EKSKLUZIVE/ Oferta për pesë titullarë, Takaj ka një plan për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2023 | 21:20

EKSKLUZIVE/ Oferta për pesë titullarë, Takaj ka një plan për Skënderbeun

Ecuria e Skënderbeut ka kaluar edhe përtej pritshmërive të drejtuesve të klubit korçar. Fakti që klubi është në katërshe pas 16 javësh dhe ka mundësi për të qenë në fund në “Final 4” është një hap i rëndësishëm dhe konfirmon zgjedhjet e bëra në verë.

skenderbeu

Drejtuesit janë duke menduar që tani për t’i dhënë mundësi trajnerit Ivan Gvozdenoviç, që jo vetëm ta ketë të plotë ekipin edhe për pjesën e dytë të sezonit, por mbi të gjitha për të afruar element të tjerë që do të mundësojnë rritjen e forcës së korçarëve.

Burime të sigurta në klub, bëjnë me dije për “Panorama Sport” se presidenti Ardian Takaj dhe drejtori sportiv, Ardi Gjançi, kanë vendosur “embargo” sa u përket largimeve të lojtarëve në merkaton e janarit.

Pritet që Takaj të mos lejojë asnjë largim në këtë hapësirë merkatoje, duke shtyrë bisedimet për një transferim të mundshëm në fund të kampionatit.

Ideja është që të mos e dobësojë ekipin, që në këto momente është duke funksionuar mjaft mirë dhe mbi të gjitha të ruajë balancat e vendosura nga Gvozdenoviç.

Kjo është diçka mëse e mundshme për bardhekuqtë, duke u nisur nga fakti që të gjithë lojtarët kanë kontrata afatgjata me Skënderbeun dhe nuk rrezikon t’i humbasë me parametër zero.

Madje nga ana tjetër, kreu i klubit është i vendosur që të përforcojë ekipin me element të tjerë që mund t’i hyjnë në punë trajnerit serb për të synuar “Final 4”, që në këto momente nuk mund të thuhet se është një ëndërr për korçarët.

INTERESIMET PËR LOJTARËT

Duke u fokusuar tek merkatoja që po afron, duket se pas paraqitjeve mjaft të mira, në adresë të korçarëve kanë mbërritur gjithashtu ofertat e para për lojtarë të caktuar.

Nga burimet e para pranë klubit, mësohet se ekipet e interesuara janë kryesisht të huaja, por nuk mungojnë as oferta nga brenda Superiores, që kërkojnë të fusin në tratativë edhe shkëmbime lojtarësh, plus shuma financiare për emra të veçantë, që po spikasin te Skënderbeu.

Të njëjtat burime tregojnë për gazetën, se ofertat kanë qenë konkrete, duke nisur nga porta, në drejtim të Marko Alias, që po tregon cilësi në katërkëndëshin e Skënderbeut.

Një klub turk, emri i të cilit mbahet sekret nga Skënderbeu për efekt tratative, ka pasur interesim konkret për portierin.

Për të vijuar më pas me mesfushorin Dean Liço dhe gjithashtu tre lojtarët e grumbulluar nga Kombëtarja Shpresa si Ermir Rashica, Ardit Nikaj dhe Rei Pecani, të cilët kanë pasur hapësirat e duhura qoftë me Skënderbeun, ashtu edhe nga trajneri i U-21, Alban Bushi.

Megjithatë, duket se largimet pritet që të shtyhen në fund të sezonit. Të paktën ky është plani i Ardjan Takajt sa i përket menaxhimit të futbollistëve të Skënderbeut në merkaton që po afron.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"