshmi në vitet e fundit në Kategorinë Superiore sa i përket menaxhimit dhe përfitimit nga shitblerjet e futbollistëve.

Kurbinasit po i kthejnë në traditë dhe stil pune “goditjet” në merkato, ku afrojnë futbollistë që u marrin rezultatet dhe njëkohësisht i promovojnë, u rritin vlerën dhe më pas i bëjnë gati për tregun e huaj.

Shembujt janë disa në sezonet e fundit, ku shitja më e freskët ishte Regi Lushkja, i cili në shkurt u transferua te Sherif Tiraspoli për rreth 350 mijë euro.

Përveç Guindosë, lakohen edhe disa titullarë të tjerë të Laçit si largime të mundshme në merkaton e verës.

GUINDO

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"