Egnatia kompleton stafin teknik, radhën e ka… mesfusha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 13:13

Egnatia kompleton stafin teknik, radhën e ka… mesfusha

Klubi rrogozhinas e nisi pragsezonin e ri me afrimin e trajnerit, durrsakut Edlir Tetova. Ai erdhi në krye të pankinës së Egnatias, pasi presidenti Agim Demrozi u bind nga strategjia e tij mes disa kandidaturash.

EGNATIA

Tetova u përzgjodh pasi klubi rrogozhinas nuk rinovoi më kontratën me ish-trajnerin e saj që e udhëhoqi sezonin e shkuar Zekirija Ramadani. Tashmë janë bërë të njohur edhe bashkëpunëtorët e trajnerit durrsak.

Ai ka preferuar të mbajë përsëri pranë tij si ndihmës të afërt ata që bashkëpunuan edhe me ishtrajnerin Ramadani. Ndihmës të tij do të jenë italiani Françesko Vitobelo, si dhe rrogozhinasi Eduart Thartori.

Po ashtu, klubi i ka besuar postin e përgatitësit atletik, Vullnet Manushit.

Trajner i portierëve do të jetë kavajasi Taulant Guma, i cili do të zërë vendin e peqinasit Arianit Ballhysa. Në këtë mënyrë Egnatia ka kompletuar të gjithë stafin.

Paralel me të, vijon puna për të plotësuar edhe repartet e ndryshme të skuadrës. Prapavija nisi me afrimet e Sherrit, Mustës, Sadikit dhe Fangajt, si dhe pritet edhe një qendërmbrojtës.

Mesfusha është freskuar vetëm me afrimin e beratasit Hyseni, ndaj në këtë repart pritet përforcime të tjera. Sulmi është plotësuar me Ilir Camaj dhe në krah të Pedros bashkë me Delarzhe, duket reparti më “i blinduar”.

Egnatia ka mbyllur punë me “kullën” drejtuese dhe mbeten vetëm disa plotësime për të bërë realitet ambiciet e sezonit të ri, ku nuk bëhet fjalë që të luajnë për mbijetesë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"