EKSKLUZIVE/ Andrea Marko skanon Dinamon: E shikoj në “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Andrea Marko skanon Dinamon: E shikoj në “Final 4”

Kur përmendet Dinamo, menjëherë me ndja të shkon tek emrat që kanë bërë histori me fanellën e “Nëndetëses”. Janë të shumtë, duke nisur me Sulejman Demollarin, Muhedin Targajn, Faruk Sejdinin, Shyqyri Ballgjinin, Ilir Përnaskën, Andrea Markon e shumë të tjerë. Disa kanë pasur mundësinë edhe t’i drejtojnë nga stoli 18 herë kampionët e fundit, siç janë Sejdini dhe Marko.

andrea marko

Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport”, jep gjykimin e tij për Dinamon aktuale, duke theksuar se ajo ka pasur një rritje të konsiderueshme në lojë dhe në rezultate. Për ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e kryeqytetasve, blutë kanë mundësi reale për të qenë në 4-shen e parë në fund të kampionatit. Marko ka edhe disa këshilla për skuadrën e zemrës dhe klubin.

LOJA – “E kam ndjekur Dinamon në ndeshjet e fundit, me Egnatian dhe me Vllazninë, por edhe më parë. Kur flet për skuadrën e zemrës, e ndjen më shumë, por duke lënë mënjanë nostalgjinë, do të them si e kam parë unë.

Ka luajtur mirë, për mendimin tim ka bërë progres sa i takon lojës dhe kjo është pozitive, sepse tashmë ka bërë atë shkëputjen nga zona e rrezikut të rënies nga kategoria. Dhe kjo ecuri ka bërë që të fitojë besim në vetvete, diçka shumë e rëndësishme në futboll. Kam parë që tashmë skuadra ka më shumë besim te forca e saj.

Është në rrugën e duhur, prandaj them se do të jetë në 4-shen e parë, por i duhet të bëjë shumë kujdes në vazhdim. Nuk ia fal që doli pa pikë në ndeshjen me Vllazninë, ku krijoi aq shumë raste dhe nuk arriti t’i finalizonte. Duhej pak më shumë gjakftohtësi apo intuitë për të zgjidhur ato situata në zonën kundërshtare në favor të saj.

Me Egnatian shënoi një gol shumë të bukur me Kaçorrin, por nuk mund të themi ende si ai është goleadori i Dinamos. Më pëlqen shumë Marku, mbrojtësi i djathtë, një lojtar shumë i fortë, me një kros të mirë, por vetëm duhet të rregullojë pjesën e lojës mbrojtëse. Rëndësi ka që ekipi në tërësi është përmirësuar”, është shprehur fillimisht Marko për gazetën.

KËSHILLAT – Për Andrea Markon, Dinamo ka krijuar një fizionomi loje të sajën, por duhet të forcojë konturet e saj si skuadër. “Dua që Dinamo të jetë një skuadër moderne futbolli, por kuptohet që duhet pak kohë. Një skuadër kërkon disa vite që të jetë në nivelin për të shprehur më të mirën e saj. Janë disa gjëra që ndikojnë për të pasur një skuadër solide dhe me objektiva ta qarta. Në futbollin e sotëm vlejnë lojtarët, të cilët bëjnë disa role njëkohësisht, siç po shikojmë te klubet e mëdha.

Po ashtu, duhet të gjendet edhe një stadium fiks për të luajtur ndeshjet e kampionatit, për të pasur edhe më afër tifozët, sepse edhe këto ndryshimet e shpeshta të fushës ndikojnë në ecurinë e skuadrës. Lojtari duhet të ketë një lloj ndjeshmërie në raport me tifozin, t’i japë atij kënaqësi me lojë dhe të marrë mbështetjen nga shkallët e stadiumit. Është një lidhje shpirtërore”, këshillon Marko.

TEUTA – Për sfidën e radhës, ish-trajneri u shpreh: “Dinamo ka një ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Me Teutën duhet të kthehet te fitorja, sepse loja nuk mjafton, por nuk do të jetë e lehtë. Që të shkojë në 4- she, ku besoj se i ka mundësitë të jetë, siç e thashë edhe më parë, duhet të marrë pikët, që janë shumë të rëndësishme për objektivin”.

SKEMA – Në fund edhe një mendim për formulën e këtij kampionati me “Final 4”-in, aq shumë e kritikuar nga opinioni sportiv: “Nuk e di, por përderisa nuk e kanë as kampionatet elitare në Europë, siç janë Anglia, Spanja e me radhë, ndoshta nuk ishte ajo që na duhej. Ndoshta është menduar për të rritur të ardhurat e klubeve me këtë formulë, apo edhe për të nxjerrë në vitrinë lojtarët e Superiores, sepse dihet si funksionon tashmë tregu, por mund të ndikojë në fatet e sezonit.

Dy vendeve të para, ndoshta do t’u hahet haku. Kur nis sezoni, çdo ekip ka një objektiv dhe ai që do titullin, kërkon të marrë më të mirën nga çdo ndeshje. Nëse nuk do të ishte kjo formula, por do të vlenin pikët për titullin kampion, Egnatia besoj se nuk do të bënte 5 barazime radhazi, s’do të ndodhte si tani. Të shohim si do të shkojë në fund”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"