EKSKLUZIVE/ “Ëndrra amerikane” e Afrim Takut: Titullin e fiton Tirana, Skënderbeun e falënderoj që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2018 | 22:59

EKSKLUZIVE/ “Ëndrra amerikane” e Afrim Takut: Titullin e fiton Tirana, Skënderbeun e falënderoj që… (E PLOTË)

Pasi ka realizuar ëndrrën amerikane, Afrim Taku ndihet gati-gati i kompletuar. Prej dy muajsh është bërë zyrtarisht pjesë e Tampa Baj Roudies, ekip që militon në Ligën e Tretë, megjithatë objektivi i radhës është MLS-ja. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Tiranës rrëfen gjithçka rreth eksperiencës më të re dhe jetës në SHBA.

Nëse do qëndronte sërish në Shqipëri, nuk do ta kishte problem që të luante në Korçë edhe me rrogë të përgjysmuar, ndërsa zbulon se Skënderbeu i ka ruajtur jo vetëm medaljen e titullit, por edhe atë të Kupës. Bardheblutë mbeten pika e tij e dobët, ndaj shpreson që këtë vit të shpallen kampionë.

Taku

Tampa Baj Roudies është ekipi më i ri Afrim Takut. Pas shumë vitesh realizoni ëndrrën amerikane, a ndiheni i kompletuar?

Po, ndihem shumë mirë për ekipin e ri. Ka qenë një dëshirë e imja të luaja në SHBA dhe të isha afër familjes. Pas shumë përpjekjesh, kjo gjë u bë realitet. A ndihem i kompletuar? Mund të them se çdo lojtar synon gjithmonë që të arrijë sa më lart. Jam i kënaqur dhe mendoj se jam në drejtimin e duhur.

Si u mundësua ky transferim dhe na tregoni diçka rreth ekipit dhe ligës?

Ky transferim u bë i mundur nga agjenti im, i cili tha që klubi ka interes për mua. Erdha në Tampa dhe pas 3 ditësh stërvitje me ekipin, erdhi firma. Liga këtej është më shumë fizike dhe unë po mundohem të ambientohem sa më shpejt të jetë e mundur. Dua të bëj mirë këtu.

Pas USL-së, a është ëndrra e Takut MLS-ja?

Kam nevojë të përqendrohem me ekipin ku jam dhe në këtë ligë momentalisht. Duhet që të jap maksimumin këtu, pastaj të tjerat t’ia lëmë së ardhmes.

Jo rrallëherë ndodh që futbollistë të kampionateve më prestigjioze ta mbyllin në Amerikë, duke qenë se dhe financat janë shumë herë më të larta. Në ekipin tuaj apo edhe ekipe kundërshtare, a ka lojtarë me emër?

Po, keni të drejtë. Në ekipin ku unë luaj ka lojtarë me emër. Për shembull është Xho Kol, i cili ka luajtur me kombëtaren angleze dhe Çelsin. Është një lojtar shumë profesionist dhe po më ndihmon të përshtatem sa më shpejt. Ai është një nga lojtarët më me eksperiencë në skuadër. Përtej tij, gjithashtu ishte Marcel Shafer që ka luajtur me Volfsburg dhe tani u kthye sërish në Gjermani, por ka luajtur këtu.

Pasi i provuat që të gjitha rolet e mundshme në Shqipëri, nga mbrojtës, mesfushor dhe sulmues, tani ku do të stacionoheni?

Për rolet në fushë, situata është njëlloj si më parë, vazhdoj të luaj në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Mua personalisht më pëlqen të luaj djathtas i avancuar, por është trajneri që vendos të më aktivizojë ku të ketë nevojë ekipi.

Me financat jeni i kënaqur dhe sa ndryshon standardi i pagave me atë që merrnit këtu?

S’më pëlqen të flas për financat, por çdo gjë është korrekte.

Bashkëshortja juaj mund të themi që është më në fund e lumtur, pasi përveçse ju ka pranë, do vazhdoni edhe pasionin tuaj më të madh, futbollin?

