EKSKLUZIVE/ “Gjoza po masakron lojërat me dorë në Durrës”, presidenti Gorea akuzon: Boll me pehlivanllëqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 19:51

EKSKLUZIVE/ “Gjoza po masakron lojërat me dorë në Durrës”, presidenti Gorea akuzon: Boll me pehlivanllëqe

Pas një ecurie të sh këlqyer me 11 fitore radhazi, me në mes dy trofe, si Kupa dhe Superkupa, Teuta e basketbollit të meshkujve ka pësuar një frenim duke shënuar dy humbje radhazi në kampionat, rezultate që i kanë zbritur durrsakët në vend të dytë.

Gorea

Për Arqile Gorean, presidentin e Teutës, ndikim në situatën që po kalon skuadra kanë faktorët e jashtëm. Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtuesi i klubit kampion të Shqipërisë në basketboll, ka shprehur të gjithë shqetësimin e tij për atë që po ndodh në Durrës, ku për herë të dytë brenda sezonit do të bllokohet pallati i sportit për shkak të aktiviteteve të peshëngritjes. Gorea akuzon drejtpërdrejt presidentin e FSHP-së, Elez Gjozën, për situatën e krijuar.

NDIKIMI NË REZULTATE – Gorea e nis prononcimin e tij, duke u ndalur te rezultatet negative të dy ndeshjeve të fundit të Teutës: “Nuk mund të them që kanë shteruar potencialet e skuadrës. Ekipi është po ai, por mbase janë faktorë të tjerë anësorë.

Vetëkënaqësia pas 11 fitoreve radhazi ndoshta mund të jetë një faktor, por mendoj se një faktor shumë i rëndësishëm është edhe klima e krijuar”, shprehet Gorea, i cili ndalet më konkretisht te problematika që Teuta po has dy herë brenda këtij sezoni: “Siç jeni në dijeni në muajin tetor pallati i sportit në Durrës u bllokua nga aktivitetet e peshëngritjes.

Jo vetëm që u bllokua për 15 ditë, duke bërë qe t’i zhvillonim stërvitjet poshtë e përpjetë nëpër palestra, duke zhvilluar gjithashtu jashtë edhe ndeshjet që kishim në fushën tonë, por është masakruar parketi nga shtanga. Nuk u mjaftuan vetëm me shkatërrimin e parketit, por kanë çarë edhe tavanin për të varur banderolat e ekipeve pjesëmarrëse. Këtë unë nuk e quaj kulturë sportive, por vandalizëm dhe barbari”.

“XHAMBAZLLËQE NGA FSHP” – Presidenti i Teutës së basketbollit thekson se nuk ka asgjë me peshëngritjen, por me mënyrën se si po vepron drejtuesi i kësaj federate: “Me respektin më të madh për ata djem dhe vajza të mrekullueshme të peshëngritjes, që i kanë dhuruar Shqipërisë rezultate shumë të mira dhe na bëjnë të ndihemi krenarë, kjo nuk do të thotë se kemi një autobus dhe shoferi ta fusë rrugë pa rrugë.

Këtu ka një problem shumë të madh, pasi ngatërrojnë aritmetikën me pasionin për sportin. Tjetër gjë është pasioni për sportin, që ia lemë këtyre djemve dhe vajzave të mrekullueshme, por t’i lemë xhambazllëqet se këtu fitoj më shumë apo atje më pak. Më tepër së një manovër përfitimi, ky është një skandal që favorizon njërën palë dhe shkatërron palën tjetër. Të na fali z.Gjoza, por basketbolli dhe volejbolli janë lojëra intelektualësh dhe nuk mund të shkelen intelektualët me këmbë”.

“GJOZA PO SHKEL LOJËRAT ME DORË” – Presidenti i skuadrës bregdetare më tej i përshkallëzon akuzat ndaj Gjozës: “Është e pakuptimtë iniciativa e kryetarit të federatës së peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili mund të jetë edhe i mësuar keq, për ta bërë këtë aktivitet në Durrës. Nuk i mjafton aktiviteti që bëri në tetor, që i shkeli më këmbë lojërat me dorë në qytetin e Durrësit, duke i vendosur para vështirësive të jashtëzakonshme.

