EKSKLUZIVE/ Nga lotët te takimi me Stërmasin, flet kampionia Luiza Gega pas natës magjike: Emocione të forta, medaljen do t’ia dhuroj…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2022 | 17:28

EKSKLUZIVE/ Nga lotët te takimi me Stërmasin, flet kampionia Luiza Gega pas natës magjike: Emocione të forta, medaljen do t’ia dhuroj…

Pas rezultatit historik si kampione e Eu ropës me rekord, Luiza Gega ka rrëfyer emocionet e garës në Mynih. Në një intervistë për “Panorama Sport”, atletja kuqezi tregon me detaje gjithçka nga ajo mbrëmje magjike, ku bëri krenar një komb të tërë. “Në çdo hap imagjinoja finishin dhe ishin emocionet më të forta të karrierës”, thotë Luiza, duke rrëfyer gjithashtu edhe takimin emocionues pas garës me trajnerin Taulant Stermasi, të cilit i dedikon edhe triumfin si dhe do t’i dhurojë edhe medaljen e artë.

luiza gega 3

Luiza, besonit shumë te ky triumf dhe e arritët atë me një paraqitje thjesht perfekte. Si do ta përshkruani finalen?

Po, në fakt ia dola dhe nuk di ta përshkruaj se sa e emocionuar jam për këtë arritje. Kam punuar jashtë mase shumë, e doja një medalje të tillë, pasi më mungonte një medalje ari në Europian. Ka qenë një vit vërtetë i suksesshëm në rezultate. Ne bëmë edhe një intervistë para garës se çfarë pretendoja dhe ndoshta, edhe pse nuk e thosha me zë të plotë që do të merrja medalje ari, sepse doja ta prekja, sigurisht që e dija se ishte e arritshme, pasi kam pasur vërtetë një stabilitet të madh. Jam shumë e lumtur që ia dola. E kërkova që në fillim, u mundova të bëj një strategji gare, të cilën e vendosëm që në fillim bashkë me trajnerin. Në çdo hap që hidhja imagjinoja vijën e finishit dhe emocionin që do të më jepte. Imagjinoja të gjithë atë sakrificën e madhe që unë kam bërë për vite të tëra dhe që mund të shpërblehej me një emocion shumë të madh, që ndoshta edhe shpreha në mënyrë shumë të natyrshme, pasi kalova vijën e finishit.

Në fund ju pamë në lot gëzimi, momente që kanë emocionuar gjithashtu miliona shqiptarë…

Ishin emocione që nuk mund t’i mbaja dot, sepse kam punuar jashtëzakonisht shumë. Gjithashtu isha e vetmja sportiste shqiptare në atë stadium dhe u ndjeva kaq krenare për veten time, për trajnerin, për familjen. U ndjeva kaq shumë krenare që jam nga Shqipëria dhe që arrita të valëvis flamurin tonë në atë stadium të mbushur plot me njerëz. Kanë qenë emocionet më të mëdha të jetës sime, që mund të kem përjetuar ndonjëherë, duke u ndier kaq shumë krenare që jam shqiptare.

luiza gega 5

Kujt ia dedikoni këtë sukses të jashtëzakonshëm?

Familja është mbështetja ime kryesore, që më përkrah në çdo hap e çdo vendim timin dhe sigurisht që pa ta nuk mund të arrija asgjë. Por këtë sukses dua t’ia dedikoj personit që sakrifikon bashkë me mua, çdo ditë, në stërvitje, ku lodhet njësoj si unë, që është trajneri im. Jemi lodhur të dy bashkë shumë, kemi besuar të dy bashkë që mund t’ia arrinim dhe kjo është arsyeja përse dua që t’ia dedikoj trajnerit të gjithë këtë. Madje i kam premtuar që edhe medaljen të cilën unë do të marr sot (dje), ta mbajë ai si kujtim. Ai nuk dëshiron që ta mbajë, por dua vërtetë që t’ia dhuroj, t’i lë një kujtim, sepse sigurisht që pa trajnerin nuk do të isha sot këtu. Jam shumë mirënjohëse dhe e lumtur që Zoti më ka dërguar pikërisht në personin që ka besuar tek unë që në fillim dhe ka punuar jashtë mase fort në çdo detaj që unë të jem kjo që jam sot dhe t’i përjetoj këto emocione. Besoj që nuk do të isha as sportiste nëse nuk do të ishte sakrifica e trajnerit që në fillim, duke më ndjekur në çdo hap.

