EKSKLUZIVE/ Martini rikthehet te Teuta: Me Kukësin fitoj si vjet, kjo ndeshje është e skuadrës dhe jo e imja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 9:10

EKSKLUZIVE/ Martini rikthehet te Teuta: Me Kukësin fitoj si vjet, kjo ndeshje është e skuadrës dhe jo e imja

Edi Martini është zyrta rizuar vetëm të hënën si trajneri i ri i Teutës. Shkodrani, në fakt, emërohet për herë të pestë në karrierën e tij në stolin e durrsakëve, nga i cili ishte larguar në mbyllje të edicionit të kaluar për t’i bërë vend Diego Longos. Pas zyrtarizimit, në një intervistë për “Panorama Sport”, Martini flet për rikthimin dhe çfarë e bindi të ishte sërish aty ku bëri historinë. Ai shprehet se e sotmja ndaj Kukësit në “Niko Dovana”, është ndeshja e skuadrës dhe jo e tij. Martini thekson se ka besim te ky ekip dhe se ka gjetur djem me shumë dëshirë e grintë.

EDI MARTINI

Vetëm tre muaj larg klubit. Duket sikur Teuta dhe Martini nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin…

Është një kënaqësi kur të vlerëson ai klub, ku ke punuar. Unë jam në një klub, ku kam fituar gjithçka. U riktheva, sepse e shoh dhe e ndiej që djemtë janë po ata. Ka pasur edhe ndonjë largim, por kanë ardhur dhe djem të rinj të talentuar. Jam besimplotë se të gjithë së bashku do të bëjmë mirë.

Si ju duket skuadra në këto seanca të para stërvitore?

Shumë mirë, djemtë janë të karikuar dhe me shumë dëshirë. Normalisht që nuk kemi ndoshta atë eksperiencën e vjetshme, por kemi intensitet më shumë, grintë më shumë, por dhe dëshirë më shumë. Jam i sigurt se Teuta së shpejti do të rikthehet fitimtare.

Vetëm 48 orë për të përgatitur Kukësin. Çfarë prisni?

Kjo është ndeshja e djemve, nuk është ndeshja ime. Këta djem duhet të shohin çfarë kërkojnë te vetja, duhet të shohin veten gjithsecili se sa kanë për të dhënë. Kjo është ndeshja e djemve, jo imja.

Si është gjendja e skuadrës vetëm 24 orë parë ndeshjes me Kukësin?

Gjendja është normale, sigurisht që nga ana psikologjike jemi shumë mirë. Mendoj se psikologjia është ajo e duhura për të përballur kundërshtarin.

Sezonin e shkuar e morët ekipin me 8 pikë dhe vetëm në fund humbët shansin për Kupat e Europës. Këtë sezon e merrni me 4 pikë më pak. Si e shihni?

Koincidenca është që edhe herën e fundit jam kthyer para ndeshjes me Kukësin dhe kemi fituar. Shpresoj që të ndodhë edhe herën e dytë e njëjta gjë, pasi unë për vete jam supersticioz.

Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?

Jemi vetëm në fazën e ndeshjeve të para të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është shumë i luftuar dhe duhet të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"