EKSKLUZIVE/ Agon Elezi u transferua në Bundesligën gjermane, zbulohet shifra që ka përfituar Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2024 | 23:10

EKSKLUZIVE/ Agon Elezi u transferua në Bundesligën gjermane, zbulohet shifra që ka përfituar Skënderbeu

Agon Elezi, mesfushori maqedonas mbush arkat e Skënderbeut pas transferimit te Bohum në Bundesligën gjermane. Ish-mesfushori u largua nga korçarët në shtator të vitit 2020 për një vlerë rreth 80 mijë euro te Varazhdin në Kroaci, teksa Skënderbeu siguroi edhe 30% të kartonit të lojtarit për transferimin e radhës.

YTYT

Dje, në limitet e merkatos lojtari 22 vjeçar ka nënshkruar kontratën e majme te Bohum në Gjermani duke sjellë kështu një lajm të mirë edhe për korçarët. Nga sa raportohet shifra e këtij transferimi te gjermanët e Bohum vërtitet rreth 800 mijë euro, ndërsa një pjesë e tyre kalojnë direkt në arkat e klubit korçar që kishte ende 30% të kartonit të mesfushorit maqedonas.

Nga sa “Panorama Sport” mëson nga burime në klub, Skënderbeu përfiton rreth 200 mijë euro nga ky transferim duke siguruar kështu të ardhura të rëndësishme sa i përket ngritjes së financave të klubit. Pritet të shihet tashmë se si do të procedohet sa i përket bllokimit të merkatos nga ana e FSHF për çështjen “Bregu”. Detyrimi i korçarëve ndaj sulmuesit vlonjat shkon rreth 37 mijë euro teksa me shumë mundësi do të shlyhet nga arkëtimi i të ardhurave pas transferimit të Elezit nga Varazhdin te Bohum.

MERKATO – Në ditën e fundit të merkatos korçarët i kanë thënë lamtumirë kapitenit Erlis Frashëri, i cili mbylli marrëveshjen me Skënderbeun për të kaluar në Kategorinë e Parë te Flamurtari. Kjo me shumë mundësi për Skënderbeun është lëvizja e vetme në këtë merkato dimri. Si asnjëherë më parë korçarët nuk kanë bërë asnjë lëvizje tjetër kjo edhe për shkak se merkatoja ka qenë e bllokuar. Në kushte të tilla trajneri Ivan Gvozdenoviç ka të njëjtën organikë si atë të fillim kampionatit ku mungesa e vetme në vazhdim do të jetë Frashëri.

Nga ana tjetër burime në klub bëjnë me dije se drejtuesit duke parë bllokimin e merkatos dhe një ofertë tunduese për lojtarët që kanë në organikë janë kufizuar për të mos larguar asnjë element tjetër nga ekipi. Oferta nga Turqia ka pasur për Marko Alian por edhe për Dean Liçon, por lojtarët dhe klubi kanë vendosur të mos ndryshojnë ambient dhe të mbyllin sezonin si bardhekuq duke plotësuar dëshirën e trajnerit Gvozdenoviç që ka kërkuar nga klubi në fillim të merkatos sforco për të mos larguar asnjë lojtar.

LL.SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"