E konfirmon Alimehmeti: Tirana, firmosin Çaka e Hoxhallari

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 6, 2013 | 11:43

E konfirmon Alimehmeti: Tirana, firmosin Çaka e Hoxhallari

alimehmetiVijnë firmat e para te Tirana. Bardheblutë e kanë nisur nga grupi ekzistues dhe sidomos nga elementi i ri, teksa kanë nënshkruar edhe kontratat e para me dy futbollistë. Marsel Çaka dhe Erjon Hoxhallari kanë firmosur për tre vjet me kryeqytetasit. Ishte trajneri Nevil Dede ai që besoi tek ata, duke i aktivizuar sidomos gjatë ndeshjeve të fundit, e për pasojë nuk mungoi as oferta që ata të firmosin me ekipin e parë. Është vetë administratori Krenar Alimehmeti ai që konfirmon arritjen e marrëveshjes me dy të rinjtë, të cilët nuk i kalojnë as të 18-at. Për “Panorama Sport”, numri një i klubit tregon edhe detajet: “Kemi arritur akordet e para për merkaton e verës. Gjithçka e kemi nisur nga kontingjenti që mbylli sezonin, e sidomos prej të rinjve. Kështu, me Marsel Çakën dhe Erjon Hoxhallarin kemi nënshkruar për tri sezone”. Më tej ai ka sqaruar se ky është vetëm fillimi, pasi bardheblutë kanë në plan që të rinovojnë edhe me lojtarë të tjerë, ku më të lakuarit janë Limani dhe Muça. “Presim që të rinovojmë edhe me këta dy futbollistë. Aktualisht jemi në periudhë bisedimesh, por besoj se firmat nuk do të vonojnë. Sikundër e kam shprehur edhe më parë, ne do të jemi tepër të kujdesshëm në merkato. Ndaj veç elementëve ekzistues, do të afrojmë edhe emra të tjerë. Mund të përfliten shumë në fakt, por ne duam që të jemi të rezervuar, duke mos publikuar asgjë”, – – shtoi administratori, i cili i mëshon faktit që Morina do vazhdojë të jetë pjesë e Tiranës, ndonëse sulmuesi dy ditë më parë hapi “gjyq” në DHZK për të zgjidhur kontratën. “Sulmuesi është në planet tona, ndaj nuk kemi ndërmend që të heqim dorë prej tij. Kam dëgjuar se i është drejtuar DHZK-së, por zyrtarisht mua nuk më ka ardhur asgjë nga federata. Unë di që është në kontratë edhe për një vit me ne. Ndërkaq korçarët, edhe pse këmbëngulin për të na e marrë, me ne nuk kanë pasur asnjë lloj kontakti. Këtë e them me siguri të plotë”, – përfundoi administratori Alimehmeti.
ADELA MERKO





www.minuta90.com