EKSKLUZIVE/ Alban Beqiri bëri historinë në Botëror, flet trajneri Bushati: Boksi real mban emrin e tij. Organizim për turp pa fizioterapist e fazë përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 22:04

EKSKLUZIVE/ Alban Beqiri bëri historinë në Botëror, flet trajneri Bushati: Boksi real mban emrin e tij. Organizim për turp pa fizioterapist e fazë përgatitore

Sead Bushati, trajneri i Alban Beqirit, ka komentuar paraqitjen e jashtëzakonshme të boksierit kuqezi në Kampionatin Botëror të Serbisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri thekson se ky është rezultati më i lartë që prej ekzistencës së këtij sporti në Shqipëri, ndërsa thotë se boksi i vërtetë mban emrin “Alban Beqiri”. 

bushati beqiri

Bushati zbulon edhe shkakun e mosvajtjes së tij në Beograd, ndërsa e quan të turpshëm organizmin për këtë aktivitet nga ana e Shqipërisë. Trajneri shkodran i Tiranës bën të ditur se ishte ai që e bindi Beqirin për t’u ngjitur në ring në gjysmëfinale, edhe pse boksieri kishte dëmtime serioze. Ndërsa në fund 42-vjeçari, i cili është gjithashtu edhe pedagog në Universitetin e Sporteve, flet edhe për shoun që shikojmë shpeshherë me rezultate të pompuara të sportistëve shqiptarë në boksin profesionist.

Sead, si do ta komentoni paraqitjen e Alban Beqirit në Botëror?
Patjetër që bëhet fjalë për një arritje historike për Albanin dhe boksin shqiptar. Një rezultat i jashtëzakonshëm që vjen në një eveniment shumë të madh të boksit botëror. Paraqitja e Alban Beqirit ka qenë shumë dinjitoze, duke nisur që prej ndeshjes së parë kundër boksierit nga Kenia, duke treguar një performancë shumë të mirë përballë një rivali tepër të përgatitur. Më pas, përballë një kundërshtari shumë të fortë nga Lituania, ku edhe aty bëri një duel të shkëlqyer. Ndërkohë, pas ndeshjes me lituanezin, Albani pati një dëmtim në pjesën e mesit. Ndonëse me probleme fizike, triumfoi bindshëm dhe pastër edhe ndaj panamezit. Më pas, ishte radha e duelit me jordanezin Eashash, ky i fundit kishte mposhtur më parë dy herë kampionin olimpik, kubanezin Roniel Iglesias. Albani bëri një nga ndeshjet më të bukura dhe më emocionuese të jetës së tij dhe të gjithë historisë së boksit shqiptar. Kjo është arritja më e madhe në të gjithë ekzistencën e këtij sporti në Shqipëri. Një rezultat i shkruar me germa të arta, duke u futur në podiumin e boksierëve më të mirë të botës, duke e fituar dhe tejkaluar botërorin e tij. Alban Beqiri është djaloshi i artë i boksit shqiptar.

Ju jeni prej shumë vitesh trajneri i Beqirit, pse nuk jeni në aktivitet me të?
Albanin e stërvis që prej moshës 13-vjeçare dhe jam shumë krenar për këtë gjë. Lidhja me këtë sportist është shumë e ngushtë dhe më vjen shumë keq që nuk iu dha vëmendja e duhur për të bërë një përgatitje serioze për botërorin. Kur u kthyem pas Ballkaniadës, pasi Albani është kampion absolut edhe në Ballkan bashkë me Denis Nurjen, të dy janë sportistët e mi, si dhe Indrit Laçi që është nënkampion. Në atë event shkëlqyen, gjithashtu, edhe Krenar e Rexhildo Zeneli, që morën medalje të argjendta. Menjëherë pas atij aktiviteti unë i propozova federatës që duhet parë seriozisht Kampionati Botëror, sepse të gjithë sytë e Botës do të fokusohen tek eventi në Serbi. Çdo ekip i botës ka bërë përgatitje shumë serioze për këtë aktivitet. Unë kisha një projekt që sportistët tanë të realizonin dy faza të forta përgatitore, gjithashtu të bënim disa turne para Botërorit dhe të shkonim me dinjitet me të gjithë sportistët që ishin pretendentë. Por kjo nuk u realizua dhe ishte një nga arsyet që unë refuzova të shkoj në Botëror. Ndërsa arsyeja kryesore ishte incidenti i Shkodrës, i cili ndodhi pikërisht për Alban Beqirin. Të gjithë e panë se si iu vërsul gjyqtari dhe se si iu vodh ndeshja në kampionat. Pra, pas atij incidenti vendosa të mos shkoj në Botëror, por nuk e privova Albanin dhe Indritin. Boksierëve u thashë që duhet të garojnë, pavarësisht se unë nuk do të isha, sepse në ato kushte nuk mund të kisha më relata me ata njerëz pas atij incidenti që ndodhi.