Edhe unë edhe bashkëshortja jemi më të kënaqur kështu. Tani të paktën jemi në të njëjtin shtet dhe jemi shumë herë më afër.

Veç futbollit, ndonjë angazhim tjetër a keni?

Për momentin jam i përqendruar vetëm te futbolli, dua të bëj më të mirën në këtë profesion në këtë moment.

Si është jeta në Amerikë për Takun? Nëse këtu ishit “zot”, atje ka vend për sakrifica?

Jetohet shumë mirë. Është një vend që të ofron shumë mundësi, edhe pse unë një pjesë të mirë të ditës e kaloj në stërvitje. Moti më bën përshtypje, sepse ndryshon shumë shpejt. Është gjatë gjithë kohës ngrohtë, por pa pritur dhe pa kujtuar nis stuhia dhe shiu. Por, për çështje minutash hapet koha dhe del sërish dielli.

Me rrogën e parë si lojtar “amerikan” i bëtë ndonjë dhuratë vetes?

(Qesh) Jo, akoma, po mendohem ende për këtë pjesë.

Çfarë ju mungon dhe çfarë nuk ju mungon nga Shqipëria?

Ajo që më mungon është familja dhe gatimet e mamit. Nuk më mungon fare trafiku i makinave në Shqipëri (qesh).

Pasaportën e keni marrë?

Jo, akoma.

Jeni bërë kaq shumë shqiptarë që latë futbollin për ëndrrën amerikane, (veç jush është Erion Dushku, Robert Grizhaj, Daniel Xhafaj, Nertil Stoja i Luftëtarit apo Arbër Capa i Partizanit). Ndryshimi i vetëm është që Taku nuk iu nda “topit”. Kaq keq është të luash futboll në Shqipëri?

Po, ka shumë lojtarë që kanë luajtur në Shqipëri dhe kanë ardhur në SHBA. Nga këto që keni përmendur ju, unë jam takuar me Daniel Xhafën. Jemi më afër, pasi ai jeton në Florida. Për mua që nuk iu ndava “topit”, ka qenë edhe çështje kokëfortësie. Kjo u pa qartë edhe prej lëvizjeve të mia nga Amerika në Shqipëri. Për futbollin shqiptar kam respekt maksimal, në fund të fundi unë aty dola. Nuk do thosha asnjëherë që është keq, përkundrazi ka pasur rritje të ndjeshme këto vitet e fundit.

Kategoria Superiore është në prag, a i keni ndjekur lëvizjet në merkato?

Po, i kam ndjekur lëvizjet në merkato. Mendoj se është e rëndësishme për çdo ekip, ruajtja e grupit të sezonit të kaluar. Ato ekipe që ndërrojnë shumicën e lojtarëve nga viti në vit, nuk kanë pasur sukses në përgjithësi.

Mund të thoni cili është ekipi i ndërtuar më mirë në letër?

Nuk mund të veçoj ndonjë ekip për momentin, pasi merkatoja vazhdon të jetë aktive. Por, ekipet që morën pjesë në Kupat e Europës janë disi më të kompletuara dhe një hap para të tjerave do të thosha.

Ku shkon titulli këtë vit?

Është akoma shumë herët për të bërë parashikime të tilla, pasi kampionati akoma s’ka filluar. Por, duke i parë të gjitha skuadrat, mendoj që ky vit do vendoset në ndeshjet e fundit të sezonit. Pothuajse të gjitha ekipet, pak a shumë janë aty-aty.

Tirana kthehet në elitë pas një sezoni mungesë, a mund të marrë titullin e munguar pas 10 vitesh?

“Tironës” i uroj vetëm suksese, është aty ku e ka vendin dhe shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë. Për titullin do doja shumë që ta arrinin.

Do të rikthehet edhe derbi…

Derbi është një ndeshje e veçantë. Është përballja që i jep bukurinë kampionatit për vetë rivalitetin dhe grintën që ofron.

