EKSKLUZIVE/ “Mur” kundër kushëririt, portieri Dajsinani: Cara nuk më mban inat, e ardhmja… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 19:10

EKSKLUZIVE/ “Mur” kundër kushëririt, portieri Dajsinani: Cara nuk më mban inat, e ardhmja… (E PLOTË)

Mario Dajsinani ishte një arsye e madhe e fitores së Laçit në minutat e fundit ndaj Partizanit në stadiumin “Arena e Demave”. Gardiani kavajas bëri disa pritje të jashtëzakonshme, veçanërisht ndaj Rrapajt dhe… Carës. Jo shumë veta e dinin se ky i fundit është kushëriri i parë i portierit të Laçit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, gardiani tregon detajin mjaft interesant, si dhe zbulon më shumë rreth marrëdhënies me Tedin, që duket se inatin e lë në fushë.

dajsinani

Ndeshje e jashtëzakonshme me pritje vendimtare. Sa i kënaqur jeni me këtë paraqitje të zhvilluar ndaj Partizanit?

Në radhë të parë më vjen mirë që ndihmova ekipin në momente të vështira. Normalisht që pas gjithë përpjekjeve trepikëshi ishte si qershia mbi tortë. Na ndihmon shumë për ecurinë në vazhdim. Shpresojmë të bëjmë mirë në ndeshje të tjera dhe të vazhdojmë atë që nisëm ndaj Partizanit.

Duket sikur Carës ia keni marrë dorën, sepse e keni ndalur vazhdimisht. Jeni të dy kavajas, mos njiheni më parë?

Jemi kavajas dhe jemi kushërinj të parë gjithashtu, djalë halle dhe djalë daje njëherazi. Nuk e di çfarë të them në lidhje me këtë, por duket sikur më ecën mbarë përballë tij.

Ka shanse t’ju flasë Cara në ditët në vazhdim?

Nuk mbajmë mëri (qesh). Tani pas ndeshjes do të jemi bashkë.

I kishit studiuar lojtarët e Partizanit për mënyrën sesi gjuajnë, sepse bllokuat gjithçka përveç atij momenti të Mensah?

Ne i shikojmë gjithnjë në video-analizë lojtarët dhe skuadrat kundërshtare. Mundohemi të marrim të gjitha detajet, që na ndihmojnë për të fituar ndeshjet.

Sa ju ndihmon psikologjikisht kjo fitore pas një periudhe luhatjesh në javët e fundit?

Na ndihmon shumë, sepse të fitosh ndaj Partizanit në ndeshje jashtë fushe është një shtytje goxha e madhe psikologjike. Gjithashtu na ndihmon për pikët, për të cilat kemi shumë nevojë. Keni disa sezone që luani në nivele të larta në Superiore.

E prisni hapin e madh drejt një lige më cilësore?

Shpresoj të bëj sa më mirë në këtë sezon me Laçin, ta ndihmoj sa më shumë skuadrën për të plotësuar objektivat. Më pas të shikojmë.

Luani me Dinamon në mesjavë për Kupën e Shqipërisë. Sa të vështirë e prisni këtë betejë?

Sigurisht që e pres të vështirë, sepse është ndeshje teke. Dinamo ka kualitetet e saj, por ne do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje, sepse mendoj se i kemi të gjitha mundësitë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"