Ndryshe nga kundërshtaret, që në aktivitete të tilla vijnë me stafe të plota, në Mynih Shqipëria përbëhej nga dy persona, nga ju dhe trajneri Taulant Stermasi…

Për fat të keq për pjesën e stafit, ku jemi vetëm unë dhe trajneri, të them të drejtën gjithmonë jam ndier keq. Ndihem keq edhe për faktin që trajneri duhet të bëjë jo vetëm trajnerin, por edhe masazhatorin apo fizioterapistin. Nuk kam asnjë që të kalojë qoftë edhe atë pjesën e kohës që më duhet të qëndroj në hotel dhe shpeshherë edhe mërzitem. Por unë kam marrë parasysh çdo gjë, pasi kështu e kam nisur sportin dhe nuk është se pres që gjërat të ndryshojnë. Për fat të mirë nuk është se e ndiej tani kaq shumë nevojën, sepse kam vite që këto aktivitete i kaloj vetëm me trajnerin. Siç e thashë, ai bën edhe fizioterapistin shumë mirë për mua, m’i njeh shumë mirë muskujt. Tani edhe sikur të kem një fizioterapist, le të themi nuk ia besoj veten para garës, sepse ndoshta nuk më njeh, pasi fizioterapisti duhet të jetë gjatë gjithë kohës me mua, në stërvitje dhe në garë, që ta njohë mirë strukturën time muskulore. Pra janë disa detaje që tashmë për fat të keq edhe sikur ta kisha nuk do t’ia besoja njeriu tjetër. Sigurisht u ndjeva keq edhe për pjesën tjetër pas garës, ku dhashë intervista vetëm për media të huaja, pasi nuk kisha asnjë gazetar nga Shqipëria që të rrëfeja ato emocionet e momentit. Gjithsesi, prapë jam shumë e emocionuar edhe tani që flas. Le të themi këto janë thjesht disa gjëra të vogla që ndoshta më mërzisin pak, por nuk do t’i quaja kaq të rënda.

Si ka qenë momenti i parë i takimit me trajnerin si kampione e Europës?

Me trajnerin bëmë një strategji gare që ai do të rrinte te starti, ndërsa finishi është në krahun tjetër të pistës. Kështu që nuk pata mundësi direkt që t’i ndaja emocionet me të, por për fat të mirë kisha disa shqiptarë aty që kishin ardhur për të parë garën, të cilët ishin me flamur me vete dhe ma dhanë. Po kërkoja për trajnerin, por që iu desh pak kohë që të vinte në vijën e finishit. Ishin emocione shumë të mëdha. “Ia dolëm”, këtë i thamë njëri-tjetrit kur u takuam, pasi për këtë kishim ardhur. Trajneri më tha se e dinte që do të fitoja dhe se ishte plotësisht i bindur. Sigurisht që edhe ai e ka përjetuar shumë, sepse, siç e thashë, edhe ai lodhet jashtëzakonisht shumë, sikurse unë.

luiza gega

Gjithnjë keni qenë e kujdesshme në intervistat para garave, por para finales këtë herë sikur e ndjenit që do të fitonit…

Jam vërtetë e kujdesshme në atë që deklaroj dhe kurrë nuk i them objektivat nëse nuk i kam të realizueshëm. Nuk dua të zhgënjej veten time, sepse jam tip që i përjetoj shumë gjerat, sidomos zhgënjimet. Por kam pasur një vit vërtetë shumë të mirë. Me rezultate të njëpasnjëshme, që të bëjnë të besosh se çfarë ke mundësi të arrish. Nuk thashë se do ta marr medaljen, por që mundësitë ishin për ta fituar atë. Mundësitë i kisha 100%, pavarësisht se vajza nga Anglia kishte një kohë pak më të mirë se imja, por për të kishte qenë e vetmja garë e mirë, të cilën e kishte realizuar në ‘Diamond League’, evente ku organizatorët vendosin një ‘pacemaker’ për të mbajtur një ritëm të caktuar. Ndërsa unë gjatë sezonit nuk bërë një garë të tillë, sepse jam fokusuar te garat ku kam përfaqësuar flamurin shqiptar. Kështu që e dija se i kisha mundësitë për ta mundur. Në fakt edhe stërvitjet më kanë shkuar shumë mirë, të cilat kanë qenë më të mirat e jetës sime. Janë pikërisht këta faktorë, që të japin edhe besimin që mund t’ia arrish. Por kurrë, edhe nëse ke diferencë të madhe në kohë me rivalet, nuk mund të jesh e bindur për medaljen, sepse gara ka shumë të papritura, siç mund të jenë një pengesë, një bukosje apo një rrëzim që mund të dërgojë nga vendi i parë në të fundit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"