EKSKLUZIVE/ Di Estefano largohet nga Flamurtari, zbulohen prapaskenat me sulmuesin brazilian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 22:22

EKSKLUZIVE/ Di Estefano largohet nga Flamurtari, zbulohen prapaskenat me sulmuesin brazilian

Aleksandre Di Estefano largohet nga Flamurtari. Sulmuesi brazilian i dha fund aventurës me vlonjatët. “Panorama Sport”, mëson se Di Estefano nuk është paraqitur në stërvitjen e djeshme dhe kjo gjë ka ngjallur dyshime për një largim të mundshëm.

di estefano

Në fakt, ka qenë një ndarje me konsensus mes palëve. Të paktën kështu shprehet vetë Aleksandre Di Estefano. Sulmuesi u aktivizua me Flamurtarin në 17 ndeshje në kampionat dhe në Kupë, ndërsa e ka gjetur 5 herë rrugën e rrjetës. Për “Panorama Sport”, Di Estefano thekson ka bërë më të mirën për ta ndihmuar skuadrën. Sa i përket Superiores, braziliani thotë se Flamurtari i ka të gjitha shanset.

”Sot (dje) i thashë lamtumirën Flamurtarit. Falënderoj presidentin Sinan Idrizi për mundësinë, djalin e tij Ensarin, pasi gjithmonë më kanë trajtuar shumë mirë. Ka qenë vendimi im dhe drejtuesit e pranuan. Unë largohem me kokën lart duke e ditur që kam dhënë maksimumin në skuadër. Kam marrë pjesë në fitore duke shënuar edhe me gola. Ndërkohë, kur nuk kam shënuar kam ndihmuar shokët me pasime. Flamurtarit i uroj suksese. Unë tani do vazhdoj rrugëtimin tim dhe me këtë rast dua të falënderoj drejtorin Alfred Ferko, që gjithmonë më motivonte. Për mua, Ferko është një legjendë e Flamurtarit, që e do klubin. Suksese skuadrës dhe bashkëlojtarëve të mi shqiptarë, si dhe bashkatdhetarit tim, Indio Oliveira, që më ka dhënë gjithmonë mbështetjen e tij pa rezerva. I them forca Flamurtari për arritjen e objektivit. Jam shumë i bindur se me përulësi dhe ‘këmbë në tokë’ kanë shanse të mëdha për të arritur qëllimin dhe për të ngjitur skuadrën aty ku e ka vendin. Flamurtari është një klub i madh dhe me traditë në Superiore”, tha Di Estefano për “Panorama Sport”.

PRAPASKENAT – E ndërsa Aleksandre Di Estefano thekson se është larguar vetë me dëshirën e tij, në fakt për këtë divorc kur merkato u mbyll gjërat nuk mund të shikohen kaq të thjeshta. Shkëndijat më të fundit u dhanë që në ndeshjen me Elbasanin, kur braziliani nuk u aktivizua, por thjesht u grumbullua dhe qëndroi në stol. Ardhja e Vasil Shkurtaj dhe e La Torres duket se i zbehu shanset që Di Estefano të kishte një vend të sigurt në formacion.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"