E BUJSHME/ Dinamo gjen sponsor, tani në duart e italianëve. Emërohet stafi i ri teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2019 | 9:36

E BUJSHME/ Dinamo gjen sponsor, tani në duart e italianëve. Emërohet stafi i ri teknik

Ndryshime rrënjë sore te Dinamo. Drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë gjetur sponsorë të rinj, të cilët vijnë nga Italia dhe do të investojnë tani e tutje për blutë. Pak a shumë, ata do të bëjnë të njëjtën gjë që bënte edhe familja Nuri deri pak muaj më parë. Bëhet fjalë për një kompani nga Roma, me president Marko Pontrelin, i cili ka qenë edhe president i Triestinës.

Portenelli dinamo

Zhvillimet janë konkrete, edhe pse mes palëve nuk ka ndonjë marrëveshje zyrtare të firmosur. Klubi blu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se Allmuça nuk do të drejtojë më skuadrën, por jo për shkak të rezultateve të dobëta. Largimi i tij lidhet me zhvillimet e fundit te Dinamo. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht lëvizjet e fundit në klubin kryeqytetas, ku tashmë ka nisur të fryjë një erë e re.

PROJEKTI – Kriza financiare që po kalonte Dinamo, po e çonte ekipin drejt humnerës. Drejtuesve të saj u është vetofruar një kompani italiane me në krye Marko Pontrelin, i cili do të jetë edhe drejtuesi i projektit me blutë. Në këtë projekt bën pjesë edhe ndryshimi në stafin teknik, kështu që Igli Allmuça largohet dhe ai që do të drejtojë 18 herë kampionët e Shqipërisë është Mauro Monzani, kurse drejtor teknik do të jetë Daniele Delisori.

Për këta të dy është shumë e vështirë të gjesh informacion. Italianët kanë nisur dje nga puna, duke u shfaqur në stërvitje në orën 10:00, në Pezë-Helmës, bashkë me administratorin Saliaj.

dinamo

Aty ka qenë edhe stafi i mëparshëm teknik, Igli Allmuça, ndihmësi i tij, Julian Brahja, e trajneri i portierëve, Blendi Bahuli. Administratori Saliaj u bëri me dije ndryshimet në ekip dhe ata e mirëkuptuan, duke u tërhequr më pas që të gjithë. Administratori Saliaj prezantoi me radhë pjesëtarët e stafit të ri italian. Futbollistët mbetën disi të shtangur nga ky ndryshim rrënjësor i menjëhershëm, por nga ana tjetër u entuziazmuan, pasi atyre u janë premtuar pagesa të rregullta dhe bonuse.

SALIAJ PËR GAZETËN – “Po, është e vërtetë që kemi nisur bashkëpunimin me një kompani italiane, që drejtohet nga njerëz me eksperiencë në sport. Ata kanë ardhur me një projekt konkret për bashkëpunim dhe çdo gjë nisi pa humbur kohë, pasi është në të mirë të të dyja palëve.

Duke parë situatën jo të mirë që ishte krijuar në të gjitha aspektet, duhej një bashkëpunim i mirë për ta ndryshuar Dinamon. Në verë ishim me projekte e mendime të tjera, por siç e dimë të gjithë, gjithçka ra poshtë. Dinamos nuk iu dha e drejta të luante në Superiore dhe nuk mundëm të bënim merkato. Tashmë kemi rënë dakord me drejtuesit e kompanisë italiane, të cilët vijnë me stafin e tyre.

Ismet Saliaj

Do të fillojë stërvitje dy herë në ditë, çdo gjë ka nisur seriozisht. Natyrisht, ka edhe biznesmenë shqiptarë në mes, por për momentin emrat nuk është e nevojshme të bëhen të ditur. Nuk ka kontrata të shkruara, ato do të bëhen në vijim. Është një nisje për të mirën e klubit dhe ekipit.

Do të mundohemi të afrojmë ndonjë lojtarë që tani, por në janar është menduar të ndërhyhet fuqishëm. Nuk mund të lë pa falënderuar një djalë të shkëlqyer, si trajneri Igli Allmuça, i cili është një profesionist i rrallë. Ka bërë mjaft sakrifica për ekipin. Pa dyshim që falënderoj dhe pjesën tjetër të stafit”, ka thënë për “Panorama Sport” administratori i Dinamos, Ismet Saliaj. Mbetet për t’u parë tashmë se sa serioz do të jetë realisht ky bashkëpunim te blutë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"