Do të donit që të ishit në fushë?

(Qesh) Kjo pyetje s’ka nevojë për përgjigje.

Skënderbeu mbeti jashtë Champions-it këtë sezon dhe vazhdon të presë KASin. Nëse do të ishit ende në Shqipëri, a do luanit me Skënderbeun dhe në kësi kushtesh?

Shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë për Skënderbeun. Do të doja shumë që të merrnin një lajm pozitiv në KAS. Është ekipi që ka bërë më mirë në këto sezonet e fundit, si në kampionat ashtu edhe në Europë. Kam respekt maksimal për atë qytet, ndaj nëse do të gjeja dakordësinë me presidentin, pse jo, do të qëndroja.

A jua ruajtën medaljen e titullit?

Po, ma ruajtën medaljen e titullit, por edhe atë të Kupës së Shqipërisë. I falënderoj për këtë.

Ilir Daja ka qenë trajneri që ju ka marrë me vete kudo që ka shkuar në vitet e fundit, po të mos firmosje në SHBA, do e ndiqnit edhe te Flamurtari?

Për profesor Ilir Dajën kam respekt maksimal, sepse është një trajner shumë profesionist. Mund të them pa frikë, është një nga më të mirët në Shqipëri. Besoj se Flamurtari do ecë shumë mirë me të në krye të pankinës. Është gjithmonë kënaqësi të punosh me një trajner të aftë. Besoj se iu përgjigja edhe pyetjes, nëse do shkoja apo jo në Vlorë (qesh).

A keni pasur oferta nga klubet shqiptare?

Që në momentin që u mbyll kontrata me Skënderbeun, unë kam qenë i fokusuar që të gjeja një klub në SHBA. Në Shqipëri ishte akoma mesi i sezonit, ndaj s’kishte vend as për merkato. Jam i sigurt që po të flisja me klube në Shqipëri, do të kisha arritur akordin direkt. Por duke qenë se vëmendja ime ishte diku tjetër, nuk e mora mundimin as që të negocioja. Këto kohët e fundit kam pasur mundësi që të kaloja edhe në Europë, por i kam refuzuar opsionet. Doja aq shumë që të isha afër familjes dhe kjo ka ndikuar direkt te zgjedhja që kam bërë.

Momenti më i errët në karrierën cili ka qenë?

Rënia e “Tironës” nga kategoria.

Po më i lumturi?

Nuk zgjedh dot, pasi kam shumë. Për fat merrem me diçka që e kam jo vetëm profesion, por edhe pasion. Ndihem i bekuar.

Cili është ekipi që nuk do të denjonit të luanit kurrë?

Nuk kam një ekip që unë nuk do të luaja kurrë. Edhe po të mendohem, nuk e gjej dot. Çdo ekip dhe çdo tifozëri, ka nevojë të respektohet.

Personi që i detyroheni më së shumti në karrierën tuaj?

Ka aq shumë persona që kanë ndikuar pozitivisht te karriera ime dhe që do të doja t’i falënderoja publikisht. Megjithatë, do veçoja pa dyshim familjen dhe bashkëshorten time për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë dhe po më japin.

Personi që ju ka zhgënjyer më së shumti në futboll… ?

Nuk ekziston ndonjë person specifik që më ka zhgënjyer në jetë. Dhe po tregohem më shumë se i sinqertë te kjo pjesë. Pastaj, unë kam një tip që nuk më pëlqen të mbështetem shumë te të tjerët.

E fundit, mendoni se keni më shpresa për të qenë pjesë e Kombëtares?

Kudo që të luaj, gjithnjë do të kem objektiv që të arrij Kombëtaren. Edhe pse kam ardhur kaq larg, synimet e mia nuk do të ndryshojnë. Të jesh pjesë e përfaqësues shqiptare, pastaj është nder dhe krenari. Do vazhdoj të jap më të mirën me shpresën që një ditë të jem përsëri kuqezi.

ADELA MERKO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"