EKSKLUZIVE/ E akuzoi si shkatërrimtar të Flamurtarit, Idrizi i kthehet Kushtës: Dështoi si drejtor i klubit, u bë “klloun” i Dukës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 22:14

EKSKLUZIVE/ E akuzoi si shkatërrimtar të Flamurtarit, Idrizi i kthehet Kushtës: Dështoi si drejtor i klubit, u bë “klloun” i Dukës (E PLOTË)

K reu i klubit Flamur tari, Sinan Idrizi, i kthen përgjigje Sokol Kushtës për akuzat e ngritura së fundmi pas një reagimi në “Facebook”. Në një prononcim të gjatë për “Panorama Sport”, Idrizi ka sqaruar gjerë e gjatë çdo deklaratë të ishfutbollistit. Ai sqaron se iu drejtua Kushtës me qëllim që të hapte një debat me vlera, por nuk i rezultoi kështu. “Ai ka bërë një deklaratë dje (pardje) që ju e keni vendosur si kryelajm në gazetë. 

kushta-idrizi

Nëse është një kryelajm, është një histori e Sokolit, nuk është ndonjë problem i madh ky. Kur këtë historinë bashkë që filluam po flisnim, unë duke iu drejtuar Sokolit, mendoja se ishte njeri që vinte nga një histori familjare qytetare, intelektualësh. Kisha zgjidhur pikërisht këtë që ishte një familje intelektualësh që të hapnim një debat për atë që quhet njohja e vlerave edukative dhe sociale për çështjet e aktiviteteve sportive, duke i kërkuar ndihmë, pasi unë e di shkallën intelektuale të Sokolit. Mendoja se do të hapnim një debat cilësor lidhur me mbështetjen nga Këshilli Bashkiak.

Duke e ndarë në dy pjesë, si futbollist i shquar që na ka bërë krenarë dhe sot njeriu hermafrodit, këshilltar i Këshillit Bashkiak Vlorë. Them hermafrodit, sepse ishte i paqartë në qëndrimet e tij. Në këtë rast unë nuk e fyeva Sokolin, thjesht i kërkova që të pozicionohet qartë në rastin e konkurrencës që Flamurtari ka brenda llojit të tij.

Përgjegjësitë e humbjes së Flamurtarit i ka të gjitha Sinan Idrizi dhe unë nuk jam fshehur asnjëherë. Megjithëse si qytetar Sokoli nuk njeh asnjë vlerë tashmë në historinë e qytetit, unë e përsëris që nuk harxhoj fonde publike.

Di që Sokol Kushta mua më akuzon për gënjeshtar. Në rregull, është opinioni i tij. Nuk ka asgjë të keqe. Unë di që Sokol Kushta e ka menaxhuar Flamurtarin, ka qenë drejtor i klubit. Nëse ai tani vuan edhe nga një sëmundje lobotomie dhe ka halucinacione, këto janë problemet e tij, jo të miat. Nuk është gënjeshtër të thuash që ke qenë te Flamurtari dhe nuk ke pasur ndonjë rezultat si menaxher. Ose kështu e di unë. Nëse nuk ka qenë te Flamurtari, nuk ka qenë drejtues, atëherë i kërkoj ndjesë. Unë tani mësova me këtë deklaratë të tij që përveçse fyerjet që do t’ia kthej një ditë tjetër në masën ‘m’ në fuqi të 16-të, është një histori tjetër, nuk dua që ta fyej…

Unë pashë një gjuhë halabaku të një njeriu, që nuk i kishte hije ajo që ai është tani për momentin. Unë nuk doja ta fyej, por t’i kujtoj dhe t’i them të lutem mos u bëjë palë me ata që prishin garën sportive. Nëse ti mendon që Flamurtari në këto 20 vjet nuk ka pasur probleme drejtpërdrejt si target Armand Duka, atëherë nuk ka asgjë të keqe.

Domethënë ne nuk na kanë hequr kampionat, nuk na kanë persekutuar, FSHF-ja me ne ka qenë korrekte, ky është mendimi i Sokol Kushtës dhe kaq. Unë e kuptoj që ai është i vendosur qartë në pozicionin e tij”, shprehet Idrizi.

INVESTIMI DHE AKUZAT – Sinan Idrizi flet edhe në lidhje me investimin e fushave nga ana e Kushtës. Sa i përket akuzave të për Pyllin e Sodës, presidenti i Flamurtarit thotë se nuk ka nevojë për prona. “Gjëja më interesante, më e bukura që dëgjova nga Sokoli, është që në investimin që do të bëjë në akademinë e tij do të jetë investimi i gjithë privat, 100%. Këtu do t’i qëndroj pas, këmba këmbës kur i thonë.

Do të shikoj nëse do të harxhojë ai një dollar nga fondet publike apo jo. Domethënë këshilltari socialist i Bashkisë së Vlorës, do të kërkojë të përfitojë terrene publike pa harxhuar lekët e tij? Do të marrë lekët e taksapaguesve shqiptarë, apo jo? Këtu do të jemi, bashkë. Sfida e tretë për Sokolin, meqë unë dashkam dhe ia paskam vënë syrin Pyllit të Sodës… E ftoj që ta marrë ai në pronësi, ta fillojë ai ta bëjë projektin e Pyllit të Sodës. Që nga ky moment ia vë unë në dispozicion.