Shkatërroi ambientin e pallatit të sportit dhe nuk pagoi asnjë lloj tarife, qoftë edhe për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara, tani kërkon sërish ta bllokojë në muajin mars, që është muaji më i rëndësishëm për të gjitha ekipet e lojërave me dorë”, deklaron Gorea, ndërsa thekson se e gjithë kjo situatë vjen në një moment deciziv të sezonit:

“Ne kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme në fushën tonë, ndërkohë që pallatin e sportit na e bllokon shtanga. Kjo situatë ndikon psikologjikisht edhe te lojtarët, të cilët thonë me të drejtë se jemi lodhur të gjithë vitin dhe tani nuk dimë se ku do të bëjmë ndeshjet apo stërvitjet. Faktikisht unë këtë problem e kam bërë prezent edhe në bashki dhe kam marrë mirëkuptimin e kryetares së bashkisë, sepse në fund të fundit nuk mund të shkelen me këmbë ekipet e Durrësit se kështu i pëlqen z.Gjoza”, shprehet Arqile Gorea.

“SHOU NË TIRANË, ZHULI NË DURRËS” – Kreu i klubit durrsak e quan të pakuptimtë zhvillimin e ceremonisë së hapjes për Botërorin e shtangës në Tiranë, ndërsa mbajtjen e garave në Durrës, ndërsa thotë se e gjitha kjo bëhet për interesa dhe përfitime financiare: “Nuk duhet të harrojmë se po flasim për federatën më të privilegjuar, siç është peshëngritja. Ka buxhetin më të lartë se të gjitha federatat, plot 190 milionë lekë, në një kohë kur basketbolli e ka 140 milionë. Është federata që ka marrë 90 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës në kuadrin që Tirana është shpallur ‘Qyteti Europian i Sportit’ për të zhvilluar dhe promovuar sportin.

Por pehlivanllëqet z.Gjoza vazhdojnë edhe më tej, pasi ceremonia e hapjes dhe pompoziteti i Botërorit për të rinj do të bëhet në Tiranë në ‘Feti Borova’, ndërsa zhulin do t’ia lejnë qytetit të Durrësit, duke nisur nga shkatërrimi i parketit, i tavaneve dhe shkatërrimi i atmosferës sportive të qytetit”, vijon ish-kryebashkiaku i Durrësit, i cili i shton edhe më shumë dozat e akuzave:

“Ne e lexojmë mirë këtë situatë. Ky njeri kërkon të ngatërrojë tarifat e hotelerisë, transportin dhe përfitimet me rezultatet sportive. Por sporti mbi të gjitha është pasion dhe krenari kombëtare dhe krenarinë kombëtare nuk e bën vetëm peshëngritja. Krenarë na bëjnë të gjithë sportet. Edhe Teuta është shpallur nënkampione Ballkani, është kampione e vendit, është fituese e Kupës së Shqipërisë. Si mund të na nëpërkëmbin në këtë formë?!”.

APELI – Arqile Gorea e mbyll me një apel për Gjozën, ndërsa ka një thirrje gjithashtu edhe për Komitetin Olimpik: I bëj apel si njeri, që të fillojë të mendojë pak më thellë dhe mos të mendojë vetëm për veten, sepse në të kundërt do të jemi të detyruar të kërkojmë gjëra të tjera. Por një gjë po e them paraprakisht, KOKSH-i duhet të kontrollojë shpenzimet e financave që i jep federata. Sa janë të hyrat dhe si shpenzohen ato, sepse mënyra e shpenzimit na fut në akrobaci të tilla si kjo që po ndodh. Edhe një herë, i bëj apel publik Gjozës që të heqë dorë nga kjo iniciativë dhe i kërkoj KOKSH-it që të rregullojë ‘shenjat e trafikut’.

Të orientojë rrugën e federatave, sepse kështu do të ndodhin aksidente që në kurriz të përfitimit të dikujt, të shkatërrohet diçka tjetër. Këtë e them meqë KOKSH-i është familja e madhe apo ombrella e të gjithë sporteve. Unë jam shpresëplotë që njerëzit do të reagojnë dhe vetë z.Gjoza do të gjejë mënyrën e organizimit të aktivitetit”, përfundon presidenti i Teutës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"