EKSKLUZIVE/ “Nuk u pendova që u largova nga Partizani, më mirë në Uzbekistan”, Da Silva: “Demat” me treshe shkatërruese, shoh vazhdimisht golin në derbi për të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 21:24

EKSKLUZIVE/ “Nuk u pendova që u largova nga Partizani, më mirë në Uzbekistan”, Da Silva: “Demat” me treshe shkatërruese, shoh vazhdimisht golin në derbi për të…

Partizani shkon në këtë derbi të së premtes ndaj Tiranës në stadiumin “Air Albania” me një “armë” më pak, që vjet rezultoi vendimtar në derbin e fundit. Viktor da Silva, me dëshirën e tij, por edhe të vetë klubit, la kampionët në muajin dhjetor, për tu transferuar te skuadra e Nasaf Qarshi në Uzbekistanin e largët. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, golashënuesi i vjetshëm i të kuqve, rrëfehet gjerë e gjatë.

DA SILVA

Braziliani tregon dallimin e madh mes dy vendeve, teksa ndalet më së shumti te Partizani, të cilin e sheh në vështirësi. Da Silva piketon edhe “tridentin” më të frikshëm të sulmit të “demave”. 29- vjeçari nuk është aspak dakord me skemën që po aplikohet në Superiore në këtë sezon.

Viktor, si po ju shkon aventura e re në Uzbekistan?
Gjithçka po shkon shumë mirë. Gjatë kësaj kohe jam ende duke punuar për tu përshtatur me mënyrën sesi luhet futbolli këtu. Por në përgjithësi ndihem i kënaqur dhe jam i lumtur.

Cili është dallimi me Shqipërinë?
Diferenca sa i përket futbollit është shpejtësia e lojës. Këtu në Uzbekistan deri më tani intensiteti është shumë i lartë në stërvitje dhe në ndeshje. Sa i përket infrastrukturës janë shumë përpara. Nuk të lënë asnjë mangësi. Pas stërvitjes kemi në dispozicion sauna, pishinë, vaskë me akull. Të gjitha këto kushte të bëjnë të ndihesh më i qetë mendërisht. Ka gjithçka që i duhet një futbollisti. Ne na mbetet vetëm të zbresim në fushë dhe të bëjmë më të mirën.

Do ta mendonit rikthimin në Kategorinë Superiore në të ardhmen?
Jetës nuk i dihet asnjëherë. Nuk përjashtoj asgjë, sepse kam kaluar mirë në Shqipëri, ndaj do të isha lumtur nëse një ditë do të kthehesha.

Ndjeni keqardhje për largimin, do të donit të luanit në këtë derbi?
Jo, nuk jam penduar. Mendoj se cikli im në Shqipëri u mbyll me triumfin në Kategorinë Superiore. Kisha fituar thuajse gjithçka në Shqipëri, kisha arritur objektivat personale dhe ekipore dhe po kërkojë një zgjidhje për tu larguar. Fakti që isha nën kontratë ma bëri të vështirë, por isha i bindur se kisha nevojë për një sfidë të re, në një kampionat tjetër. Sa i përket derbit, ajo ndeshje ka qenë gjithnjë e veçantë. Çdokush donte ta luante, edhe nëse ishte i dëmtuar. Ata që nuk kanë luajtur në një ndeshje të tillë, nuk do t’i kuptojnë asnjëherë përjetimet e atyre betejave.

Keni luajtur disa derbe ndaj Tiranës dhe në njërin prej tyre keni shënuar gol. Çfarë mbresash ju kanë lënë ato ndeshje?
Po, shënova në derbin e fundit të sezonit të shkuar. Ajo ndeshje kishte rëndësinë e saj, pasi kishin mbetur edhe disa ditë deri në mbyllje të kampionatit. Fatmirësisht, ai gol më pas kontribuoi në fitoren e titullit kampion. Pra, është një gol special, të cilin e rishoh herë pas here, vetëm për të dëgjuar brohorimat e tifozëve pasi topi prek rrjetën.

A ruani ende kontakte me ish-shokët e ekipit?                                                                                              Po, i shoh edhe ndeshjet e Partizanit sa herë e kam të mundur. Herë pas here bisedoj me Kristianin (Mba) dhe Saliun (Sembene). Ata janë djemtë me të cilët kam qenë më i afruar, sepse më bënin gjithnjë për të qeshur. Janë djem të mirë edhe jashtë fushës.

Cili prej lojtarëve të të kuqve mendoni se e ka aftësinë për ta vendosur këtë derbi?               Me sa kam parë, skuadra është paksa në vështirësi. Nuk po arrijnë të dalin në lojën e tyre dhe rezultatet nuk po i ndihmojnë. Por derbi është një ndeshje e veçantë dhe nuk ka nevojë për motivim.

Për mua, nëse Mba, Skuka dhe Bintsuka janë mirë fizikisht dhe do të luanin së bashku, do të ishin “shkatërrues” për kampionatin e Shqipërisë. Më duhet të shtoj edhe Maget, i cili tani është kthyer në një pikë referimi në ekip për cilësitë e tij teknike dhe personalitetin që tregon në fushën e lojës.

Keni besim se kryeqyteti do të ngjyroset i kuq edhe këtë herë?                                                             Do të më pëlqente që në radhë të parë të luhej një ndeshje me futboll të bukur dhe shumë raste shënimi. Padyshim do të ndihesha i lumtur nëse Partizani do të fitonte.

Cili mendoni se është lojtari më i mirë me të cilin keni luajtur në Shqipëri te Vllaznia dhe Partizani?                                                                                                                                                                    Janë katër lojtarë, që më kanë lënë mbresë. Më ka pëlqyer shumë Latifi te Vllaznia, sepse bënim një lojë që i përshtatej dhe kishte krah tij lojtarë që e nxirrnin në pozicionet e duhura për të qenë rrezik i kundërshtarëve.

Te Partizani, Hadroj dhe Matondo më dhanë një qetësi të madhe dhe siguri në fushë. Kur e kishin topin në këmbë dinin çfarë të bënin dhe nuk bënin thuajse kurrë gabime. Gjithashtu, pa top ishin rikuperues shumë të aftë. Më pas Mba, me të cilin kur luajtëm si dyshe sulmuese, e kuptuam shumë mirë njëri-tjetrin dhe shfrytëzuam në maksimum karakteristikat tona. Ishim të ndryshëm, por plotësonim njëritjetrin dhe përshtateshim në perfeksion në lojë.

Ndaj cilit kundërshtar kanë qenë gjithnjë të vështira ndeshjet?                                                        Tirana ka qenë gjithnjë kundërshtari më i vështirë, si te Vllania, ashtu edhe te Partizani. Them kështu, sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme dhe të bukura për tu luajtur. Në ato beteja të gjithë lojtarët japin më të mirën dhe kërkojnë të spikasin.

Si ju duket skema e “Final 4”, penalizohet Partizani?                                                                            Për mendimin tim modest, them se Kategoria Superiore është kthyer në një ligë pa motivim për skuadrat që kanë përfunduar gjithnjë në vendet e sipërme të klasifikimit. Nuk ka rëndësi nëse humbet apo fiton, sepse ke shanse të mëdha për të përfunduar në vendin e katërt dhe automatikisht ke shanse edhe për të fituar titullin. Skuadra që arrin e para është më e penalizuar.

Penalizohen edhe tifozët, të cilët mbase çdo të diel do të duan të shohin ndeshje më “serioze” dhe presioni i pikëve në formulën normale e ndihmon këtë. Gjithsesi, tashmë gjithçka është vendosur dhe mbetet për tu parë sesi do të mbyllet kampionati.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"