EKSKLUZIVE/ Drama e Bekim Kulit në Gjermani, vëllai: Si shkoi në burg me 33 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 23:28

EKSKLUZIVE/ Drama e Bekim Kulit në Gjermani, vëllai: Si shkoi në burg me 33 mijë euro

“Rastësia është mbret i botës”, thotë një fjalë e urtë popullore… Por ndodh edhe që ajo të ndryshon jetën për keq. Ta përmbys botën dhe papritur e sheh veten mes një mijë telashesh. E tillë është historia e Bekim Kulit, ishfutbollistit të shquar shqiptar, që pati fituar titullin me Dinamon dhe Skënderbeun në karrierën e tij dhe që shquhej jo vetëm për temperamentin disi të vështirë, por mbi të gjitha për aftësitë e tij. Sot, ish-futbollisti është në burg në Gjermani dhe e pësoi, pikërisht sepse i besoi më shumë sesa duhet atyre që deri më 12 dhjetor të vitit 2017 i njihte si miqtë e tij.

Kavajasi ka lënë në Shqipëri gruan dhe dy fëmijët e tij dhe është duke u marrë me një kalvar të gjatë gjyqësor. Ish-fantazisti i Dinamos, Partizanit, Besës, Bylisit, Lushnjës, Samsunsporit, Vllaznisë, Shkumbinit dhe Skënderbeut, do t’i duhet të vuajë një dënim thjesht sepse u shoqërua me njerëzit e gabuar. Të paktën kështu pretendon vëllai i tij, Heri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Heri (nëse i bashkon emrin dhe mbiemrin përfundimi është HerKuli) tregon se si e arrestuan vëllanë në Gjermani dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.

Kuli Besa

Çfarë ndodhi me vëllanë tuaj?

Vëllai, për fat të keq, është në burg aktualisht. Jemi thellësisht të tronditur nga e gjithë ajo që ndodhi, por ja që fati dhe jeta ndonjëherë të vënë në prova të mëdha.

Ju mendoni se Bekimi është arrestuar për çështje fati?

Edhe për këtë. Bekimi është njeri që u beson shumë njerëzve. Shkoi u shoqërua me njerëzit e gabuar, me shpresën se do të merrte dokumentet gjermane në të ardhmen dhe në fund e pësoi.

Le ta nisim pak nga fillimi… Kur shkoi Bekim Kuli në Gjermani?

Kishte afro dy muaj. Ka qenë tetor kur ai ka shkuar në Gjermani te disa të njohurit e tij.

Çfarë ndodhi aty?

Më 12 dhjetor, Bekimi u arrestua së bashku me 6-7 persona të tjerë. Ndodhej në lokalin e një personi që e konsideronte mik. Gjithç- ka ishte pa lidhje me Bekimin në fakt, por ja që u përfshi edhe ai.

Pse shkoi Bekimi në Gjermani?

Sepse kishte dëshirë të merrte letrat dhe të pajisej në të ardhmen me dokumente gjermane. Aty shkoi te disa persona, me të cilët kishte pasur bashkëpunim edhe në të kaluarën. U sugjeronte ndonjë lojtar të ri, e të tjera si këto. Shkoi për të trajnuar. Ai zotëria që priti Bekimin (nuk ia përmend emrin), është një biznesmen shqiptar me pasaportë gjermane. Ka edhe një ekip atje që quhet “Kosova”, në mos gaboj. Plani i Bekimit ishte që të stërviste skuadra moshash aty dhe gradualisht më pas të sistemohej, duke marrë edhe dokumentet gjermane. E ka pasur gjithnjë ëndërr Gjermaninë.

Po çfarë ndodhi pastaj që e arrestuan Bekimin?

