EKSKLUZIVE/ Mbi 1 miliard lekë detyrime në Tatime, Flamurtarit i bllokojnë edhe… autobuzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 19:35

EKSKLUZIVE/ Mbi 1 miliard lekë detyrime në Tatime, Flamurtarit i bllokojnë edhe… autobuzin

Flamurtari, i zhytur në borxhe në Tatime. Prej një viti, klubi vlonjat nuk po paguan asnjë qindarkë për sigurimet shoqërore të lojtarëve dhe kjo problematikë ecën paralel me moslikuidimin e pagave.

flamurtarii

Burime të besueshme pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Vlorë konfirmojnë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se deri më tani, borxhi për detyrimet tatimore ka shkuar rreth 110 milionë lekë të rinj, ose shprehur ndryshe në të vjetra, në mbi 1 miliard lekë.

Situata sa vjen dhe rëndohet për shkak se nuk ka asnjë shenjë për një marrëveshje të re, për t’i paguar detyrimet me këste. Mësohet se kur është mbushur shuma e 1 miliard lekëve, Drejtoria e Tatimeve ka vendosur në dijeni klubin për situatën dhe ka kërkuar që të lidhnin një aktmarrëveshje për pagesën e detyrimeve me këste, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Burimet konfidenciale i thanë gazetës se Flamurtari paguan detyrime shumë të larta në Tatime për sigurimet shoqërore, për shkak se deklaron paga të larta. Po këto burime thanë se pagesa minimale e një lojtari në muaj për sigurimet shkon në 220 mijë lekë të vjetër. Por, nuk janë vetëm sigurimet shoqërore. Klubi paguan shumë edhe për taksat personale të futbollistëve, pasi tatimi mbi të ardhurat personale është i lartë. Në këto kushte, situata mbetet shumë e nderë dhe nuk dihet sesi do të vijojë kjo histori.

LLOGARITË – Flamurtari është me llogari bankare të bllokuara. Prej një viti klubi nuk paguan detyrimet në Tatime dhe në këto kushte janë bllokuar llogaritë. Vlonjatët nuk mund të bëjnë asnjë transaksion apo veprim bankar. Historia e llogarive nuk është e panjohur në Vlorë. Shpesh në kohën e Idrizit, llogaritë janë bllokuar për shkak të problemeve me pagesat, por atëherë situata zgjidhej, pasi klubi paguante me këste.

Drejtuesit kishin lidhur një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me mbi pesë këste në vit, por kësaj herë nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe si rrjedhojë nuk dihet se sa do të zgjasin të bllokuara llogaritë bankare. Në të tilla kushte, pa paguar sigurimet shoqërore, nuk mund të bëhet asnjë pagesë e klubit për borxhet e sezonit të shkuar dhe asnjë detyrim tjetër ndaj të tretëve.

TË BOLLOKUAR KUDO

Flamurtari nuk është i bllokuar vetëm në Tatime apo në banka. Klubi vlonjat nuk mund të marrë asnjë shërbim as në të tjera institucione. Flamurtarit i janë bllokuar veprimet edhe në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. Kështu, asnjë automjeti në emër të klubit nuk i jepet shërbim, duke mos lejuar pagimin e taksave apo edhe kolaudimin e mjetit.

autobuzi

Gjithashtu, Flamurtari është i bllokuar edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Nëse do të kenë nevojë për të bërë ndonjë veprim me pronat në ZVRPP, qoftë edhe për të marrë një vërtetim, klubit nuk mund t’i jepet shërbimi. Ashtu sikundër janë të bllokuara edhe veprimet e tjera nëse klubi mund të ketë në plan për t’i bërë, si: të ndërtojë kompleks sportiv apo të kryejë investime të ngjashme, apo për të kryer ndonjë ndërtim tjetër apo legalizim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"