Ju vjen keq që nuk jeni pranë tij në këtë event historik?
Do të doja me shpirt që të isha atje bashkë me boksierin që t’i përjetonin bashkë këto emocione të papërshkrueshme, sepse është puna dhe mundi i gjithë këtyre viteve. Pavarësisht se trajnerët që janë atje po e mbështesin, gjë të cilën nuk e vë në dyshim, por prania ime aty do t’i jepte pa diskutim 10 apo 20% më tepër. Gjithmonë kur ke trajnerin afër, trajnerin shpirtëror le të themi, është një lidhje e brendshme që e bën sportistin të japë më të mirën e tij.

Alban Beqiri bëri të ditur se gjysmëfinalja ishte në rrezik të madh për shkak të dëmtimeve që kishte marrë. Por edhe pse me probleme të mëdha fizike vendosët që ta vazhdoni aktivitetin…
Unë këmbëngula që Albani të futej në gjysmëfinale edhe pse dëmtimet i ka serioze, si te dora ashtu edhe te mesi. Mendova që duhej ta vazhdonte kampionatin, pasi kjo është një përballje që mund të vijë një apo dy herë në jetë, dikujt ndoshta asnjëherë. Insistova dhe iu luta që të mundohej dhe ta mblidhte veten përballë dhimbjeve. I kam thënë se nuk ka rëndësi nëse fiton apo humbet, këtë ndeshje do ta bësh për të gjithë Shqipërinë dhe Zoti qoftë me ty. Nuk ka asgjë të paarritshme. Edhe pse kundërshtari rus është i një klasi të lartë, nuk kam asnjë dyshim që nëse Albani do të ishte në gjendjen e tij më të mirë, nuk do ti linte asgjë mangët. Këtë e tregoi edhe kundër jordanezit Eashash, i cili në çdo duel kishte bërë paraqitje shumë të forta. Edhe pse është me probleme fizike vendosëm që Albani ta bënte këtë sakrificë të madhe dhe të ngjitej në ring.

beqiri boks

Mendoni se me stërvitje dhe një fazë përgatitore speciale, problemet fizike mund të ishin shmangur?
Nga ndeshja në ndeshje vështirësia rritet. Laktati në trup kërkon 72 orë që të rikuperohet, kështu që nuk ka kohën e mjaftueshme për t’u rigjeneruar dhe ndjen dhimbje në trup. Pikërisht për këtë gjë bëhet edhe stërvitja speciale për këto evente të rëndësishme.

A ka Kombëtarja jonë fizioterapist qe e shoqëron ekipin?
Kombëtarja shqiptare e boksit është pa fizeoterapist në Botëror. Ekipi ka shkuar madje edhe pa shef delegacioni dhe pa asgjë, ashtu sikurse i bën gjithmonë shteti ynë gjërat. Kjo nuk u ndodh as vendeve më të varfra të botës, të cilat marrin pjesë me stafe të plotë, por vazhdon t’i ndodhë Shqipërisë në vitin 2021. Është vërtetë e turpshme. Shqipëria ka bërë zero për përgatitjen e skuadrës për Botërorin, në një kohë kur ekipet e tjera kanë projekte dhe përgatiten për vite me radhë për një eveniment të tillë madhor.

Kemi parë shpeshherë që të bëhet shou i madh me brezat e fituar apo me termin “kampion bote” në boks nga ana e sportistëve shqiptarë. Cili është komenti juaj për këtë pjesë?
Boksi i vërtetë bëhet në Kampionat Botëror dhe në Olimpiadë. Nuk them që boksi profesionist nuk është i vërtetë, por ka ato truket e veta dhe gjithashtu është edhe biznes. Në boksin profesionist mund të rritet edhe një boksier që ndoshta nuk e meriton, por kurrsesi kjo gjë nuk mund të ndodhë në një Kampionat Botëror. Jam shumë atdhetar dhe më vjen mirë për çdo shqiptar që përparon dhe duhet vlerësuar, por boksi real mban emrin “Alban Beqiri”. Çdo boksier i botës duke nisur nga legjendat më të mëdha si Muhamed Ali, Roi Xhons Jr, Xhoshua apo çdo kampion tjetër, krenohen pikësëpari me Olimpiadën dhe Kampionatin Botëror. Kur prezantohen fillimisht e bëjnë si kampionë olimpikë apo botërorë, e më pas për brezat.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"