EKSKLUZIVE/ “Heroi” Dajsinani: Laçi synon Europën, ja si e ndala Spahiun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2024 | 21:22

EKSKLUZIVE/ “Heroi” Dajsinani: Laçi synon Europën, ja si e ndala Spahiun (E PLOTË)

Jo të gjithë heronjtë kanë maskë. Ai i ndeshjes në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Laçit nuk kishte maskë, por kishte doreza.

dajsinani

Mario Dajsinani ishte protagonisti që arriti të priste 11-metërshin e goditur nga Sebastjan Spahiu për t’i dhënë 1 pikë të artë ekipit kurbinas ndaj Egnatias, skuadrës më në formë të kampionatit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” gardiani kavajas tregon si e hipnotizoi Spahiun dhe gjithashtu flet për objektivat personalë dhe ata të skuadrës.

Dajsinani, pritët një penallti duke i dhënë 1 pikë me vlerë Laçit…

Ishte një ndeshje e vështirë pasi luanin në transfertë me klubin që po kryeson tabelën e klasifikimit. Ishim munduar të përgatiteshim maksimalisht pasi tani e tutje nuk na lejohen gabimet për shkak të pozicionit që kemi në renditje. Jam i lumtur që arrita të pres 11- metërshin dhe ndihmova Laçin të vijojë në rezultatet pozitive. Por merita është e të gjithëve që arritëm të merrnim 1 pikë.

Keni pritur dy penallti në pak javë, cili është sekreti juaj?

Te penalltitë nuk ka sekrete, thjesht duhet të jesh i qetë dhe natyrisht të kesh edhe fat. Unë si çdo portier mundohem të stërvitem intensivisht në seancat stërvitore dhe në fund me shokët e ekipit provoj të ndal tentativat e tyre. Jam i kënaqur që kam pritur 2 penallti deri tani, por kjo nuk do të thotë asgjë madje nuk mjafton pasi të duhet të presësh pothuajse të gjitha goditjet që të vijnë në kuadratin e portës.

Arritët një barazim në transfertë me kryesuesit e Superiores, a është ky maksimumi i Laçit?

Ishte një rezultat pozitiv por ashtu siç shkoi ndeshje mund të kishim fituar pasi rastet për shënim i kishim. Natyrisht që Laçi ka kualitet dhe besoj se e dëshmoi që ka ende për të dhënë me qëllim për të arritur objektivat sezonalë. Kemi një ngërç pasi kemi regjistruar shumë barazime edhe pse kemi luajtur mirë duke dominuar kundërshtarët.

Egnatia është rivali juaj edhe në Kupë, e shikoni këtë trofe për të arritur në Europë?

Prej vitesh Laçi ka treguar se Kupa e Shqipërisë është prioritet dhe ne do të mundohemi të kualifikohemi përballë Egnatias. Do të jetë një rrugëtim me ndeshje vajtjeardhje ku ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar më tej. Kemi cilësitë për t’i shkuar deri në fund trofeut të dytë për nga rëndësia aq më tepër që kapin Europën. Gjithsesi, tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës më pas të shohim se çfarë mund të arrijmë.

Keni rezultuar një nga portierët më të dalluar këtë sezon, cili është më i miri sipas jush?

Të gjithë portierët kanë performuar mirë duke ndihmuar ekipet e tyre të marrin rezultate pozitive. Jemi një grup portierësh të së njëjtës moshë që po tregojmë progres nga ndeshja në ndeshje. Nuk mund të them se kush është më i miri por besoj se ky sezon ka qenë pozitiv në përgjithësi për portierët edhe pse natyrisht gabimet në futboll ndodhin dhe janë të pranueshëm.

E shikoni këtë sezon si trampolinë për të bërë hapin madhor në karrierë?

Detyra ime është të punoj dhe ndihmoj skuadrën ku bëj pjesë të arrij objektivat. Nuk i shoh ofertat apo të mendoj për to. Mendoj për të ardhmen pasi fokusi im është ta mbaroj këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pas do të shoh se çfarë mund të bëjmë duke i vlerësuar të gjitha mundësitë që mund të kem. Për çdo futbollist shqiptar është objektiv dhe ëndërr të luash në një kampionat europian.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"