EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi! Pasojat e humbjes ndaj Partizanit, Longo pezullon mesfushorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2022 | 21:55

EKSKLUZIVE/ Plas te Kukësi! Pasojat e humbjes ndaj Partizanit, Longo pezullon mesfushorin

Te Kukësi nuk ka qetësi. Rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit kanë nxjerrë në pah edhe problemet në skuadër, teksa trajneri Longo ka gjetur edhe “fajtorin”.

ARDIT HILA

Bëhet fjalë për mesfushorin Ardit Hila, i cili është dërguar tek ekipi i 21-vjeçarëve në shenjë ndëshkimi.

Burime të besueshme në klub konfirmojnë për “Panorama Sport” se italiani dhe elbasanasi kanë pasur një debat ditët e fundit dhe tekniku ka vendosur “veton” për ta dërguar te skuadra që drejtohet nga Rrahman Hallaçi.

Deri në një vendim të dytë, Hila do të qëndrojë tek U-21 dhe gjasat janë që edhe në ndeshjen me Dinamon të mos jetë me skuadrën.

Madje, për ta përforcuar këtë fakt, mesfushori ka luajtur dje në kampionat me 21-vjeçarët, pikërisht me dinamovitët, ku ka qenë në fushë për 90 minuta të plota.

PËRPLASJA – “Panorama Sport” mëson se përplasja ka ndodhur para ndeshjes me Vllazninë, sepse Hila nuk u preferua nga Longo as për të qenë në pankinë, pasi për duelin me shkodranët e dërgoi në tribunë. Fillimisht u mor thjesht si një zgjedhje teknike, por nuk ka qenë ashtu.

Burimet pohojnë se zanafilla është shumë më herët, ku në ndeshjet e fundit mesfushori nuk është preferuar më si zakonisht, ku ka qenë një titullar i padiskutueshëm.

Kulmi ka arritur në disfatën e thellë ndaj Partizanit, ku elbasanasi ishte titullar dhe Longo e ka konsideruar si një ndër fajtorët për atë humbje.

Për ta dënuar, italiani e ka dërguar tek ekipi i 21- vjeçarëve, aty ku edhe po stërvitet aktualisht futbollisti. Rezultatet e fundit negative kanë sjellë edhe përplasjet dhe Hila është i pari që e pëson.

“XHOLI” – Në fakt, duket si ironi e fatit kjo që po ndodh me mesfushorin, pasi në gjysmën e parë të kampionatit ishte ai që ka mbuluar boshllëqet e skuadrës, duke u përdorur nga Longo si “xhol” thuajse në të gjitha repartet.

Nga një mesfushor tipik qendre, Hila shumë ndeshje i luajti si mbrojtës qendre, më pas u provua edhe mbrojtës krahu.

Në fund, u provua të bënte edhe sulmuesin, për shkak të nevojave të skuadrës, duke qenë edhe ndër lojtarët më të preferuar të Longos.

Tani, situata ka ndryshuar dhe Diego Longo jo vetëm që nuk po e preferon, por edhe e ka përzënë nga skuadra. Dikur në një “beniamin”, ndërsa sot ka përfunduar në i padëshiruar dhe shihet si fajtor për rezultatet zhgënjyese të Kukësit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"