Një ditë, 12 dhjetor ka qenë data e saktë, dy policë kishin shkuar te lokali ku kalonte një pjesë të mirë të kohës edhe Bekimi, por që në fakt ishte një lokal nën menaxhimin e mikut të vet. Bekimi nuk e dinte se me çfarë merreshin miqtë e tij. Thjesht mendonte se ata kishin interes për futbollin dhe duke ofruar eksperiencën e tij, mendoi që në këmbim ta ndihmonin të merrte dokumentet gjermane. Pastaj, përveç trajnimit të ndonjë skuadre moshash, merrej edhe me ndonjë punë rutinë te lokali.

Dakord, të kthehemi tek arrestimi i Kulit. Thatë se më 12 dhjetor kishin shkuar dy policë në lokalin ku ishte edhe vëllai juaj. Çfarë ndodhi më pas?

Dy policët, në fakt, kishin qenë të infiltruar dhe ishin sjellë si trafikantë… kishin kërkuar të blinin mall, te njeriu që kishte pritur Bekimin në Gjermani. Pas disa bisedave paraprake, ku në fakt vëllai im nuk kishte qenë fare në tavolinë, por ishte në banak dhe ishte duke pirë kafe, miku i Bekimit e kishte thirrur dhe e kishte prezantuar Bekimin si nipin e tij. Pronari i lokalit, pa e ditur se kishte të bënte me policë, kishte rënë dakord që të shiste një sasi malli për 33 mijë euro. Në të moment, ai nuk kishte preferuar t’i numëronte vetë paratë, por i kishte kërkuar Bekimit që t’i numëronte. “Beko, hajde numëroji pak këto paratë”, i pati thënë. Bekimi kishte gati një muaj dhe ndihmonte me ndonjë punë të vogël. Njëri nga këta punëotrët e këtij biznesmenit kishte pasur probleme me patentën dhe e ndihmonte vëllai im. Në kushte mirëbesimi i ka marrë lekët që t’i numërojë. Në atë moment ata i arrestuan që të gjithë. Kjo është historia.

Po më pas çfarë ndodhi?

Më pas, Bekimi u përpoq që t’ua shpjegonte policëve se nuk kishte asnjë lidhje me këta njerëz dhe se kjo kishte ndodhur gabimisht. Problemi është që brenda 72 orëve, dikush nga të arrestuarit e tjerë të grupit, ku ishte përfshirë aksidentalisht vëllai im, duhej të kishte folur dhe të thoshte se Bekimi nuk kishte lidhje me ta dhe nuk vepronte me ta. Ishte thjesht një mik që kishte shkuar atje për punë të tjera. Kjo nuk ndodhi, pra, ata nuk folën dhe sipas ligjit gjerman, nëse kalojnë 72 orë dhe nis procesi hetimor si bashkëpunëtor i një grupi, atëherë gjërat bëhen më të vështira.

Dakord, por Kuli mund të merrte një avokat…

Po, e mori avokatin dhe u bë e mundur që pas pak muajve Kuli të mos gjykohej me grupin si bashkëpunëtor i tyre. Ai më pas u gjykua jo si pjesëmarrës në aktivitet kriminal, por si person që kishte dijeni për aktivitetin e palës tjetër dhe nuk kishte denoncuar. Prokurorja e çështjes këmbënguli deri në fund se bekimi kishte dijeni për aktivitetin e miqve të tij, por në fakt ai nuk kishte. Madje, gjatë seancës që zgjati 5 orë dhe jo 1, siç është shkruar në median shqiptare, pati edhe një debat mes gjyqtarit dhe prokurores, sepse gjyqtari pretendonte se duheshin prova konkrete që ta vërtetonin faktin që Bekimi kishte dijeni për aktivitetin e pjesës tjetër të grupit. E megjithatë, në fund, u vendos që Bekimi të dënohej me 16 muaj vetëm me motivin se kishte pasur dijeni dhe nuk kishte kallëzuar në polici. Kjo nuk ishte e vërtetë, sepse realisht Bekimi mendonte se ishte futur në një biznes futbolli, por tani u bë kjo gjë. Ai madje refuzoi edhe marrëveshjen që i ofroi shteti gjerman.

Çfarë marrëveshjeje?

