EKSKLUZIVE/ “S’e di përse nuk luaj titullar”, reagon goleadori Hoti: Fitoj titullin dhe largohem (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2023 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “S’e di përse nuk luaj titullar”, reagon goleadori Hoti: Fitoj titullin dhe largohem (E PLOTË)

Engjëll Hoti është ak tualisht shënuesi më i mirë i skuadrës së Partizanit. Fantazisti nga Kosova shënoi të gjashtin ndaj Teutës, duke kaluar Carën dhe Da Silvën në garën brenda familjes. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Hoti tregon për triumfin në Durrës, të cilin nuk e cilëson të lehtë. Ai flet edhe për të ardhmen e tij, ku pranon se kërkon largimin jashtë vendit.

engjell hoti

Si shkoi ndeshja dhe sa e vështirë ishte ndaj Teutës?

Ndeshja ishte e vështirë. Patëm pak probleme në fillim, por arritëm të stabilizoheshim shpejt dhe shënuam golin e parë. Më pas trajneri ndërroi skemën dhe në pjesën e dytë bëmë më mirë, e kontrolluam më mirë ndeshjen. Krijuam raste, shënova edhe golin dhe më pas erdhi qetësia.

U duk sikur Rexhepi dhe fati ju ndihmuan goxha në këtë ndeshje…

Po, edhe Teuta krijoi shumë raste, Rexhepi na ndihmoi shumë me pritjet e tij. Patëm edhe fat, sepse nëse ata do të shënonin për 1-1 do të behej shumë e vështirë. Kur shënuam të dytin u qetësuam.

Prej disa ndeshjesh nuk e keni nisur normalisht megjithëse jeni mes golashënuesve më të mirë të skuadrës. Çfarë po ndodh?

Të të them të drejtën nuk e di. Nuk e di çfarë po ndodh. Unë bëj punën time, nga ana ime jam në rregull, po jap maksimumin tim. Klubi ka planet e veta, unë bëj punën time. Kontrata me Partizanin mbaron pas dy muajsh, por unë e kam 100% fokusin këtu për të dhënë më të mirën time në ndeshjet që po aktivizohem. Të shohim çfarë po ndodh. Unë bëj punën time, klubi vendos, edhe trajneri vendos se kush luan dhe kush nuk luan. Nuk di çfarë të komentoj më shumë në lidhje me këtë temë.

Keni shënuar 6 gola deri më tani në Kategorinë Superiore, mund të themi se jeni brenda objektivave. E kishit parashikuar këtë shifër?

Të them të drejtën, po. Kur e kam parë ekipin që është shumë ofensiv dhe që me Kolelën bëjmë një lojë sulmuese, e kam menduar që do të kem mundësi të shënoj. Shpresoj shumë që këta gola të na ndihmojnë të shpallemi kampionë, sepse të shënosh dhe të mos shpallesh kampion, nuk ia vlen.

Me cilin nga afrimet e janarit merreni vesh më mirë në fushë?

Mba, Bilali dhe Selmani, që kanë luajtur deri më tani kanë treguar se janë futbollistë dhe djem shumë të mirë. Me Mbanë kam pasur një marrëdhënie disi më të ngushtë, pasi ai vjen nga Trepça në Kosovë. Kur ka ardhur kemi folur shumë së bashku, sepse na lidhnin më shumë gjëra. Por edhe me Selmanin dhe Bilalin jemi ambientuar shumë dhe na kanë shtuar cilësinë në ekip.

Është edhe një fazë nga fundi. Është Partizani i gatshëm të mos e lëshojë deri në fund vendin e parë?

Nuk ka rast më të mirë se ky që Partizani të shpallet kampion. Janë edhe nëntë finale për ne dhe mendoj se mundësi më të mirë se sivjet për t’u shpallur kampion, nuk kemi pasur.

Vjet u shpallët kampion me Tiranën. Sa bukur do të ishte që ta fitonit titullin edhe në anën tjetër të kryeqytetit, me Partizanin?

Do të ishte një kënaqësi ekstreme, ndjenjë superfantastike të shpallesha kampion me këto dy ekipe, veçanërisht për rivalitetin që kanë këto dy skuadra në Shqipëri. Do të ishte fantastike ta shihja edhe se si përjetohet titulli te Partizani.

Këtë herë rastisi që të luanit ju e më pas Tirana. Si është më mirë, të luash para apo pas rivalit direkt në javët e fundit?

Nuk ndikon shumë tek ekipi, por as tek unë personalisht. Nëse bën punën tënde, nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë të tjerët. Ne do të mundohemi të përfitojmë nga gabimet e rivalëve dhe të provojmë shkëputjen. Të shohim ndeshje pas ndeshjeje.

Tri pikë ndaj Egnatias në ndeshjen e radhës do të ishin shumë të vlefshme. Nuk ia vlen të mendojmë gjatë, më mirë të mendojmë javë pas jave. Tirana ka gjithashtu një ekip shumë të mirë dhe do të jetë e fortë.

Kontrata juaj aktuale përfundon në verë. Ku e shihni veten në sezonin e ardhshëm?

Fokusin aktualisht e kam 100% te Partizani deri në fund të sezonit. Nuk e di akoma se çfarë do të ndodhë pas fundit të kampionatit. Unë personalisht kam dëshirë të shkoj në një kampionat më të fortë. Në Tiranë më pëlqen shumë ambienti dhe qyteti, por normal që një futbollist gjithnjë kërkon të luajë në një kampionat më të fortë. Do të shohim se si do të shkojë deri në fund.

Ju ka ofruar Partizani rinovimin deri më tani?

Besoj se me klubin do të flasim në fund të sezonit. Në vazhdim do të shohim, sepse për momentin klubi ka të tjera prioritete. Do të shohim se si shkon deri në fund, por secili lojtar që luan në Shqipëri ka dëshirë të shkojë në një kampionat më të fortë. Nëse do të më vijë mundësi e mirë të shkoj jashtë, do ta mendoj. Te Partizani është ambient shumë i mirë, por normalisht që ashtu si të gjithë, edhe unë dua të luaj si titullar në çdo ndeshje. Do të shohim.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"