E konfirmon vetë trajneri, ja kush e drejton Laçin në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2021 | 20:59

E konfirmon vetë trajneri, ja kush e drejton Laçin në Europë

Laçi e mbylli kampionatin e 82-të të Superiores në vendin e katërt, por me objektivin minimal të realizuar: pjesëmarrjen në Europë. Luhatjet në javët e para si në rezultate dhe në pankinë mbase i kushtuan në fund Laçit që mbeti pa trofe. Me marrjen e drejtimit të skuadrës nga trajneri Shpëtim Duro, kurbinasit krijuan stabilitet, madje fillimi i 2021-shit ishte i pakrahasueshëm për Laçin.

Shpetim Duro logo

Skuadra e Duros luftoi deri në javën e fundit për titullin kampion dhe në raport me rivalët e tjerë, Laçi ishte superior në përballjet direkte. Me pak fat mund të ishin edhe kurbinasit skuadra kampione, por në fund triumfoi Teuta. Pas përfundimit të sezonit janë krijuar shumë pikëpyetje mbi të ardhmen, pasi disa prej lojtarëve dhe trajnerit u mbaron kontrata me Laçin. Sido që të rrjedhin ngjarjet për të ardhmen, trajneri Shpëtim Duro, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka konfirmuar se për pjesëmarrjen në Europa Konferencë Ligë, grupi nuk do të pësojë firo.

Ka pasur shumë dilema edhe për qëndrimin e trajnerit Duro te skuadra laçiane, por për gaztën ai konfirmoi se do të jetë në drejtim të paktën edhe për Europën. Për vazhdimësinë do të ulet e të flasë me presidentin Laska pas përfundimit të aventurës europiane. “Unë kam kontratë me Laçin edhe për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Pastaj, në momentin e duhur do të shikojmë për vazhdimësinë me klubin ku do të ulem dhe bisedoj me presidentin. Vazhdimin do ta shikoj në bazë të skuadrës që do të kemi për sezonin e ardhëm, jo nga kushtet financiare”, u shpreh fillimisht trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.

RINOVIMET – Disa lojtarëve të skuadrës kurbinase u mbaron kontrata dhe duke parë situatën e tyre, disa klube janë vënë në lëvizje për të përfituar shërbimet e tyre. Këtu hyjnë edhe lojtarë si Xhixha apo Musta. Gjithsesi, trajneri Duro konfirmoi për gazetën se në Europë Laçi pritet të prezantohet pa firo, kështu që la të kuptojë se edhe futbollistët që u skadon kontrata do të luajnë me Laçin në Europë.

KLINTI QATO – Laçi ka bërë afrimin e parë zyrtar në merkaton e verës, i cili vjen nga radhët e Tomorit. Klinti Qato ka arritur marrëveshjen me drejtuesit kurbinas dhe sapo të nisë stërvitja, do të vihet në urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro, i cili konfirmoi lajmin e afrimit të parë te kurbinasit. “Po, është i vërtetë lajmi, pasi Klinti Qato do të jetë pjesë e skuadrës së Laçit”, u shpreh Duro për gazetën. Në sezonin e fundit Qato ka qenë pjesë e Tomorit në Kategorinë e Parë, ndërsa është afirmuar në Superiore si pjesë e Teutës dhe Luftëtarit. Lojtari durrsak u bë protagonist së fundmi në takimin “play out” Kastrioti-Tomori, duke shënuar golin e vetëm për beratasit në humbjen 2-1.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"