Shikoni, pas arrestimit të grupit, u sekuestruan edhe nja 2-3 celularë, përfshi këtu edhe atë të Bekimit. Në telefonin e Bekimit nuk u gjend asnjë mesazh, qoftë edhe i koduar, që të vërtetohej se ai ishte bashkëpunëtor në pazare apo në trafiqe. Pas kësaj, duke qenë se Bekimi u gjykua veçmas, atij i kërkuan të thoshte se çfarë bënin ata dhe çfarë aktiviteti kishin. Vëllai im e refuzoi totalisht këtë, sepse edhe po të donte të thoshte ndonjë gjë, nuk kishte çfarë të thoshte se nuk kishte dijeni. Më vonë e mori vesh kush ishin ata që e kishin pritur. Duke qenë se ai nuk e pranoi këtë marrëveshje, mori më pas edhe një dënim si një person që kishte pasur dijeni. Kjo është e vërteta.

Pra, ju e përjashtoni kategorikisht që Bekimi të ketë qenë i përfshirë me vetëdije në një grup trafikantësh?

Shikoni, unë e mirëkuptoj dyshimin tuaj, sepse ne jemi mësuar që kur dikush bie brenda në burg, të themi gjithnjë: “hë se nuk të vë prangat njeri kot”. Unë e njoh këtë mentalitet, por ju siguroj se në këtë ras, thjesht Bekim Kuli ishte në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Vetëm kaq. Nuk ka pasur nevojë ai, unë apo familja jonë, që të merremi me punë të pista. Gjithë jetën tonë e kemi siguruar me punë të ndershme. Unë vetë kam 27 vite në Itali, ndërsa Kuli gjithë jetën ka luajtur futboll. Kemi bizneset tona dhe Zoti na ka dhënë bollëk e plot të mira. Nuk e kemi në kulturë dhe nuk kemi pasur asnjëherë nevojë që të merremi me punë të pista. Por ja që në jetë ndodh edhe kështu.

Si e priti familja lajmin?

U tronditëm pa masë. Mua nuk më kishin thënë gjë fare, e mësova kur shkova në Shqipëri për pushime. Kishim planifikuar që të mblidheshim që të gjithë, madje Bekimi, më datë 16 dhjetor, katër ditë para se ta arrestonin, kishte prerë biletën e kthimit. Mua ma thanë lajmin kur mbërrita në Shqipëria. U mërzitëm pa masë. Janë mërzitur shumë njerëzit e familjes. Ka lënë gruan dhe dy fëmijë këtu.

A e dinë fëmijët e Bekimit për situatën ku ndodhet babai?

Jo, nuk ua kemi thënë. Kemi qenë të rezervuar me ta, por edhe me një pjesë të madhe të fisit. Kjo ishte një goditje e madhe për ne dhe për fisin. Nuk kemi kaluar asnjëherë kësi traumash.

Po me Bekimin a keni folur së fundmi?

Po, kam folur. Është shumë mirë, për aq sa mund të thuhet kjo. Pra, tani po i jep forca vetes dhe më thotë se kjo ishte një e papritur e keqe në jetën e vet.

A e keni apeluar vendimin e Shkallës së Parë?

Jemi gjatë gjithë kohës duke u marrë me këtë çështje. Duke iu referuar ligjeve gjermane, Bekimit do t’i ulet 1/3 e dënimit për sjellje të mirë, plus që do të llogaritet edhe koha në paraburgim… besoj se për dy muaj do të dalë.

A keni një apel për tifozët dhe për miqtë e tij?

Po, kam një thirrje për ta: Bekim Kuli nuk është marrë kurrë me trafiqe dhe punë të pista. Ishte thjesht në kohën dhe vendin e gabuar, me njerëzit e gabuar. Ata që e njohin, e dinë se ai asnjëherë nuk do të merrej me veprimtari të kundërligjshme. Pjesa tjetër që janë shkruar në media, janë tërë- sisht sajesa dhe informacione të pjesshme, të përziera me gënjeshtra.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"