Nëse ka mundësi, ta bëjë këtë gjë. U futëm në një kacafytje që doli jashtë kontekstit me fyerjet e tij. Unë nuk kam ndërmend të marr prona. Unë mund të blej prona ku të dua dhe ku të dëshiroj. Nuk është turp të blesh apo të shesësh prona. Unë thjesht dua që të investoj në sport. Ai tashmë është pozicionuar në rolin e klounit të Armand Dukës në Vlorë. Nuk ka asgjë të keqe, le ta bëjë klounin. Secili në jetë merr përsipër të jetë dikush. Ky e ka ndarë mendjen tashmë në pozicionin e tij”.

VOTA PËR DUKËN – “Pjesa tjetër që paskam votuar unë për Armando Dukën tri herë… Nuk e di çfarë aritmetike ka. E para e punës, unë vetëm një herë kam marrë pjesë në votime. Atë ditë që kam marrë pjesë në votime e kam çuar në prokurori për falsifikim të shoqatave.

Por Koli si duket nuk e di ku jeton. Më vjen tmerrësisht keq, por ndoshta nuk e di nga çfarë sëmundje vuan. Po të paktën, ai që i shkruan statuset ta ndihmojë dhe t’i thotë që Sinan Idrizi ka marrë vetëm pjesë një herë dhe atë vit që ka shkuar e ka çuar zotin Duka në prokurori për falsifikim firme. Nuk kam votuar tri herë unë or mik thuaji, kam votuar vetëm një herë (qesh)”, vijon Idrizi.

ANKANDI – Kushta tha se Idrizi nuk dëshiron që të hapet ankand për Flamurtarin. Sipas Idrizit, Kushta nuk e di se çfarë është ankandi. “Që të jemi të qartë, e di pse ndihem tmerrësisht i dëshpëruar… Turqit kanë një shprehje, që një mall që vlen 10 cent dhe kur ti e vlerëson 100, ajo diferenca e 90-ës të kthehet edhe ty në bumerang. Ky tani është një mall që vlen 10 cent për mua.

Ai nuk e di anën e ankandit, çfarë është. Nuk ia ka haberin. Po ta pyesësh sot çfarë është ankandi… E kupton çdo të thotë ankand? Nuk e di Sokoli, këto nuk janë fushat e tij. Unë iu drejtova Sokolit me mendimin se do të kishte një fjalor tjetër, jo rrugaçi, jo halabaku. Ca halucinacione të tipit 93, ca gjëra që mua më erdhi turp t’i lexoja. Mendoja se do të dilte me të drejtë burrërisht dhe të thoshte: Po Sinan Idrizi, ti ke dështuar në drejtimin e Flamurtarit, por qytetit tim i ke kursyer këto tre dollar.

Ai është një personazh që voton buxhetin. E di ai zotëri që 25% të buxhetit, Bashkisë së Vlorës ia kursej unë. Ai nuk i di këto, pasi ka ardhur për gjë tjetër aty. Nuk dua të merrem më me Sokolin si individ. Unë i uroj suksese në këtë investimin e madh që do të bëjë në Vlorë dhe do të jem kurioz se cilët do të marrin pjesë kur të hapet ankandi për të bërë ato fushat atje, meqë flet për ankand. Meqë Sokoli paska ndërmend të ndërtojë nja ca fusha sporti aty, që unë i paskam vënë syrin, qenkam bërë xheloz sipas tij (qesh). Do të pres ditën kur të bëhet ky ankand.

Unë do të jem një nga ata pjesëmarrësit në këtë ankand. Nëse do të bëhen fusha sporti te ai terren, nëse Bashkia e Vlorës do të hapi për fusha sporti zonën ku sot është pjesa e degraduar e ishfushës së aviacionit të Vlorës dhe zonës ku depozitohen mbeturinat e qytetit, unë do të marr pjesë në këtë ankand dhe do të jap një ofertë si gjithë të tjerët. Aty do të konkurroj me mikun tim të dashur, Sokol Kushta.

Aty të dyja palët të tregojmë xhepat dhe mundësitë tona financiare”, vijoi Idrizi. Kushta në reagimin e tij tha se do t’i bëjë thirrje Këshillit Bashkiak që t’i japë përgjigjen e merituar Idrizit. Ja si përgjigjet kreu i Flamurtarit:

“Këto thirrjet për Këshillin Bashkiak më duken si thirrjet e kongreseve të partisë, ku i bëjmë thirrje klasës tonë punëtore, proletariatit tonë, masave tona. Vazhdon akoma me këtë reminishencën ku Sokoli ishte nga të vetmit në Vlorë që kishte një makinë në dispozicion.

Flas para viteve ’90-të. I duket akoma se do të bëjë thirrje. Duhet dikush ta zgjojë nga gjumi këtë djalë, këtë zotëri, këtë mikun tim të dashur. Ka bërë golin më të bukur me kokë në historinë e futbollit shqiptar, por ndoshta nuk do të thotë që të bësh gol me kokë dhe ta kesh kokën plot. Kjo është një temë tjetër”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"