E presin në Vlorë të nënshkruajë, Lika: Firmos pasi të mbyll hesapet me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2013 | 12:48

E presin në Vlorë të nënshkruajë, Lika: Firmos pasi të mbyll hesapet me Tiranën

LikaPortieri Ilion Lika kërkon që të mbyllë hesapet me Tiranën. Vetëm më pas do të firmosë për Flamurtarin. Në një bisedë për “Panorama Sport”, portieri shprehet se do t’i drejtohet DHZKsë, por edhe UEFA-s, duke qenë se nuk është likuiduar akoma prej ish-ekipit të tij. “Kam katër rroga pa marrë nga Tirana. Kam pritur deri në këto momente se mos gjehej një zgjidhje, por në fakt nuk është bërë e mundur. Në këto kushte nuk më mbetet tjetër veçse gjatë këtyre ditëve t’u drejtohem institucioneve. Do të shkoj në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për të gjetur zgjidhje për të drejtën time. Nuk është çudi që të drejtohem edhe në institucionet më të larta ndërkombëtare të futbollit, në UEFA”, – shprehet Lika. Portieri ndër të tjera thotë se është në pritje të përgjigjes nga Vlora dhe se deri më tani nuk ka pasur kontakte, për shkak se presidenti Gjika ka qenë i impenjuar me fushatën elektorale. “Siç e dini, unë kam arritur në parim akordin me drejtuesit e Flamurtarit. Tani jam në pritje të takimit me presidentin Gjika për të zyrtarizyar gjithçka. Është kënaqësi të jem te Flamurtari. E kam dashur një gjë të tillë edhe më parë”, – përfundon Lika. Nga ana tjetër, në pritje është edhe Erjon Dushku. Lojtari pret një sinjal nga Vlora me qëllim që të takohet me presidentin Gjika dhe më pas të konfirmohet. Në një prononcim pak ditë më parë të dhënë për gazetën, Dushku tha se është në pritje të drejtuesve të kuqezinj, sipas edhe bisedës që ka bërë me ta. I vetmi i zyrtarizuar te Flamurtari është Dritan Smajli. Megjithëkëtë edhe lezhjani po e pret një takim të fundit me Gjikën, jo se nuk janë arritur marrëveshjet, pasi ato tashmë janë të mbyllura, por do të jetë thjesht një takim formal.

Vlonjatët, në gjurmët e Dragoit dhe Gocajt
Flamurtari po vijon me planet në merkato. Pasi ka zyrtarizuar blerjen e parë, po tenton të afrojë të tjerët që do të kompletonin grupin. Dy alternativa dalin në skenë, konkretisht Olsi Gocaj dhe Deni Dragoi, lojtarë këta që e mbyllën sezonin përkatësisht te Kastrioti dhe Vllanzia. Largimi i mundshëm edhe i disa futbollistëve të këtij reparti do t’i detyronte vlonjatët që të hynin në tratativa edhe për mesfushën, krahas mbrojtjes. Emrat që përfliten janë pikërisht këta, por nga ana e drejtuesve dhe stafit teknik nuk i konfirmojnë zyrtarisht. Megjithatë mendohet se deri në fund të qershorit Gjoka do të ketë një ekip të plotë, ku mendohet të mbyllen edhe blerjet e merkatos.
Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"