EKSKLUZIVE/ Gjyqi i mistershëm! Klubi i Superiores padit bashkinë, zbulohet arsyeja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 12:49

EKSKLUZIVE/ Gjyqi i mistershëm! Klubi i Superiores padit bashkinë, zbulohet arsyeja

Klubi i Kukësit hedh në gjyq Bashkinë e Kukësit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë fantazi, por një realitet i mbuluar me mister brenda. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se më datën 3 tetor të këtij viti është mbajtur një gjyq, ku pala paditëse është pikërisht klubi i futbollit të Kukësit, i cili ka paditur Bashkinë e Kukësit.

kukesi stavri nica

Nuk është e qartë ekzaktësisht se për çfarë arsye klubi i futbollit ka hedhur në gjyq institucionin që deri para pak muajsh drejtohej pikërisht nga Presidenti i Nderit i këtij klubi, Safet Gjici.

Gjithsesi, mësohet se bëhet fjalë për një gjyq të karakterit administrativ dhe të gjitha gjasat të çojnë te mospërmbushja e detyrimeve që bashkia ka ose ka pasur më herët ndaj klubit.

Në fakt, edhe gjyqi është pikërisht me motivacionin e “Përmbushjes së Detyrimit Tregtar”, përmbushje që me shumë gjasa ky institucion vendor nuk e ka kryer ose të paktën kështu pretendohet nga ana e klubit.

AKSIONET

Aktualisht klubi i futbollit të Kukësit është në pronësi të familjes Gjici, ish-kryebashkiakut të këtij qyteti dhe kompanisë “Braka Construction”. Më saktësisht, 87.5% janë në zotërim të Lavdrim Gjicit dhe 12.5% në zotërim të Amarild Brakës.

Ky i fundit mori aksionet që Bashkia e Kukësit nxori në shitje një vit më parë, duke hequr dorë nga çdo e drejtë mbi klubin e futbollit. Bashkia shiti aksionet edhe për të përmbushur në njëfarë mënyre edhe një detyrim ligjor.

Thuhet kështu, sepse pas miratimit të ligjit të sportit, nuk do të lejohet që pushteti lokal apo instancat shtetërore të zotërojnë përqindje në klubet sportive, duke i kthyer në shoqëri aksionare ose në pronë të privatit.

MISTERI

Rrjedhimisht, të paktën për harkun kohor të një viti, ky institucion nuk ka më detyrime, të paktën si aksioner, karshi klubit të futbollit. Përpara kësaj periudhe, në krye të bashkisë ka qenë Safet Gjici, njeriu që investoi privatisht në klubin e futbollit dhe e dërgoi në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.

Nëse pretendimi i klubit të Kukësit lidhet me faktin që bashkia nuk ka shlyer detyrimet si aksionere e saj, rrjedhimisht diçka e tillë ka ndodhur kur në krye të bashkisë ka qenë Safet Gjici.

Gjithsesi, bëhet fjalë për një gjyq të mbuluar nga misteri, sepse është edhe paksa i rrallë në historinë e futbollit shqiptar që një klub futbolli të hedhë në gjyq bashkinë. Më pas, edhe për shkak të lidhjes që ky klub ka me periudhën kur bashkia ka pasur aksione, që drejtohej pikërisht nga z.Gjici, që “de facto” ishte edhe president i klubit

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"