Edi Reja rrëfen momentet e veçanta të miqësores në Vatikan: Papës i thashë shpresoj të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2021 | 12:21

Edi Reja rrëfen momentet e veçanta të miqësores në Vatikan: Papës i thashë shpresoj të…

Një javë më parë, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, mori pjesë në një event me karakter bamirës të organizuar nga Papa Françesku i ftuar nga presidenti i Lacios, Klaudio Lotito.

reja papa

Reja ishte në rolin e trajnerit të ekipit të Vatikanit, që përbëhej nga punonjës e priftërinj, ndërsa përballë kishin ekipin e ‘’Organizatës Botërore të Romëve’’, trajner i të cilëve ishte Mauricio Sarri.

papa

Një rol të veçantë kishte dhe ylli i Lacios, Çiro Imobile që ishte arbitri kryesor i ndeshjes. Qëllimi i kësaj miqësoreje ishte për të grumbulluar fonde për të mbështetu projekte kundër diskriminimit të njerëzve.

Reja ka rrëfyer të këtë eksperiencë që nga ftesa e marrë nga Klaudio Lotito te takimi me Papën.

Ftesa: “Ishte një event i rëndësishëm. Mora ftesë nga presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, i cili u tregua i gatshëm për të ngritur strukturën e nevojshme sportive dhe për të organizuar këtë miqësore. Sigurisht, e pranova ftesën dhe u ndjeva mirë që u ktheva për një vizitë në ish-klubin tim, sepse që pas largimit tim nga Lacio nuk kisha qenë më aty dhe ndeshje u zhvillua në Formelo, qendrën stërvitore të Lacios”, tregoi ai për faqen e FSHF

papa vatikan

Momenti më i veçantë: “Një nga momentet më të bukura që më la mbresa ishte fakti se në ekipin tim unë kisha një djalosh me sindromën down, i cili shënoi dy gola. Festa e atij djaloshi pas golave ishte emocionuese, ai festonte me një entuziazëm dhe lumturi të paparë, ishte vërtetë një moment prekës dhe lumturie të madhe’’.

Takimi me Papën: “Papa Françesku e kishte kërkuar këtë ndeshje për t’i shprehur mirënjohjen edhe komunitetit rom, që është i margjinalizuar. Madje, kryetari i Shoqatës Botërore të Romëve ishte një kroat, të cilin unë e kam njohur gjatë eksperiencës sime te Hajduk Spliti dhe u ndjeva mirë që u takuam sërish dhe diskutuam për ato kohë. Momenti tjetër kulmor ishte audienca e Papa Françeskut. Në momentin e parë i thashë: “Kam përgjegjësi të madhe, sepse sot jam trajneri i skuadrës së Vatikanit. Shpresoj të bëjmë mirë”. Ndërsa ai mu përgjigj se përveç kësaj është një event i rëndësishëm për promovuar aspektin human të komunitetit rom. Ishte e bukur të vizitoja Vatikanin, patëm mundësi të shikonim muzetë e Vatikanit dhe ishim gjithashtu të ftuar të drekë atje. Ishte një ditë e veçantë, edhe në aspektin kulturor. Sigurisht, për ne të krishterët takimi me Papën është diçka e jashtëzakonshme. Ka qenë një aktivitet i veçantë që më ka lënë shumë mbresa dhe plot energji pozitive”, shprehet Reja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"