EKSKLUZIVE/ Duro: E merituam kualifikimin, Mazrekaj do ishte harruar pa… mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2022 | 21:33

EKSKLUZIVE/ Duro: E merituam kualifikimin, Mazrekaj do ishte harruar pa… mua

Shpëtim Duro është tash më specialist i kualifiki meve në Europë. Malazezët e Iskrës konsideroheshin skuadër “e dobët” pa u luajtur dy takimet, por në fushë treguan se pa një impenjim maksimal nuk mund të kaloheshin. Laçi ia doli dhe Duro me të drejtë e konsideron si një sukses të madh.

SHPETIM DURO

Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri i kurbinasve rrëfen edhe se çfarë u tha futbollistëve pas fitores 0-1 në Podgoricë, që vulosi kualifikimin e bardhezinjve në turin e dytë. Ai flet edhe për rivalin e radhës, moldavët e Petrokub Hinçestit.

Duro, e prisnit të kishit kaq shumë stres për t’u kualifikuar me Iskrën?

Stresi është pjesë e punës sonë, por ideja që i mëshonte vazhdimisht media se Laçi ishte favorit absolut, nuk i bënte mirë ambientit. Në Europë nuk ka gjëra të lehta dhe kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e parë. Natyrisht, ne e merituam të shënonim dhe të fitonim në atë takim, por futbolli ky është.

Për këtë arsye edhe tensioni në ndeshjen e kthimit ishte pak më i madh. Unë kisha besim maksimal se do ta kalonim dhe ia dolëm. Duhej madje të kishim shënuar 2 ose 3 gola dhe t’i mbyllnim llogaritë, por nuk patëm qetësinë e duhur para portës.

Pse vuajtët kaq shumë me malazezët?

Sepse të gjithë luajnë futboll dhe askush nuk dorëzohet lehtë. Ne i kemi dominuar të dyja ndeshjet, por unë e kam thënë që në fillim se për skuadrat shqiptare do të ishte sukses i madh kalimi i një turi. Kjo vlen për Laçin, por edhe për të tjerat. Ne po e shohim se çfarë po ndodh…

Mazrekaj, sërish vendimtar. Cilësitë e tij nuk diskutohen, por kur mendon për moshën, atëherë lind pyetja: Ku po shkon futbolli shqiptar…?

Mazrekaj ka cilësi të jashtëzakonshme, jo vetëm si futbollist, por edhe një djalë i shkëlqyer. Megjithatë, ky është rasti për të thënë “unë”…

Në ç’kuptim?

Sepse isha i vetmi që besova tek ai para dy vitesh. Nëse nuk do ta kisha afruar te Laçi me shumë këmbëngulje, ndoshta sot do të ishte harruar… (qesh). Por unë e dija potencialin e tij. Jam i lumtur, sepse ka qenë një bast imi që në krye të herës dhe tani më vjen mirë kur e shoh se çfarë ka bërë sezonet e fundit, jo vetëm në kampionat, por edhe në ndeshjet në Europë.

Çfarë objektivi keni për në turin tjetër?

E sigurt është që do të luajmë gjithçka për t’u kualifikuar edhe kundër ekipit moldav, Petrokub. Do të luajmë pa frikë dhe me shumë vendosmëri. Por, sot (dje) na lejoni të shijojmë këtë kualifikim që i bën shumë mirë klubit të Laçit dhe na jep mundësinë edhe ne të punojmë në qetësi. Për mua ishte shumë e rëndësishme që të kualifikoheshim. Është edhe çështje egoje për një klub që ka tashmë eksperiencë, por edhe për faktin që ndikon direkt në mbarëvajtjen e një sezoni.

Sa i njihni moldavët e Petrokub?

Nga nesër (sot) do t’i studioj së bashku me stafin dhe të jeni të sigurt që do të përpiqemi të bëjmë më të mirën.

Çfarë i thatë skuadrës pas kualifikimit?

Isha i lumtur, njësoj si ata. Natyrisht, u thashë “bravo, e merituat sepse sakrifikuat. Në futboll nuk ka gjëra rastësore dhe aq më tepër të fitosh në transfertë”. Mendoj se ky kualifikim do të na japë mundësi të punojmë më të qetë dhe me më shumë vetëbesim.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"